Koalicioni paszgjedhor LDK-AAK-Nisma dhe Vetëvendosje janë shfaqur të vendosur që sot të bëjnë vazhdimin e seancës konstituive, pavarësisht pjesëmarrjes ose jo të PDK-së.

Ky koalicion do të zhvillojë debat dhe do të nxjerrë konkluzione përmes të cilave do të ofrojnë zgjidhje dhe do t'i informojnë të gjitha organet e duhura, si Presidencën dhe organet tjera, që të konfirmojnë shumicën parlamentare, bën të ditur Agjenica KosovaPress.

Por, në anën tjetër kryesuesja e seancës konstitutive, Flora Brovina, ka konfirmuar se nuk do të thërrasë seancën të enjten (sot), pavarësisht se e ka marrë ftesën me nënshkrime nga LVAN-i, që ajo të mbahet të enjten.

Ndërkohë që mos pjesëmarrjen në këtë seancë të PDK-së, e ka konfirmuar edhe kryetari i saj Hashim Thaçi, i cili e ka quajtur edhe seancë ilegale.
Thaçi, kishte thënë edhe pas takimit që kishte pasur me presidenten se çdo thirrje që është në përputhshmëri të plotë me Kushtetutën, rregulloren e Kuvendit të Kosovës, ata do t'i përgjigjen, ndërsa iniciativat e tjera janë jo zyrtare, jo legale dhe nuk kanë asnjë vlefshmëri.

Por, në anën tjetër, deputetja e AAK-së, Donika Kadaj-Bujupi, tha për KosovaPress se "ata kanë planin të cilin do ta ofrojnë në seancën e së enjtes për të zgjidhur ngërçin politik".

Ajo tha se do të mbajnë seancën, do të zhvillojnë debat dhe përmes konkluzioneve do të ofrojnë zgjidhje.

"Patjetër që kemi planin që do ta ofrojmë në Kuvend si zgjidhje, por nuk do të flasim në media paraprakisht", tha Kadaj-Bujupi.

ATSH