Kanë ndodhur akte terroriste, vrasje me pagesë e krijim celulash islamike që rekrutojnë muxhahidinë shqiptare për të luftuar në Siri. Ministri Tahiri akuzoi SHISH se s’ka dhënë informacion për këto vepra. Si ish-ministër Rendi, si e vlerësoni këtë situatë?
Situata e krijuar në marrëdhëniet e SHISH me institucionet e qeverisë së re ka sfond politik. Mungesa e informacioneve për Ministrinë e Brendshme nga kjo agjensi shtetërore mbi projektet kriminale të grupeve të ndryshme duhet të shqetësojë thellë opinionin publik, Qeverinë, Parlamentin dhe Presidentin. Sjellje të tilla nuk mund të tolerohen më tej. Ideja se institucionet e emëruara nga maxhoranca e mëparshme duhet t’i bëjnë gropën qeverisë së re është dhe më kriminale sesa vrasjet me pagesë për larje hesapesh.
Mendjeshkurtësinë politike sipas të cilës emërtesat e PD në institucionet shtetërore të pavarura duhet të punojnë për dështimin e qeverisë ‘Rama’ e paguan populli dhe e ardhmja jonë. Kjo gjendje duhet të diskutohet urgjentisht me partnerët tanë trategjikë, SHBA dhe BE dhe të gjenden zgjidhje të shpejta. Nga ana tjetër funksionimi i celulave që organizojnë dërgimin e shqiptarëve në luftërat fetare në Lindjen e Mesme e kompromenton rëndë aftësinë tonë shtetërore për të ruajtur rolin e paqebërësit.
Berisha akuzohet se merr në mbrojtje njerësit e krimit...?
Berisha politikisht mbetet arkitekti i përdorimit të shtetit për qëllime politike. Ai nxit militantët e vet në funksione shtetërore të pengojnë normalitetin ekzekutiv dhe reformat. Mbrojtja e të akuzuarve për krime është në stilin e Berishës. Ai mendon se është një nga rrugët për gjullurdira antishtetërore. Ai e konsideron potencialin kriminal në vend si faktor antiqeveri me të cilin mund të ngrejë aleanca. Lidhjet politike me botën e krimit dhe oligarkinë monopoliste janë një nga arsyet e forta të prapambetjes tonë shtetërore në vitet e tranzicionit. Denoncimi që bëri së fundmi Sekretari Kerry lidhur me kapjen e politikës nga oligarkitë rajonale, duhet të kthehet në refleksion e veprim politik e shoqëror.
Eshtë kërkuar që kreu i SHISH Visho Ajazi të raportojë në Kuvend lidhur me rikthimin e ish-punonjësve të Gazidedes në postet më të larta. Sa është dëmtuar siguria e besueshmëria e SHISH tek partnerët ndërkombëtarë?
Komisioni Sigurisë në Kuvend duhet të institucionalizojë shumë shpejt kontrollin parlamentar në këtë shërbim. Rikthimi i ish punonjësve të SHIK të viteve të errëta ‘92-‘97 do të ishte një sinjal i keq edhe për partnerët ndërkombëtarë. Në atë periudhë Shërbimi ynë sekret vepronte si celulë islamike.
Nuk është e pamundur që fakti i dërgimit të organizuar të shqiptarëve në luftën e Sirisë të ketë lidhje edhe me mbylljen e ndërgjegjshme të syve të SHISH ndaj fenomenit. Dihet që ish punonjësit e SHIK kanë vepruar me ndërgjegjen e shërbimit ndaj Berishës dhe me ndërgjegje kombëtare. Rikthimi këtij mentaliteti përbën një kërcënim serioz për sigurinë në vend dhe misionin ligjor të SHISH. Partnerët tanë strategjikë s’mund të kenë siguri nga këto lloj rikthimesh.
Mendoni se puna e Visho Ajazit duhet hetohet edhe për shkak të rrjedhjes së informacioneve apo dhe mungesës së informacioneve për krimin, trafiqet e islamikët dhe dhe shkëputjes së lidhjes me Kryeministrin dhe mbajtjen e linjës vetëm me Berishën...?
Mendoj se kontrolli apo hetimi parlamentar mbi veprimtarinë e SHISH duhet të përfshijë aspektet kryesore të detyrimeve ligjore të këtij institucioni me rëndësi të madhe për sigurinë tonë kombëtare. Nëse informacionet e mundshme të mbërritura për vepra të rënda penale siç është rasti i vrasjeve me pagesë apo ai i atentateve të ndryshme me eksplozivë s’janë dërguar në Ministrinë e Brendshme, atëherë do të kishim të bënim me vepra penale të nxitura politikisht. Vetëishullimi politik i SHISH nuk është në interes të sigurisë sonë kombëtare.
Nëse ndërmerret ndonjë nismë për shkarkimin e Visho Ajazi Likës nga kreu i SHISH, mendoni si mund të kalohet ndonje kundërshti nga kreu i shtetit?
Për mendimin tim duhet jo vetëm ndërhyrje për zgjidhjen e situatës konkrete por edhe reformë ligjore. Përderisa Drejtori i SHISH vepron për Kryeministrin atëherë ai duhet ta ketë tagrin jo vetëm të propozimeve për emërim-shkarkimet, por në rastn e shkarkimit të ketë kompetencë jashtë pëlqimit të Presidentit, pëlqimi i të cilit vlen si valvulë sigurie në procesin e emërimit. Presidenti aktual, në rastin e mundshëm të propozimit për shkarkim duhet të veprojë me të njëjtën llogjikë publike që përdori kur bëri shkarkimin e fundit. Në atë rast ai argumentoi se vullneti i kryeministrit ishte vendimtari.
Si e vlerësoni krijimin e Byrosë Kombëtare të Hetimit?
Mendoj se për rastet e korrupsionit të lartë, ku përfshihen zyrtarë apo ish zyrtarë të lartë të Shtetit, apo kur këta dyshohen për përfshirje në krim të organizuar duhet një agjensi e specializuar për t’i shqyrtuar dhe ballafaquar me drejtësinë. Prandaj do të isha në favor të ngritjes së një Byroje të tillë Hetimi. Sistemi aktual e drejtësisë nuk e ka fuqinë të veprojë me forcën e ligjit mbi ‘peshqit e mëdhenj’ të korrupsionit. Sistemi i monopoleve kriminale të ngritura nga qeveria e mëparshme kërkon një forcë të veçantë për ta çmontuar.
Mazhoranca e re erdhi me premtimin për reformën në drejtësi. Sa është e arritshme të bëhet drejtësi me këtë gjyqësor, që akuzohet jo vetëm nga qytetarët, politika por dhe ndërkombëtarët...?
Kjo është reforma më e vështirë. Duhen përzgjedhur sistemet dhe intrumentat ligjorë të provuar si të suksesshme nga përvoja botërore për t’u integruar në reformën tonë për drejtësi të pastër. Por kërkohet dhe një bashkëpunim i ngushtë dhe i detajuar me aleatët tanë strategjikë sepse jam i bindur që do ta kemi opozitën kundër. Opozita e sheh sistemin aktual të "drejtësisë' si garancinë e fundit për të shpëtuar korrupsionin nga ndëshkimi.
Një ndër piketat më të forta të fushatës së se majtës ka qënë zbardhja e Gërdecit, 21 Janarit, abuzimit me Rrugën e Kombit. Si e verësoni ju punën e drejtësisë deri në tani?
Këto janë çështje që jo thjesht duhen rihapur, por që duhen zbardhur deri në fund. 21 Janari ishte krimi politik i organizuar nga qeveria Berisha që u motivua nga paracaktimi kryeministror për ta kthyer protestën e opozitës në 'grusht shteti'. Mbrojtja e pushtetit e jo mbrojtja e shtetit vrau 4 vetë. Frymëzuesit e këtij akti kriminal antiqytetar e antishtetëror s’janë përballur me drejtësinë. Që do të thotë se nuk kemi dalë akoma nga faza e dështimit të drejtësisë.
Të afërmit e viktimave vënë gishtin mbi Berishën si urdhëruesin e vrasjes së 21 janarit. Mendoni se duhet të përgjigjet ai para drejtësisë dhe për të ligji të veprojë si për qytetarët e tjerë?
Berisha ka menduar se përderisa e shpëtoi drejtësisë për ’97-ën mund të bëjë ç’të dojë më këtë vend e me këtë popull. Por kohët po ndryshojnë. Integrimi europian dhe euroatlantik i Shqipërisë do të japë frutet e veta edhe në drejtim të vënies së drejtësisë. Shokët rajonalë të Bersihës po ndëshkohen. Bota demokratike po kërkon shkëputjen e politikës nga krimi. Shembujt e Italisë, Kroacisë, Rumanisë etj nuk mund të mos ndiqen edhe në Shqipëri. Presioni për drejtësi nga jashtë duhet përshëndetur. Sekretari Kerry nuk flet në mungesë të shpresës.
Shkrimi u publikua sot (04.02.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)
Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)