Një pasuri e paluajtshme, truall plus ndërtesë vetëm 251 m2 gjithsej, deputeti i Kuvendit të Shqipërisë, Agron Shehaj thotë se e ka shitur shtatorin e kaluar plot 15 milionë euro.
Në deklaratën e ndryshimit të pasurisë të depozituar marsin e kaluar, kreu i Partisë Mundësia thotë se ka qenë 100% pronar i kësaj ndërtesë, prej së cilës tashmë ka arkëtuar shifrën e jashtëzakonshme në llogaritë e tij bankare.

Pjesë e deklaratës së pasurisë, ku tregohet shitja 15 milionë euro
Edhe pse në deklaratë, Shehaj nuk e thotë adresën ku ndodhet kjo pasuri, shifra e deklaruar duket jashtë çdo logjike tregu, edhe për vendet më luksoze të Evropës, qoftë edhe në Milano të Italisë ku deputeti thotë se zotëron një numër të madh pronash. Nga një kërkim i thjeshtë në rrjet në zonat më të njohura të Milanos maksimumi i shitjes së pasurive të paluajtshme shkon diku rreth 13 mijë euro për metër katrorë, ndërsa sipas llogarive i bie që Shehaj ta ketë shitur 59.760 euro metri katrorë pasurinë e tij, pra miniminalisht 4.5 herë më shumë maksimumi.
15 milionë euro për një godinë plus truall 251 m2 duket edhe më paradoksale kur në të njëjtën deklaratë pasuri, vetë Agron Shehaj jep shifra shumë herë më normale për pasuri të tjera të paluajtshme në Itali, të cilat këtë herë i ka blerë dhe jo shitur.
Për shembull, një pasuri të ngjashme, pra truall + ndërtesë, por këtë herë 2000 metra katrorë, pra 8 herë më e madhe se ajo që ka shitur, Shehaj deklaron se e ka blerë 2 milionë euro, pra 7 herë e gjysmë më pak.
Gjithashtu kreu i Mundësia Shehaj thotë se ka blerë edhe një tjetër godinë, edhe kjo truall dhe ndërtesë, me sipërfaqe totale prej 1980 metrash katrorë. Edhe kjo pasuri e paluajtshme e blerë 6.15 milionë euro, është rreth 8 herë më e madhe se ajo që deputeti thotë se e ka shitur 15 milionë euro.

Pasuritë e paluajtshme që Shehaj thotë se i ka blerë në 2025-n
Kjo situatë, minimalisht paradoksale, ende nuk është shpjeguar nga Agron Shehaj, edhe pse nga parlamenti kreu i grupit të socialistëve i kërkoi informacion.
"Gone na shpjego se si e shite për 15 milionë euro, petët e byrekut po hapen", tha Balla.
Sa i përket pjesës tjetër të deklarimit të pasurisë, Shehaj thotë se ka dhënë hua rreth 2 milion e 825 mijë euro, një herë 1.7 milion e një tjetri 1 milion e 125 mijë euro. Për të ardhurat, përveç 15 milionë eurove që thotë se i ka marrë nga shitja e 251 metrave katrorë, Shehaj thotë se nga rroga si deputet ka marrë rreth 2.8 mln lekë dhe të ardhura të tjera deklaron plot 2 milion e 80 mijë euro.
Agron Shehaj, deklarata e plotë e pasurisë për vitin 2025 kliko këtu për dokumentin e plotë
Komente








