TIRANE, 17 Nëntor/ATSH/- Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, deklaroi të hënën se prioritet në fushën e mbrojtjes jane modernizimi i forcave të armatosura, përmirësimi i infrastrukturës ushtarake, si dhe bashkëpunimi rajonal në kuadër të NATO-s. Sipas Kodhelit, buxheti i ministrisë së Mbrojtjes për vitin 2015 është mbi 12 miliardë lekë. "Do ketë rritje të ndjeshme shpenzimesh, më shumë se 3-fishi i shpenzimeve të këtij viti, do të jenë për operacionet në kuadër të NATO-s, sidomos në zonat e nxehta. Gjithashtu, do të hapet një qëndër rehabilitimi për fëmijët autikë të ushtarakëve me rreth 10 milionë lekë", tha Kodheli. Për vitin 2015 për modernizimin do të shpenzohen 92% të totalit të fondit të investimeve dhe 8% do të shpenzohen për infrastrukturën. Në projektet e modernizimit për vitin 2014, 96% të tyre e zë projekti i blerjes së helikopterëve dhe armatimit përkundrejt 80% që do të zërë në vitin 2015. Në këtë mënyrë është ulur pesha e blerjes së armatimit, duke synuar elementë të tjerë të modernizimit", tha Kodheli./a.gjonaj//a.ke/