Zëvendëskryemistrja Albana Koçiu tha se narrativa politike që përdor opozita, nuk i shërben Shqipërisë dhe procesit të integrimit. Koçiu ndëras foli për arritjet e Shqipërisë drejt integrimit në BE, tha se opozita po dezinformon dhe po përdor si armë politike fjali të marra nga raportet e të shkëputura nga konteksti.

“Ka debate politike që bëjnë për zhurmë dhe të tjera që shërbejnë për të sqaruar të vërtetat. Kur flasim për integrimin në BE, nuk flasim për fatin e një partie politike, as për interesin e një qeverie, por për drejtimin historik të Shqipërisë, për standardin evropian që kemi zgjedhur prej kohësh.

Edhe pse bëhet fjalë për një çështje të rëndësishme, më vjen keq që edhe raportet më serioze ndërkombëtare tentohen të përdoren si materiale propagandistike. Në fund krijohet ideja sikur Shqipëria është një vend pa arritje. Realiteti matet me fakte, rezultate dhe besueshmëri ndërkombëtare. Negociatat janë hapur, kapitujt po ecin me ritëm. Kjo nuk është një arritje e zakonshme, është ndryshim gjeopolitik dhe institucional.

Vetëm disa vite më parë, Shqipëria përmendej si një vend që ende dilte nga tranzicioni. Vendi ka bërë reforma të vështira, janë marrë vendime që shpesh kanë pasur kosto politike. Raportet përmendin edhe çështje që kërkojnë vëmendje; kërkohen më shumë rezultate dhe kjo është normale. BE nuk është një klub, është një familje shtetesh ku hyn vetëm nëse provon se je i aftë të ndërtosh drejtësi funksionale dhe standarde politike.

Është shumë e lehtë të marrësh një fjali, ta shkëpusësh nga konteksti dhe ta përdorësh si armë politike. Përgjegjësia jonë është të themi të vërtetën. Shqipëria është sot më afër Evropës se kurrë më parë. Evropa nuk na kërkon të biem dakord për gjithçka, por pret që ne të sillemi si shtet serioz, që konfliktin politik të mos e kthejmë kundër Shqipërisë. Integrimi evropian nuk mund të ecë me politikën e djegies së urave të komunikimit, as duke e nxirë Shqipërinë në çdo tryezë ndërkombëtare. Dëmi i bëhet Shqipërisë, jo qeverisë’, tha Koçiu.


Lajmi kryesor:

LIVE TV- Kuvendi në seancë maratonë për integrimin! PD: Bllokuat procesin me mbrojtjen për Ballukun! PS: Anëtarësimi brenda 2030, objektiv i arritshëm