TIRANË - Rikthehet në detyrë gjenerali Maksim Malaj. Ish-shefi i shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, është emëruar nga ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli në detyrën e Drejtorit të ri të Qendrës Ndërinstitucionale Operacionale Detare në Durrës. Prezantimi i Malajt është bërë gjatë ditës së sotme nga vetë ministja Kodheli.
 
Gjenerali Maksim Malaj, ishte liruar nga ish-Presidenti Bamir Topi nga detyra e Shefit të Shtabit të FA, me propozim të ish-kryeministri Sali Berisha, me arsyetimin e mbarimit të mandatit. Pas tij, në këtë detyrë u emëruar Xhemal Gjunkshi. Por më të ardhur në detyrë presidenti aktual, Bujar Nishani, e kishte kaluar Gjeneral Malajn në rezervë, bashkë me disa drejtues të tjerë madhorë të ushtrisë.
 
KODHELI VIZITË NË KOMANDËN E FORCËS DETARE
Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli ka bërë sot një vizitë në Komandën e Forcës Detare në Durrës. Pas takimit që pati me komandantin e kësaj Force, Gjeneral Brigade, Qemal Shkurti, ministrja Kodheli nëpërmjet një brifingu u njoh me detyrat që kryejnë Forcat Detare, rezultatet e arritura në procesin e zbatimit të tyre, si dhe me problemet dhe kërkesat që ata kanë për rritjen dhe forcimin e mëtejshëm të misionit të tyre kushtetues.
 
Ministrja Kodheli, duke marrë fjalën në takimin me drejtuesit dhe personelin e shtabit të kësaj komande, vlerësoi punën dhe përpjekjet që ata kanë bërë për zbatimin e detyrave funksionale dhe për arritjet e shënuara gjatë vitit që shkoi. Znj. Kodheli u ndal sidomos në luftën që duhet bërë për parandalimin e abuzimeve dhe keqmenaxhimit që janë vërëjetur edhe në strukturat e Forcave Detare. Në këtë kontekst, ajo dha porosi të qarta për rivlerësimin aseteve që disponon kjo Forcë, duke kërkuar njëkohësisht që të bëhen edhe propozime konkrete në mënyrë që të jemi efikas në nivelin 100 për qind, ka thesksuar ministrja Kodheli.
 
Në vijim, ministrja e Mbrojtjes Kodheli, e shoqëruar nga komandanti i Forcës Detare gjeneral brigade Qemal Shkurt, vizitoi Qendrën Ndërinstitucionale Operacionale Detare (QNOD).
 
Ministrja Kodheli u prit nga drejtori i QNOD-s, Shefqet Bruka dhe pa nga afër mjediset e saj. Ajo u informua mbi organizimin dhe funksionimin e kësaj Qendre, si dhe operacionet e zhvilluara që nga krijimi i saj.
 
QNOD ka menaxhuar një numër të madh operacionesh kërkim-shpëtimi në det, operacione vëzhgimi, si dhe operacione kundër peshkimit të paligjshëm. Për ngritjen e këtij institucioni të rëndësishëm kanë kontribuar partnerët tanë strategjik, SHBA, Italia, si dhe shumë aktorë të tjerë.
 
Redaksia online
(ac/shqiptarja.com)