Pas vizitës në QSUT ku u gjend pranë disa prej policëve të lënduar gjatë protestës së PD, ministrja e Brendshme Albana Koçiu ka ndarë një reagim edhe në rrjetet sociale.

Ajo ka publikuar emrat dhe moshën e efektivëve të lënduar ku më i riu është 21 vjeç. Koçiu ka dënuar fort dhunën ndaj policisë duke thënë se ata që i kanë goditur nuk janë protestues, por kriminelë të organizuar. Ministrja thotë se kjo është një tentativë vrasjeje, ndërsa ka kërkuar reagim të fortë nga institucionet ligjzbatuese

“Në shërbimin e Djegie-Plastikës në QSUNT, pranë punonjësve të Policisë së Shtetit që mbetën të plagosur nga molotovët e hedhur në mënyrë barbare drejt tyre.

Ledio 26 vjeç, Kreshniku 38, Enesi 21, Klevi 27, Bledari 27. Kundër tyre e kolegëve të tyre u përdorën molotovë, bomba artizanale të mbushura me lëndë djegëse, gurë, çdo gjë me të vetmin qëllim për goditur e dhunuar ata që janë në krye të detyrës.

Dua ta them qartë! Ata që goditën punonjësit e Policisë nuk janë protestues. Ata janë kriminelë të organizuar. Kur godet me të tilla mjete e bën duke e ditur se pasojat mund të jenë shumë, shumë të rënda.

Kjo nuk është protestë, këto nuk janë përplasje. Kjo quhet tentativë vrasjeje.

Pres nga institucionet ligjzbatuese të reagojnë fort ndaj kësaj sjellje të përsëritur të dhunës nga disa element kriminal të nxitur nga persona me imunitet që inkurajojnë dhunën”, shkruan ministrja krah videos.


Lajmi kryesor:

Sulmi ndaj policëve/ Koçiu pas protestës së PD: Kriminelë të organizuar, akt barbar! Braçe: Përpjekje për të vrarë shërbyesit e shtetit