Koço Tashko, Kujtimet për grupin
komunist të Zjarrit i krijuar në Athinë 

Koço Tashko, Kujtimet për grupin<br />komunist të Zjarrit i krijuar në Athinë 
Në vitin 1948-1954, Koço Tashko nji prej eksponëntëve kryesorë të Partisë Komuniste Shqiptarë, që vinte nga grupi komunist i  Korçës, shkruan një varg kujtimesh mbi lëvizjen komuniste në Shqipëri, krijimin e grupeve të para komuniste, historikun dhe aktivitetin e seicilit prej tyre, kujtime nga njohjet personale me shumë figura të rëndësishme në historinë e kësaj partie, personazhe që Koço Tashko i njihte nga afër.
Këto kujtime që ruhen në AQSH, janë shkruar, me shumë gjasa pas një kërkese që u ishte drejtuar shumë prej anëtarëve të Partisë Komuniste, ndërkohë që po bëheshin përgatitjet për të shkruar historinë e kësaj partie.
Nga këto kujtime, ne kemi veçuar sot për lexuesit tanë shënimet e tij për grupin e Zjarrit i krijuar në Athinë në vitin 1935 nën drejtimin e Pavllo Rexhos. Ky grup dhe anëtarët e tij që më vonë në partinë komunistë quheshin “Zjarrista” ishin në pozita kritike gjatë viteve të luftës kur Enver Hoxha dhe krerët komunistë nisën luftën kundër grupazheve. Kujtimet e shkruara nga Koço Tashko për grupin e Zjarrit i sjellim të plota sipas origjinalit që ruhet në AQSH, së bashku me faksimilet e dokumentit…  
 
GRUPI I ZJARIT
Grupi i Athinës. Në vitin 1935 në Athinë të Greqisë me punëtorë dhe studenta shqiptarë qe formuar një grup ilegal nën drejtimin e Pavllo Rexhos, punëtor në Athinë. Pavlloa qe A.P. Komuniste Greke dhe mirte udhëzime prej saj. Në këtë grup bënin ojesë këta shokë: Vasil Konomi, sot Ministër Fuqiplotë në Sofie, Grigor Daiu, sot mjek këtu, Llambi Kutra, punëtor, sot në Sindikatat, Grigor Konomi, sot mjek në Ushtrinë popullore, Llambi Kondakshiu, agronom nga Sarakati i Delvinës, Koço Dilua, sot avokat në Tiranë, jo me qëndrim të mirë, Nonda Papuli, avokat dhe sot në Gjykatën e Naltë Ushtarake, Piro Papalilua, farmacist vdekur në internim prej gjermanëve etjerë.

Grupi si qëllime kryesore ka caktuar këto: të përgatisij politikisht elementat shqiptarë që ndodheshin në Athinë si studenta ose punëtorë, që kur të kthehen në Shqipëri të jenë kuadro përparimtare, të luftojë influencat fashiste në radhët e tyre si nga ana e regjimit grek ashtu edhe nga ay shqiptar dhe të luftojë aktivitetin e shoqatave Vorio-Epirote, organe të imperializmit grek, në radhët e së cilës grupi ka pasë krijuar një fraksion (më konkret agjenture); me anën e së cilës informoheshe mbi aktivitetin e saj. Në bashkëpunim me Partinë K. Greke ka formuar një shoqëri sportive të studentëve shqiptarë me emër “Aitidhefs”, ku morën pjesë reth 40 veta. Njëkohësisht grupi mbante lidhje edhe me grupin e Francës edhe nëpërmjet P.K.Greke, avanconte për në Shqipëri materialin propagandistik që vinte prej France. Kur më 1936 kaloj nga Atgina shoku Ali Kelmendi ay pëlqeu dhe inkurajoi punën e grupit.

Vajtja e Andrea Zisit në Athinë – përpjekjet e para të tij. Andrea Zisi vajti për herë të parë në Athinë më 1933, mbasi u përjashtua nga shkolla Normale e Vellas-Janinë. Gjat kohës që ka qenë në Vella Andrea Zisi ishte një tip romantik që kërkonte aventura, i izoluar nga shokët e tij të tjerë dhe i aftë sidomos për intriga dhe punë spiunazhi. Në tetor 1933 në shkollë u bë një demostratë kundra Drejtorisë së shkollës për çështjen e bukës dhe të masave të tjera kufizimi që merreshin kundra nxënësve. Një nga elementat propagandistë të kësaj ishte edhe Andrea Zisi. Pas kësaj, ky u përjashtua nga shkolla dhe prej andej vajti në Athinë. Deri në vitin 1935 në Athinë Andrea Zisi nuk ka treguar asnjë aktivitet revolucionar, por as edhe ndonjë qëndrushmëni politike dhe karakteri. Kështu ky atëhere paraqitet her si nacionalist shqiptar her si Vorio-Epirot dhe her si komunist.
 
Nga fundi i 1935 Andrea Zisi krijoi lidhje me Niko Plakun, nga Korça profesor në shkollën e Evepidhon (oficerave). Niko Plaku në atë kohë qe eksponent i trockizmit jo vetëm për Greqinë, por edhe për shtetet e tjera të Ballkanit. Në luftën e Spanjës ay vajti në Spanjë, ku në bashkëpunim me fallangjistat organizuan kryengritjen e Varqellonës kundra Ushtrisë N.Çl. spanjolle. Atje u kap dhe u dënua me vdekje, por shpëtoi nga trupat fallangjiste dhe u largua për në Francë. Mbas këtyre lidhjeve Andrea Zisi filloi t’aktivizohet si element revolucionar.

Në pranverën e 1936 ky me një grusht shokësh të tij, midis të cilëve Raqi Katundi prej Korçe, student në konservatorium, Vangjel Skprapari, sot llogaritar në B.P. Koop. Tregëtare u mblodhën në Likabete të Athinës, ku shpallën formimin e P.K.SH. Mbas kësaj Andrea Zisi, duke përpilluar një listë fallco me emra të ndryshme dhe emra të shokëve të grupit edukativë të Pavllo Rexhos, u paraqit tek Porfirojenis gjoja nga ana e gjith këtyre elementevet dhe i kërkoi ndihmën e P.K.Greke për formimin e P.K.SH. dhe për ndjerjen e një buletini në shtypshkronjën ilegale të Rizospastis.
Porfirogjeni nuk e besoi dhe kërkoi që kjo të konfirmohet edhe nga ana e Pavllo Rexhos. Kur Pavllua u njoftua për këtë gjë, ay refuzoi, por Porfirogjenis duke kujtuar se kjo s’ishte veç se një mos marëveshje midis dy grupeve që në fakt dilte se egzistonin, i drejtoi që të dy tek Nefeludhis, që ishte atëhere sekretar organizativ i P.K.Greke. Nefeludhis nuk u dha ndonjë zgjidhje por e la që çështja të shqyrtohet në një mbledhje të përbashkët të të dyja grupevet, por e cila nuk u bë dot për shkak se erdhi në fuqi diktatura e Metaxait.

Me gjithëse kjo gjë nuk mori ndonjë zgjidhje, për Andrea Zisin vlejti si një mjet për të forcuar pozitën e tij. Andrea Zisi tani paraqitej si element që është njohur prej P.K.Greke si themelues i P.K.SH.; por që rethanat nuk e lejuan që kjo të konkretizohej më tepër.
Ardhja e Andrea Zisit në Shqipëri 1937. Më 1937 Andrea Zisi, pa patur gjë pas tij, por mbasi bëri një vulë të P.K.SH. dhe disa bileta kuotizacioni (shif raportin e grupit të Korçës) erdhi në Shqipëri, duke u paraqitur si i deleguar i P.K.SH. që qe formuar gjoja në Greqi dhe si i zhveshur me kompetenca për shkrirjen e grupeve dhe individëve komunistë në P.K.SH.

Në fillim Andrea Zisi erdhi në kontakt me Niko Xoxin dhe më von me grupin e Korçës, duke dashur gjoja që t’i pajtojë, por në fakt i imponoi grupit të Korçës vijën e tij antimarxiste. Mbasi kjo i dështoi, ay filloi të lëvizi lart e poshtë Shqipërisë me qëllim që të rekrutojë shokë, dhe të gjejë mënyra për të hedhur në kurth shokët e grupit të Athinës. Andrea Zisi kur erdhi në Shqipëri e pa se tereni nuk ishte i përshtatëshëm për dallaverat e tij dhe për këtë shkak gjith shpresën e tij e mbështeti në grupin e Athinës.
Për këtë qëllim në dimër të 1938 me anë të Raqi Katundit, nga Korça që ishte dora e djathtë e tij, i dërgoi grupit të Athinës një letër ku e njoftonte se në Shqipëri po pregatitej konferenca e parë për themelimin e Partisë dhe se grupi i Athinës duhej të dërgonte një ose dy delegatë të tij. Letra ishte anonime, por me gjith këtë grupi dha besim dhe në qoftë se s’dërgoj njeri, ishte vetëm se mungonin fonde. Që atëhere grupi i Athinës mbeti me përshtypjen e formimit të Partisë në Shqipëri.

Mba një muaj e gjysëm grupit të Athinës i vete nga Shqipërija një ekzemplar i gazetës “Burimi”. Gazeta njoftonte formimin e Partisë me në krye Zjarin dhe në një artikull të saj goditëte grupin e Athinës gjoja si grup llafazanësh dhe njerzish të kafeneve. Në numurin e dytë “Burimi” në kryeartikullin, i bënte një elozh patriotit të shquar Etehem Totos. Kjo shqetësoi elementat e grupit t’Athinës që me të dyja ekzemplaret u paraqit në P.K. Greke, duke kërkuar që kjo ta informojë mbi çka po ngjet në Shqipëri. Shokët grekë u thanë shokëve të grupit se në Shqipëri diçka u krijua dhe në rast se sot udhëheqja nuk ishte e mirë këtë do ta korigjoni përsëri juve. Si përfundim i këshilluan që t’aderojnë në partinë e krijuar. Kjo qe e mjaft për elementat e grupit që ata të binden për formimin e Partis së Zharit në Shqipëri. Planet e Andrea Zisit duallën me sukses.
(Shënim: për gazetën “Burimi” nuk është e kjartë në se dilte këtu apo në Athinë. Ka shumë posibilitet që të dilte edhe atje me ndihmën e troskistëve të Athinës).

Mbasi mbaroj gjith këtë punë, Andrea Zisi, nga fillimi i 1939, vajti përsëri në Athinë, por kësaj radhe jo me pozitat e më parëshme por si i deleguar i P.K.SH. që gjoja qe formuar në Shqipëri. Andrea Zisi paraqitej tani përpara grupit me kompetenca dhe autoritet. Por nuk mundi që të imponohet plotësisht, mbasi hasi në rezistencë nga pjesa më e shëndoshë e grupit. E gjithë puna e Andrea Zisit gjat kësaj kohe ka qenë një punë sabotimi. Andrea Zisi u përpoq të sabotojë protestën e grupit me rastin e okupacionit të Shqipërisë prej Italisë si edhe regjistrimin e vullnetarëve për të ardhur në Shqipëri për të luftuar kundra okupatorit italian. Parulla e tij kryesore ishte kjo: s’ka se pse të luftojnë kundra fashizmit italian për të mbrojtur fashizmin nga Zogu; që të dy njësoj janë. Kjo propagandë e tij ka patur efekte, mbasi nga të gjithë sa u pregatitën për të ardhur në Shqipëri u nisën vetëm tre veta.

Ardhja për së dyti e Andrea Zisit në Shqipëri 1940 – ngritja e organizatës Zjari në Shqipëri. – Andrea Zisi për të dytën herë ka ardhur në Shqipëri më 1940. Me punën dhe intrigat e tij, ay kishte siguruar nënshtrimin e grupit të Athinës në vijën e tij. Në fakt të gjith sa vinin nga Athina më vonë aderonin në grupin e Zjarit që e dinin si P.K.SH. Prandaj ju vu punës për të ngritur edhe këtu organizatën e tij.
Në fillim Andrea Zisi ngriti Komitetin e tij Qendror në Korçë me Fetah Butkën, bej dhe sot në burg; Raqi Katundin, Vandush Trikupin, sot profesor në Liceun e Korçës dhe vet. Pas kësaj në fund të 1940 fillim 1941, erdhi në Tiranë, për të ngritur edhe këtu organizatën e tij të cilën e formoi me këta shokë:

1) Vasil Konomi, që më 1940 është kthyer nga Athina dhe ish pjesëtar i grupit të Athinës.
2) Anastas Plasari, redaktor i revistës “Bujqësija” dhe mbas çlirimit me profesion këpuctar.
3) Spiro Koleka.
4) Selim Shpuza nga Shkodra, sot këtu në Tiranë.
5) Uan Filipi, universitar në Itali, nëpunës më von i pushkatuar si ballist.
6) Zenel Hekali, profesor, sot jashtë partisë.

Më von me këta u shtua edhe Andrea Varfi, Nazmi Batalli nëpunës dhe sot major, Pavllo Rexhua që qe kthyer nga Athina si dhe Hysni Lepenica, që qe futur si agjent i Ballit.
Më von organizatën në fjalë Andrea Zisi e cilësoi si Komitet Qarkor. Sejcili nga këta anëtarë të komitetit kishte në lidhje dhe treshet e tij.
Po në këtë kohë Andrea Zisi ngriti edhe organizatën ose komitetin e tij në Vlorë. Këtu merrnin pjesë këta shokë:
1. Niazi Bocari (Dane), student universitar dhe sot jashtë radhëve të partisë.

2. Spiro Pano, mësues sot Ministër i Industrisë.
3. Mafuz Laze, i grupit të Korçës, por që llogaritej edhe prej Zjarit si element i tij.
4. Grigor Konomi, i grupit të Athinës, ish student mjekësie dhe sot mjek në U. Popullore.
5) Grigor Daiu, i grupit të Athinës, ish student Mjekësie dhe sot mjek në U. Popullore.
6) Naun Bezhani, mësues sot A.P. Veç këtyre krerëve kishte dhe disa të tjerë. Edhe këta për pak kohë Andrea Zisi i cilësoi në Komitet Qarkor.
Përveç këtyre dy qendrave të mëdhaja, Vlora, Tirana, Zjari ka pasur edhe një bazë të dorës së dytë në Korçë dhe delegatë nëpër qarqet e tjera.
Struktura organizative e grupit. Në të vërtetë grupi ka patur një formë të përcaktuar organizimi dhe format që donin të aplikonin nuk i respektonte vetë udhëheqësi i grupit, Andrea Zisi. Format organizative ishin treshe, të cilat mvareshin drejtoheshin prej anëtarëve të Komitetit Qarkor. Por ajo që aplikohesh më zakonisht nga ana e Andrea Zisit ishin lidhjet personale.

Andrea Zisi nuk respektonte forumet që vetë ay krijonte. Ay po në qytetet ku kishte komitete mbante edhe elementa të tjerë në lidhje personale jashtë këtyre komiteteve. Veç asaj, pozitën e çdo shoku e caktonte simbas qejfit të tij personal. Kur mërzitej me ndonjërin e linte mënj’anë dhe kapte një tjetër, të cilit i jepte përshtypjen e elementit të favorizuar dhe të anëtarit të Komitetit Qendror ose Qarkor.
Mbledhjet e tresheve bëheshin zakonisht ditën dhe duke shëtitur gjoja për t’u mos ekspozuar. Gjat mbledhjeve gjërat që diskutoheshin ishin pjesë të shkëputura teorike për edukimin teorik, situata politike, direktivat e reja dhe sidomos lufta kundra grupeve të tjera. Grupi s’kishte asnjë ndarje pune as me rinin, as me gruan as me punëtorët. Kritika dhe autokritika mungonin.

Në lidhje me shtimin e anëtarëve të tij, grupi kishte si parim që të kapej mbas elementit me influencë në fshat dhe në qytet. Kjo formulohej nën pretekstin e mos dekonspirimit dhe të marjes së kalas nga brenda. Prandaj Andrea Zisi kidhte dhe parullën se elementat e grupit mund të bëheshin edhe federala, mjaft që të jepte urdhër grupi.
Në vijën e tij politike grupi ishte gjithashtu i gabuar. Me teorinë e tij të ruajtjes së kuadrit dhe të marrjes së kalas nga brenda, në realitet predikonte kompromizin me okupatorin. Në vend që të luftojë okupatorin, ay hidhte parullën që të gjithë elementat e tij të shkrihen në aparatin policor dhe administrativ të okupatorit.
 
Aktiviteti politik i grupit
– Nuk ka ndonjë aktivitet politik. E gjith puna e tij kufizohej në pregatitjen dhe zhvillimin e kuadrove, gjë që karakterizohej si një akt revolucionar, në përkthimin e disa broshurave, në hedhjen e një trakti më 1 maj 1941 në Tiranë edhe në Vlorë, ku bënte thirje për luftë “kundra kapitalizmit” dhe në shkruarjen në muret e Ujit të Ftohët të Vlorës të disa drapërve e çekanëve.
Marrëveshja e Andrea Zisit me Mustafa Krujën, dimër 1941. Kjo u bë me ndërmjetësin e Qazim Koculit. Qazimi, duke njohur Zenel Hekalin si komunist, i propozoi që grupi që ay përfaqësonte të bashkëpunoi me qeverinë e Mustafa Krujës, i cili sipas tij kishte për qëllim të organizonte një ushtri kundra italianëve. Zenel Hekali ja parashtroi këtë propozim Andrea Zisit, i cili mblodhi t’ashtuquajturën Komitet Qendror, që përbëhej nga Andrea Zisi, Vasil Konomi, Zenel Hekali, dhe Anastas Plasari dhe parashtroi iden e një kompromisi me Mustafa Krujën, i cili mirte si angazhim nga ana e tij që të mos luftojë grupin dhe të lirojë nga burgu anëtarët e tij (në fakt grupi s’kishte asnjë të burgosur). Nga ana e grupit do të mereshin angazhime që të mos luftohej qeveria e Mustafa Krujës.

Mbledhja e dënoi këtë propozim. Atëhere Andrea Zisi pa dijenin e anëtarëve të Komitetit Qendror i vazhdoi kontaktet e tij me Mustafa Krujën, duke përdorur për këtë punë edhe Uan Filipin dhe Selim Shpuzën, që me inisiativën e tij i ka kooptuar edhe këta në Komitetin Qendror dhe përfundoi kompromizin me Mustafa Krujën. Në fillim të 1942, ay mblodhi përsëri Komitetin Qendror dhe i komunikoi marrëveshjen me Mustafa Krujën dhe angazhimet e maruna. Mbledhja dënoi përsëri kompromizin dhe përjashtoi Andrea Zisin, duke e zëvendësuar me Anastas Plasarin. Mbas kësaj, elementat e grupit filluan përpjekjet për t’u lidhur me Partinë. Nën presionin e luftës në radhët e tyre filloi diferencimi. Elementi i deklaruar si armik si p.sh. Andrea Zisi, Uan Filipi, fetah Butka, Hysni Lepenica u lidhën me okupatorin, një pjesë tjetër që lëkundej mbeti jashtë partisë, dhe elementi i shëndoshë u lidh me partinë. Marrëveshja për shkrirjen e grupit pa kondita u bë në Pezë në janar të 1943 por edhe nga ky element një pjesë më vonë rezultoj jo i shëndoshë dhe me gjith se në parti, bënte punë antipartie dhe mbante lidhje edhe me Ballin si p.sh. Koço Jakova, Vangjel Trikupi, Nuçi Bogadini, Reshit Qafzezi etj.
 
Qëndrimi i grupit të Zjarit karshi grupeve të tjera dhe partisë
Grupi i Zjarit u ndodh në një luftë të ashpër kundra grupeve të tjerë dhe më von kundra partisë, të cilën me urrejtje e quante “K.A.K.” d.m.th. klika anarqiste korçare. Partis i atribuonte të gjitha dobësitë e grupeve të tjera, sidomos të Shkodrës dhe të Rinjve si p.sh. vjedhjet e tjera. Zjari reklamonte se vetëm ay ishte Partia e vërtetë Komuniste dhe të gjitha organizatat e tjera janë antiparti. Këtë pretendim të tij përpiqej ta përforcojë edhe me pasjen e vulës.


Redaksia online
a.n shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

VIDEO/ Armando Broja luan 70 minuta me Everton, futet në fushë dhe bën protagonistin

VIDEO/ Armando Broja luan 70 minuta me Everton, futet në fushë dhe bën protagonistin