Në një takim me gazetarët e mediave online, ministra e Mbrojtjes Mimi Kodheli ka deklaruar edhe një herë që nuk do të jetë ajo kandidatura e Partisë Socialiste për bashkinë e Tiranës.

Ajo është shprehur se nuk ju rikthehet punëve të cilat i ka bërë dikur. ‘Me Bashkinë e Tiranës i kam mbyllur punët kur dhashë dorëheqjen nga posti i nënkryetares së bashkisë dhe kandidova në zgjedhjet në kuvend përballë Bamir Topit. Nuk e mohoj faktin që Bashkia e Tiranës ka nevojë për një njëri i cili punon fort.’ shprehet Kodheli. 
 
Ajo nuk nguroi të shprehë edhe një herë rezervat e saj në lidhje me mënyrën se si punohet aktualisht në Bashkinë e Tiranës. ‘Mjafton të shikosh pusetat e hapura në të gjithë Tiranën’ është shprehur Kodheli.

E pyetur në lidhje me akuzat e ish kryeministrit Berisha ajo është shprehur se ato e kalojnë cakun e normales. ‘Të thuash për mua që e kam fytyrën të pudrosur me drogë. Po kjo nuk ka ku të shkojë. Imagjino që më njeh shumë mirë se kush jam, njeh prindërit e mi, ai ka ngrënë bukë në shtëpinë time. Por unë besoj që ai arrin deri në këtë pikë pasi ka ndonjë hall të madh’, u shpreh ajo në lidhje me akuzat e Berishës. 
 
Meqenëse pak ditë më parë, kryeministri Rama ka shprehur se mund të jetë një femër në krye të Bashkisë së Tiranës, Kodheli ka deklaruar edhe një herë se nuk do të jetë ajo.
 
Redaksia Online
(o.b/shqiptarja.com)