1762333709_sokolsadushialtindumanibesfortlamallari.jpg

Kreu i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, në takimin konsultues për draftin e Kodit të ri Penal, theksoi se në disa pjesë të projektit ka mospërputhje me Kodin Civil, Kodin e Procedurës Penale dhe ligjet e tjera. Këto raste, theksoi ai, tregojnë mungesë koherence ndërkodike, që cënon integritetin e sistemit dhe zbatimin e unifikuar të ligjit.

“Në disa pjesë të projektit vërehet një përzierje e paqartë midis dispozitave materiale dhe atyre procedurale, si dhe mospërputhje me Kodin Civil, Kodin e Procedurës Penale dhe ligjet e tjera. Disa nene që trajtojnë çështje të natyrës procedurale, si ato për masat mjekësore dhe edukuese ndaj të miturve (nenet 116–120), për lirimin me kusht (nenet 175–176) apo pezullimin e veprimtarisë së personave juridikë (neni 125), duhen rregulluar në Kodin e Procedurës Penale, jo në Kodin Penal. Gjithashtu, neni 546 që parashikon veprën e vetëgjyqësisë përsërit rregullime që tashmë trajtohen nga Kodi Civil, ndërsa neni 539, për mosparaqitjen në seancë gjyqësore, trajton çështje që janë objekt i legjislacionit disiplinor për gjyqtarët, prokurorët dhe avokatët. Po ashtu, përfshirja e disa shkeljeve të Kodit Rrugor si vepra penale krijon dublim normativ dhe e ngarkon pa nevojë sistemin penal.”, u shpreh ai.

.Sipas tij, drafti i ri nuk është i ndërtuar mbi humanizëm por zgjeron ndëshkimin. Ai thotë se edhe pse projekti përfshin elemente pozitive për modernizim, mungon një vizion i qartë për humanizimin e drejtësisë penale.

“Projekti, në vend që të ndërtohet mbi humanizëm, zgjeron logjikën ndëshkuese: neni 72 dhe neni 151 e çojnë burgimin maksimal deri në 45 vjet, duke devijuar nga standardet evropiane dhe duke e kthyer dënimin maksimal në koncept të pafund. Rritja e përgjithshme e dënimeve dhe mungesa e fleksibilitetit në caktimin e tyre rrezikon ta zhvendosë drejtësinë nga humanizmi drejt formësimit mekanik.”, shtoi ai.

Ai argumenton se me rritjen e kufirit maksimal në 45 vjet dhe me shtimin e formulave fikse, projekti e bën sistemin më të ashpër dhe më pak fleksibël. Po ashtu, ai thotë se dënimet për dhunën në familje, të trefishuara në projekt, nuk garantojnë mbrojtje më të mirë, nëse ligji mbetet i paqartë.


Lajmi kryesor:

Takimi për Kodin e ri Penal, Sadushi: Rrezikon ta vështirësojë sistemin penal! I kemi çuar ministrisë 50 faqe vërejtje dhe propozime