TIRANË - Ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli, deklaroi te enjten se rajoni i Ballkanit duhet të jetë i bashkuar përballë ndasive fetare dhe rracore, pasi vetëm kështu mund të përballet me rreziqet që i kanosen.

E pranishme në Konferencën e Këshillit të Atlantikut mbi "Situatën e Sigurisë në Europë dhe sfidat e kërcënimet ndaj saj", ministrja Kodheli theksoi se Aleanca e NATO-s gjatë dy viteve të fundit po përballet me rreziqe të vjetra dhe të reja, të cilat vinë kryesisht nga lindja dhe jugu.

"Të gjithë e dimë që ISIS nga njëra anë dhe Rusia nga krahu tjetër janë dy çështje delikate, pasi janë kthyer burim tensioni në Europë. Rusia, shtoi Kodheli është një fuçi baruti për Europën dhe një rrezik konstant për rajonin e Ballkanit Perëndimor, si një rajon me ndasi të theksuara racore dhe fetare, të cilat duhet ti tejkalojmë për ti bërë ballë këtyre rreziqeve",vijoi ajo.

Sipas Ministres së Mbrojtjes, sot rajoni i Ballkanit perëndimor është i ndarë në disa grupe. "Kemi Kroacinë dhe Slloveninë të cilat janë pjesë e Bashkimit Europian dhe NATO dhe janë një element i mirë për tu mbështetur në të ardhmen tonë. Vendi ynë është anëtar me të drejta të plota në NATO, teksa po punon për të qenë pjesë edhe e BE-së.

Mali i Zi është duke punuar të jetë pjesë e NATO-s dhe për këtë urojmë që ky vit të jetë i duhuri, ndërsa Maqedonia, Kosova dhe Bosnja janë ende pas në këtë proces dhe po punohet të kapin ritimin.

Por, vijoi Ministrja e Mbrojtjes ka vende në Ballkan të cilat përmes partive politika të volga apo të mëdha i japin ende jetë projektit të Rusisë, që e sheh Ballkanin si një shtojcë në strategjinë e saj për të mbërritur në detin Mesdhe dhe këto politika, të cilat nuk dua t'i gjykojë, pasi ç'do vend ka sovranitetin për të zgjedhur udhën e tij, kanë bërë që Presidenti i Rusisë Vladimir Putin të vizitojë kryeqytete të Ballkanit, apo të zhvillojë dhe seanca stërvitore ushtarake në kufi me Kroacinë apo Kosovnë", vazhdoi fjalën e saj Ministrja Kodheli.

Ministrja e Mbrojtjes vuri në dukje se ky rrezik tejkalohet duke ndalur ndasitë që ekzistojnë në Ballkan.

"Ndasitë rraciale, fetare dhe problemet ekonomike janë thelbi mbi të cilat strategjia e Rusisë mbahet në këmbë dhe për këtë popujt e ballkanit duhet të bëhen një e ti luftojnë këto ndasi", vijoi ajo.

Kodheli në këtë kontekst vlerësoi si mjaft të rëndësishëm edhe nismat e Kancelares Gjermane, Angela Merkel, e cila në vitin 2014, organizoi në Gjermani Samitin e Sigurisë, ku ishin të pranishëm jo vetëm Ministrat e Mbrojtjes dhe të Jashtëm të vendeve të Ballkanit, por edhe biznese.

"Në Samit nuk u diskutua vetëm për mënyrën e qasjes së kësaj problematike, por u diskutua dhe me sipërmarrësit, për mënyrën se si qeveritë e Ballkanit dhe sipërmarrësit duhet të luftojnë së bashku për të luftuar problemet ekonomike në rajon, pasi shkaqet ekonomike janë shtysë që shumë individ të bëhen pjesë e konflikteve të armatosura", mbylli fjalën e saj Kodheli.

Lu: Bota e rrezikuar nga forcat ekstremiste.
Gjatë aktivitetit, ku ishin të pranishëm dhe ish-Ministër i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, Kreu i Partisë Social Demokrate, Paskal Milo, Kreu i Këshillit të Sigurisë në Aleancën e NATO-s, Arjan Starova, Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Donald Lu u shpreh se bota është e rrezikuar nga forcat ekstremiste.

Në fjalën e tij, ambasadori amerikan Lu tha se,  "nuk duhet ulur buxheti për sigurinë dhe mbrojtjen". Ai shtoi se,  Rusia dhe forcat ekstremes të ISIS janë rreziku më i madh që i kanosen botës.

Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)