Gjykata e Prizrenit ka vendosur që t’i tregojë stafit të saj një sinjalistikë parandaluese më shumë. Bëhet fjalë për mos lejimin e qytetarëve, por as të punjësve që të hyjnë brenda në institucion nëse nuk respektojnë kodin e veshjes.

Posterë me minifunde dhe pantallona të shkurtër, të cilave iu është bërë një kryq (shenja ndaluese) janë vendosur në dyer, pikërisht këto ditë të nxehta verore, kur këto veshje janë më “të zakonshme”.

Administratori i kësaj gjykate, Agron Zylfiu, thotë se kjo ndalesë vlen si për stafin e gjykatës, ashtu edhe për qytetarët që kanë punë në gjykatë. “Kemi pasur raste që edhe punëtoret e gjykatës, nuk kanë pasur kod të veshjes si duhet. Duhet të kemi një kod veshje, duhet ditur se po hyjmë në gjykatë, që është një institucion shumë serioz, e jo të vihet këtu sikurse me dalë në një lokal të thjeshtë”.

“Kur gjykatësit, prokurorët dhe avokatët, përveç rrobave serioze mbajnë edhe uniformat përkatëse gjatë seancave gjyqësore, pse të tjerët nuk janë në gjendje të paktën të vishen ashtu si duhet dhe ta respektojnë këtë institucion”, ka shtuar ai.

Nga praktikat e së kaluarës, ka pasur raste që palët kanë ardhur me veshje jo të duhura në gjykatë. Madje, Zylfiu tregon se ka pasur raste që gjykatësit i kanë detyruar palët që të shkojnë të vishen me rroba më serioze, e pastaj të vijnë në gjykim.
(gm/Shqiptarja.com)