“Vetëm kryeministër. Ky është kushti që vendos Ramush Haradinaj për përfshirjen e partisë së tij në qeveri, ndërsa ka hedhur poshtë të gjithë zërat që kanë qarkulluar në mediat kosovare se ai do të marrë postin e zëvendëskryeministrit, në një koalicion të mundshëm me Partinë Demokratike të Kosovës.

Haradinaj ka mohuar të ketë biseduar diçka të tillë me kryeministrin Hashim Thaçi, ndërsa ka përsëritur qëndrimin e tij se kërkon udhëheqjen e qeverisë.

“Ne e kemi dhënë një ofertë dhe po punojmë që ajo të ndodhë. Ju e keni në kujtesën tuaj se cila është oferta konkrete. Në rast se ajo ndodh, jemi të gatshëm të marrim përgjegjësi. Në rast se jo, kemi thënë se përgjegjësitë që i kemi në jetën politike do t’i marrim me kujdes duke e ruajtur vendin dhe duke punuar që proceset të shkojnë me sukses”, tha Haradinaj pas vizitës që bëri në familjen e dëshmorit Zahir Pajaziti, në fshatin Turuçicë.

Duket se negociatat mes krerëve të dy partive kanë ngecur pikërisht te posti i Kryeministrit. Post të cilin e kërkon Haradinaj, ndërsa disa zyrtarë të PDK-së tashmë kanë deklaruar se e kanë kryeministrin, Hashim Thaçin.

(jd/Shqiptarja.com)