BRUKSEL- Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli gjatë ditës së dytë të zhvillimit të punimeve të Ministerialit të NATO-s në Bruksel, bëri me dije se, Shqipëria do të vazhdojë të jetë e angazhuar në Afganistan edhe pas vitit 2014,si edhe ka theksuar gjithashtu se FA të Shqipërisë janë të angazhuara për të marrë pjesë në stërvitjet e përbashkëta me trupa të NATO-s nga viti 2015 e në vazhdim. Gjatë qëndrimit të saj në Bruksel, Kodheli realizoi një bisedë telefonike nga selia e NATO-s me trupat tanë të dislokuar në Afganistan. Ministrja Kodheli u shprehu atyre mbështetjen e qeverisë dhe të Ministrisë Mbrojtjes për vëmendjen dhe kujdesin e vazhdueshëm që u kushtohet trupave që janë në misione paqeruajtëse, si dhe u uroi atyre suksese në realizimin e detyrave fisnike dhe kthim të shëndoshë në Atdhe.

Gjatë qëndrimit në Bruksel, ministrja e Mbrojtjes, Kodheli zhvilloi një takim me ministrin e Mbrojtjes së Italisë, Mario Mauro, me kërkesë të këtij të fundit. Ai vlerësoi lart bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes midis dy vendeve tona dhe theksoi nevojën për intensifikimin e mëtejshëm të tyre, kryesisht në drejtim të rritjes së kapaciteteve, kontrollit të hapësirës detare dhe në fushën e modernizimit. Ministrja Kodheli ndau të njëjtin mendim me minsitrin italian se, duhen eksploruar edhe fusha të tjera bashkëpunimi si: mbrojtja kibernetike, lufta kundër trafiqeve të paligjshme, demilitarizimin etj.

Duke e falenderuar kolegun italian për ftesën, ministrja Kodheli u shpreh e gatshme për të realizuar një vizitë në Romë në një kohë sa më të shpejtë. Po dje, ministrja e Mbrojtjes Kodheli zhvilloi një takim pune me ministrin e Mbrojtjes së Greqisë, Dimitrios Avramopoulos, me kerkesen e këtij të fundit. Takimi u fokusua në çeshtje të bashkëpunimit dypalësh në fushën e mbrotjes, si dhe në situatën politike në rajonin e Ballkanit. Të dy bashkëbiseduesit ndanë të njëtin mendim se marrëdhëniet mes dy vendeve tona janë në një nivel të shkëlqyer, të bazuar mbi një arkitetkturë të re të bashkëpunimit dypalësh.
 
 Shkrimi u publikua sot (24.10.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)