Një koalicion evropian për zhvillimin e një mburoje të përbashkët kundër raketave balistike. Nisma u lançua sot në Paris, me rastin e takimit të Koalicionit të të Vullnetshmëve, nga liderët e Italisë, Danimarkës, Francës, Gjermanisë, Holandës, Norvegjisë, Spanjës, Suedisë, Ukrainës dhe Mbretërisë së Bashkuar, të cilët nënshkruan një deklaratë të përbashkët për të nisur krijimin e një Koalicioni për Mbrojtjen Kundër Raketave Balistike.

Objektivi, sipas deklaratës, është zhvillimi sa më i shpejtë i një kapaciteti evropian mbrojtës, me karakter plotësisht mbrojtës, përmes krijimit të një arkitekture të integruar të mbrojtjes raketore, e aftë të parandalojë dhe neutralizojë kërcënimet e ardhshme nga raketat.

Projekti do të plotësojë dhe integrojë sistemet kombëtare që janë tashmë në shërbim ose në proces të blerjes, duke u mbështetur në bashkëpunimin mes industrive të mbrojtjes, kërkimit shkencor dhe kapaciteteve operacionale.

Për iniciativën, presidenti francez Emmanuel Macron shkroi në platformën X se "përballë kërcënimit balistik, bëjmë një zgjedhje të qartë: të mbrojmë Ukrainën, të forcojmë sigurinë tonë kolektive dhe të ndërtojmë Evropën e mbrojtjes. Me krijimin e Koalicionit Kundër Raketave Balistike, po forcojmë kapacitetet për të cilat Evropa ka nevojë.”

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky falenderoi publikisht presidentin Macron dhe liderët europianë për vendimin e rëndësishëm duke theksuar se “kapacitetet efektive dhe të përshtatshme për mbrojtjen kundër raketave balistike janë thelbësore për t’i dhënë fund luftës së Rusisë kundër Ukrainës. Ato janë po aq të rëndësishme sa goditjet ndaj ekonomisë së luftës së Rusisë apo operacionet aktive në vijën e frontit. Sa më shumë sisteme të ketë Ukraina për të interceptuar raketat balistike ruse, aq më e madhe do të jetë mundësia që Putini të ulet në tryezën e negociatave, sepse argumenti i tij i fundit në këtë luftë nuk do të funksionojë më.”

Në samitin e Koalicionit të Vullnetarëve për Ukrainën që po zhvillohet sot në Paris janë mbledhur liderët e 25 nga 37 vendet që i janë bashkuar kësaj nisme.

Samiti zhvillohet një ditë përpara paradës tradicionale ushtarake në Champs-Élysées, me rastin e Festës Kombëtare të Francës më 14 korrik, e cila këtë vit do të përqendrohet gjithashtu te mbështetja për Ukrainën dhe te "zgjimi strategjik i Evropës".

Më herët, Zelensky ka marrë një po nga presidenti amerikan Trump për licencën e sistemeve Patriot dhe tashmë konfirmoi pret një tjetër ndihmë edhe nga Evropa në lidhje me mbrojtjen ajrore.

Në fushëbetejë ndërkohë këtë të hënë Rusia është detyruar të pezullojë lundrimin në Detin Azov pasi 90 mjete lundruese janë goditur nga dronët ukrainas në më pak se një javë.

Kështu shkruan The Guardian, duke cituar komandantin e forcave të dronëve të Ukrainës, Robert Brovdi, i cili deklaroi dje se njësitë e tij goditën gjatë natës 10 cisterna nafte dhe katër tragete, si edhe një rafineri të rëndësishme nafte në qytetin e Syzranit. Ai shtoi se u kryen gjithashtu disa sulme ndaj nënstacioneve elektrike në Krime.