Ministrat do të duhet të bëjnë më shumë kujdes me sjelljen e tyre, kjo për shkak të ashpërsimit të Kodit të Etikës. Me vendim qeverie, Ministrat nuk lejohen të takojnë vetëm biznesmenë, por në grupe biznesi dhe në prani të 2 nënpunësve publikë.

Po ashtu minutat  e  takimeve, identiteti i personave të përfshirë në këto  takime,  si dhe çështjet  e diskutuara  do të regjistrohen në një regjistër të posaçëm që do të mbahet nga sekretari i përgjithshëm i ministrisë përkatëse.

Ministrat nuk mund të hyjnë në ambiente ku luhen lojëra fati, dhe i lejohet të frekuentojnë bare apo restorante vetëm në ditë festash apo pushimi dhe vetëm në raste të veçanta për arsye pune.

Po ashtu Ministrat nuk mund të pranojnë bileta të paguara nga persona dhe kompani private dhe nuk mund të frekuentojnë bare e restorante gjatë ditëve të punës apo të udhëtojnë me “Bussines Class” brenda Europës, e të  përdorin sallën VIP të aeroportit.

Vëmendje i kushtohet edhe veshjes së tyre, ku në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, apo komisioneve parlamentare, veshja duhet të jetë modeste, mos të bjerë në sy dhe të mos bëhet shkak për polemika. Edhe për arredimin e zyrave kërkohet modesti dhe jo luks.

Dhuratat me vlerë mbi 10 mijë lekë, do të përdoren si dekor për zyrën ose të dorëzohen në kryeministri. Në shtator kryeministri Rama paralajmëroi për një Kod Etik të ashpër

Në rast të shkeljes së këtyre rregullave, ndëshkimi do të jetë kërkimi i ndjesës publike apo edhe lënia e detyrës, kjo në varësi të shkeljes së bërë. Rregullat të miratuara në shtator të vitit të shkuar nga Këshilli i Ministrave kanë hyrë në fuqi këto ditë.

Në fillim të mandatit të trete qeverisës, vetë kryeministri Edi Rama kishte paralajmëruar se qeveria do të nxirrte një “Kod Etike” që do të rregullonte veprimtarine e Ministrave në mënyrë të veçantë.