Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli në një intervistë për Zërin e Amerikës tha se Shqipëria iu përgjigj menjëherë dhe në një kohë rekord nevojës së kurdëve për mbështetje pas masakrave nga ISIS.

Ministrja Kodheli pranoi se rreziku që vjen nga terrorizmi ka vënë në gatishmëri edhe Shqipërinë si një vend anëtar i NATO-s. Por ministrja Kodheli siguroi se Shqipëria po bën gjithçka për të siguruar qytetarët e saj. "Shqipëria është një vend i NATO-s, dhe të gjithë kufijtë e NATO-s janë të rrezikuar. Ballkani Perëndimor fatkeqësisht është një vend që ka prodhuar ushtarë që shkojnë për të luftuar pa ditur se për kë po e bëjnë. Nuk mund të bëhet diçka e tillë në emër të religjionit apo fesë, nuk mund të ketë masakra për qëllime të tilla. Shqipëria po punon çdo ditë për ta pasur në kontroll sigurinë e qytetarëve tanë. Do bashkëpunojmë me aleatët apo partnerët në NATO që kostot e përgjegjësisë ndaj kësaj organizate të jenë sa më të vogla, në jetë ashtu edhe në kosto monetare", tha Kodheli.

Kodheli u ndal edhe në takimet me Sekretarin e Mbrojtjes së SHBA, Chuck Hagel, ku ky i fundit e cilësoi Shqipërinë si një vend model sa i përket luftës së përbashkët të aleatëve ndërkombëtarë kundër luftës ndaj terrorizmit, konkretisht ndaj radikalëve ekstremistë të ISIS.

Ministrja e Mbrojtjes theksoi se Shqipëria ishte vendi i parë që hapi rrugën kundër ISIS, duke qenë një nga vendet e para që u bënë pjesë të koalicionit ndaj ISIS.

"Në fakt Shqipëria hapi rrugën. Ajo çka sekretari Hagel tha dje është për tu vlerësuar, që edhe një vend i vogël si Shqipëria mund të jetë model. Nuk dihej akoma se si do të veprohej në një kohë që masakra ndaj popullsisë kurde sapo kishte filluar, dhe bëri të nevojshme këtë bashkëpunim të ngushtë. Shqipëria u përgjigj menjëherë dhe në kohë rekord dhe të plotësojë 70-80% të nevojave të popullsisë kurde. Aletatët e tjerë të NATO suportuan Shqipërinë në transportimin e armatimeve," u shpreh Ministrja Kodheli.

Më tej, ajo shtoi se Shqipëria ka nisur nga modernizimi i Forcave të Armatosura dhe se pikërisht modernizimi është në krye të prioriteteve, me qëllim që FA-të shqiptarë të jenë pjesë e operacioneve të përbashkëta me aleatët.

"Kemi filluar modernizimin e Forcave të Armatosura, po ndryshojmë armatimet. Ne jemi gati me strukturat tona të përgjigjemi në misione të përbashkëta paqeruajtëse kudo ku NATO është. Jam personalisht e angazhuar në rritjen dhe gjetjen e mënyrave për sa më humë të ardhura nga buxheti i hsteitt apo burime sekondare në mënyrë që moedrnizimi i forcave tona të armatosura, trajnimi dhe edukimi i ushtarakëve tanë të mudn të sjellë në konkluzione pozitive dhe në këtë mënyrë të vazhdojmë të bëjmë detyrat tona sa fisnike aq edhe kushtetuese brenda për brenda vendit apo në arenën ndërkombëtare", tha Kodheli.