FIER - Ndeshja e futbollit të femrave mes Apolonisë dhe Gramshit (1-0) e zhvilluar të mërkurën në aneksin e stadiumit "Loni Papuçiu" në Fier degjeneroi në presion, prekje fizike dhe kërcënime.
Nuk kishte si të ndodhte ndryshe dhe protagonistë ishin zyrtarët meshkuj të Apolonisë, presidenti Koço Kokëdhima dhe trajneri Maringlen Kule. Gjithçka ndodhi pas minutës së 65-të, kur gjyqtari Dorjan Maletaj akordoi faull jashtë zone në dëm të Apolonisë dhe karton të kuq për mbrojtësen vendase, Xhulia Xhindole.
Kaq mjaftoi që trajneri i Apolonisë së vajzave, Maringlen Kule të lëshonte me "breshëri" një grumbull të sharash dhe ofendimesh në drejtim të arbitrit dhe si të mos mjaftonte kjo ai u fut në fushë, por u ndalua nga futbollistet vendase, para se t'i tregohej kartoni i kuq.

Veç tij, edhe një tjetër anëtar i stafit fierak u fut në fushë dhe me shumë zell kërcënoi arbitrin dhe dy asistentet. Pas këtyre ishte radha e Koço Kokëdhimës, presidentit të Apolonisë.
Ky i fundit ushtroi presion ndaj arbitrit, madje shkoi deri aty sa i tregoi rregulloren, e preku dhe e shtyu këtë të fundit. Skandali vijoi kur në pamjet e siguruara nga Report Tv dëgjohen "lumë të sharash" edhe nga Koço Kokëdhima, që i thotë arbitrit "jepe në tavolinë, bq m***".
Ndërkohë duket se siguria dhe policia mungojnë për këtë ndeshje, me të pranishmit që thonë se policia është duke mbërritur pasi u ndërrua turni.
Me ndeshjen e ndalur dukshëm për shkak të tensionit dhe mungesës së policisë, Koço Kokëdhima zbret sërish në fushë dhe i drejtohet sërish arbitrit. Për minuta të tëra Maletaj vuan presionin, dhunën verbale dhe kërcënimet, ndërsa të sharat duket se ulin intensitetin. Pas skandalit policia ka vendosur nën hetim presidentin e Apolonisë, Koço Kokëdhima; për veprën penale "Veprime të dhunshme në aktivitete sportive".
Në fund gara vijoi dhe Apolonia mbrojti rezultatin 1-0 që ishte vendosur që në pjesën e parë. Pas javës së 14-të, kampionati kryesohet nga Vllaznia me 36 pikë, ndjekur nga Gramshi me 34 pikë dhe Apolonia me 33 pikë.
Policia e Fierit ka referuar në Prokurori një procedim penal për presidentin e Apolonisë, Koço Kokëdhima. Ky i fundit së bashku me zyrtarë të tjerë të Apolonisë kanë ushtruar dhunë psikologjike dhe kanë arritur deri në prekje fizike kundrejt arbitrit Dorjan Maletaj, në ndeshjen Apolonia 1-0 Gramshi, e vlefshme për javën e 14-të në Superligën e futbollit për femra.
"Specialistët e Komisariatit të Policisë Fier referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin K. K., 65 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë President i “FK Apolonia”, për femra, për veprën penale "Veprime të dhunshme në aktivitete sportive", pasi ditën e djeshme, gjatë zhvillimit të ndeshjes së futbollit FK Apolonia-FK Gramshi, ky shtetas ka hyrë në fushë, në stadiumin "Loni Papuçiu” dhe ka debatuar e shtyrë me duar arbitrin e ndeshjes, shtetasin D. M.", bëjnë me dije Blutë e Fierit.
Në njoftimin e policisë bie në sy se për personin tjetër të stafit të fierakëve që futet në fushë dhe kërcënon arbitrin nuk ka asnjë masë.
Komente

