Komisionerja e BE për Zgjerimin, Marta Kos ka vlerësuar përparimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në rrugën e integrimit europian. Kos mbërriti në Sllovaki për një takim ministror të grupit joformal “Miqtë e Ballkanit Perëndimor”, i organizuar në Bratislavë.

“A mund ta imagjinoni? Nga viti 2009, BE ka filluar punën për një traktat të ri pranimi, për Malin e Zi. Me Shqipërinë, ne kemi hapur të gjitha grupkapitujt e negociatave, dhe shpresoj të ecim përpara për t’i mbyllur sa më shpejt që të jetë e mundur. Maqedonia e Veriut po ecën mirë me reformat, por ambicia jonë është për gjithë rajonin, të gjitha vendet të bëhen vende anëtare me të drejta të plota dhe me përgjegjësi të plota në BE, bazuar në linjëzim të plotë me ligjet dhe vlerat europiane. Dua ta them, duam ta bëjmë këtë ambicie realitet, dhe po, zgjerimi po ndodh!”, tha ajo.

Synimi i Kos është të bëjë që të ecin paralelisht marrja e presidencës nga Sllovakia në gjysmën e parë të 2030 me përfundimin e mandatit të saj. Por në mbyllje të tij, Kos synon që vendet aspirante, mes të cilave është edhe Shqipëria, të arrijnë të mbyllin negociatat dhe të anëtarësohen.

“Dua të hedh një sy në të ardhmen. Sllovakia merr Presidencën e BE, në gjysmën e parë të 2030. Mandati im mbaron pikërisht në atë kohë. Duhet të punoj fort që deri atëherë Presidenca juaj të jetë e suksesshme. Por gjysma e parë e 2030 do të jetë një moment i rëndësishëm për zgjerimin, disa vende kandidate kanë caktuar ambicie të forta për të mbyllur negociatat dhe për t’u anëtarësuar. Pra, me fillimin e dekadës së re, në 2030, duket të jetë një pikë kthese për BE dhe ju do e udhëhiqni atë moment”, theksoi Kos.

Për këtë, ajo nënvizoi rëndësinë e realizimit të reformave. Ndërkohë kujtojmë që Shqipëria ka si ambice mbylljen e negociatave dhe anëtarësimin e plotë deri në 2030.