
Kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi thotë se Kodi i ri Penal nuk mund të garantojë drejtësi. Sipas tij, projekti aktual, që përfshin mbi 950 nene, të mbingarkuara dhe të paqarta, rrezikon të zhvendosë theksin nga mbrojtja e lirive drejt forcimit të ndërhyrjes shtetërore.
“Edhe pse riafirmon ndalimin e dënimit pa ligj (neni 2), mungon një dispozitë që të përmbledhë filozofinë moderne të së drejtës penale: se ndëshkimi është mjeti i fundit, ndërsa liria është parimi themelor. Vërehet se dispozita kyçe përmbajnë formulime të paqarta, që krijojnë hapësirë për interpretime të ndryshme nga gjykatat, duke cenuar parimin nullum crimen, nulla poena sine lege certa. Në disa dispozita thelbësore, si neni 18 që përkufizon “veprën penale”, ndërthuren në mënyrë të pasaktë elementë materialë me nocione procedurale, duke cenuar qartësinë dhe koherencën e normës; neni 20 e përcakton lidhjen shkakësore përmes shprehjes “probabilitet i lartë”, ndërsa në dispozitat që trajtojnë përgatitjen, tentativën, bashkëpunimin dhe format e fajësisë etj, gjuha e përdorur krijon paqartësi dhe hapësirë për interpretime subjektive. “, tha Sadushi.
Ai kërkon rishikim në dispozitat që lidhen me ndërhyrjet në lirinë e shprehjes dhe të drejtën për informim, duke përmendur nenet 235, 509, 517, 863 dhe 865 të projektit
“Në projekt vërehen gjithashtu dispozita jashtëzakonisht të gjata me mbi dy faqe të formatit A4, si neni 175 për krimet e luftës dhe neni 224 për aktet terroriste, çka përbën një shmangie serioze nga standardet e teknikës legjislative dhe cenon qartësinë e ligjit penal. Një gjuhë përshkruese, në vend të një gjuhe normative, e dobëson funksionin kufizues të ligjit penal dhe rrezikon ta zhvendosë gjykimin nga analiza juridike te perceptimi personal, duke e bërë ligjin më pak të parashikueshëm dhe zbatimin e tij potencialisht arbitrar. Në fushën penale, ku në lojë është liria e njeriut, çdo paqartësi është rrezik, sepse hap rrugë për interpretim ose zbatim me analogji, gjë që është e ndaluar. Prandaj kërkohet një rishikim i kujdesshëm i terminologjisë dhe strukturës së dispozitave, që Kodi të jetë i qartë, i kuptueshëm dhe i parashikueshëm, si një instrument që forcon besimin e qytetarëve te drejtësia.", shton ai.
Lajmi kryesor:
Takimi për Kodin e ri Penal, Sadushi: Rrezikon ta vështirësojë sistemin penal! I kemi çuar ministrisë 50 faqe vërejtje dhe propozime









