Nenet që përcaktojnë dënim për fyerje dhe shpifje në draftin e ri të Kodit Penal, duhet të hiqen. Ky është sugjerimi i ardhur nga Departamenti i Gazetarisë në Universitetin e Tiranës dhe Këshilli i Europës, sipas të cilit fyerja dhe shpifja duhet t’i atribuohen Kodit Civil.

 ***

Prezantimi i Draftit të Kodit të ri Penal, në verën e këtij viti shkaktoi një furtunë reagimesh, të shoqëruara me kundërshti të shumta.

Mes tyre dhe komuniteti i gazetarëveka shprehur shqetësimin se dobëson rolin mbikëqyrës të medias dhe dëmton rëndë transparencën në një shtet ligjor funksional.

Në tryezën e dhjetë të grupit të punës që do të japë rekomandimet e saj për dispozitat që prekin direkt punën e gazetarëve, Departamenti i Gazetarisë në Faktultetin e Tiranës si dhe Këshilli i Europës, evidentuan pikat e debatueshme të draftit.

Armand Bode, eksperti ligjor i pajtuar nga Këshilli i Europës, thotë se shpifja dhe fyerja duhet të hiqen tërësisht si pjesë e Kodit Penal.

“Rekomandimi kryesor është që të hiqen nga Kodi Penal dispozitat që parashikojnë shpifjen dhe fyerjen si vepra penale dhe këto çështje të trajtohen vetëm në fushën civile. Kjo është një praktikë e ndjekur nga shumë vende të Këshillit të Europës, ku është vlerësuar se mjafton mbrojtja përmes të drejtës civile, pa qenë nevoja për dënime penale”.

Një tjetër debat i hapur është edhe ndëshkimi penal për ata që fyejnë personat me funksione të larta publike. Propozimi është i njëjtë, heqja gjithashtu.

“Përsa i përket nenit që lidhet me fyerjen ndaj personave që ushtrojnë funksione publike, rekomandimi është i njëjtë: të hiqet kjo dispozitë, sepse bie ndesh me parimin e barazisë para ligjit dhe krijon një mbrojtje të veçantë për zyrtarët, gjë që nuk është në përputhje me standardet e Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut”.

Megjithatë, reputacioni duhet mbrojtur. Për këtë, Bode thotë se duhet punuar më shumë me Kodin Civil në këtë drejtim.

Diskutimet nuk lanë jashtë vëmendjes dhe problemet e vetë mediave. Pedagogu i gazetarisë, Elvin Luku, nuk la pa përmendur tendencën e të bërit gazetari investigative përmes gjobave.

“Sot unë kam informacione që bizneset e mëdha kanë kapital mënjanë për të shlyer gjobat e mediave. Kemi artikuj në median online që publikohen në mëngjes dhe fshihen pasdite, menjëherë pasi janë shlyer dhe janë bërë pagesat. Kemi emisione investigative që bëjnë njoftime në darkë, presin dy javë për të parë reagimin dhe më pas nuk e publikojnë asnjëherë atë investigim që kishin paralajmëruar. Pra, të gjitha këto flasin për një gjuhë shantazhuese”.

Drafti i ri i Kodit Penal pritet të kalojë diskutime të shumta në konsultim publik dhe grupe të tjera, jo vetëm në media.

Në fillim të shtatorit, nenet e propozuara që rrezikojnë të drejtën e fjalës së lirë, u mbrojtën nga Ministria e Drejtësisë dhe drejtori i Shkollës së Magjistraturës, Arben Rakipi.

Ky i fundit, për shpifjen tha se duhet kriminalizuar dhe se gazetarët nuk mund të përjashtoheshin nga ky nen, pasi kjo do të krijonte paragjykimin se ata janë të licencuar për të shpifur.