Me pritshmëri ambicioze për rritjen ekonomike dhe bazuar në projeksionet për diversifikim të sektorëve që gjenerojnë më shumë para, qeveria ka rritur projeksionet për Prodhimin të Brendshëm Bruto.

Në planin makroekonomik 2027-2029 të rishikuar së fundmi, është rritur pritshmëria sa i takon PBB-së së vendit që nga ky vit, nga 28.3 miliardë euro në 29 miliardë euro. Në raport me vitin 2025, rritja është me rreth 1.9 miliardë euro. Kjo rritje projektohet në rritje edhe më të shpejtë në vitet e ardhshme, duke arritur në 33.8 miliardë euro në vitin 2029.

Viti 2025       27.1 mld euro
Viti 2026          29 mld euro
Viti 2027       30.5 mld euro
Viti 2028       32.1 mld euro
Viti 2029       33.8 mld euro

Si rezultat i kësaj ecurie pozitive, më shumë para pritet të futin në xhepin e tyre edhe qytetarët. Të ardhurat për frymë gjatë këtij viti thotë Ministria e Financave do të arrijnë në 12.199 euro nga 11.354 euro vjet. Rritja do të vijojë edhe përgjatë trevjeçarit të ardhshëm, duke u rritur në 14,404 euro në vitin 2029.

TË ARDHURAT PËR FRYMË
Viti 2025       11,354 euro
Viti 2026       12,199 euro
Viti 2027       12,886 euro
Viti 2028       13,637 euro
Viti 2029       14,404 euro

Rritja ekonomike e vendit edhe në këtë dokument theksohet se bazohet vetëm në projeksionet optimiste për rritje të turizmit, shtim të aktivitetit ndërtues dhe prej pagave të administratës publike. Rritja ekonomike për këtë vit parashikohet në 4%, dhe për 3 vjeçarin në vijim në mesatarisht 3.9%.