Kompozitori Adi Hila është kontaktuar mbrëmjen e kaluar nga policia, e cila e ka njoftuar se ka nisur një hetim kryesisht lidhur me publikimin e materialeve intime me disa artiste.

Gjatë komunikimit telefonik, Hila ka deklaruar se nuk ndodhet në Tiranë dhe se është i tronditur nga situata e krijuar. Ai ka bërë të ditur se do të paraqitet në polici sapo të kthehet në kryeqytet, për të dhënë deklarimet e tij dhe për të sqaruar versionin e vet lidhur me publikimin e materialeve. Marrja në pyetje pritet të bëhet gjatë ditës së sotme.

Ndërkohë, burime bëjnë me dije se policia ka kontaktuar edhe viktimat, të cilat janë në gjendje të rënduar në lidhje me situatën. Brenda ditës edhe ato pritet të paraqiten në polici për të dhënë deklarime për situatën. Edhe gazetari Elton Tozaj do të merret në pyetje, por në një moment të dytë, pas marrjes se dëshmive të Hilës dhe artisteve të përfshira.

Në vijim Krimi Kibernetik pritet të bëjë një ekspertim të plotë të sistemit të kamerës, përfshirë DVR ku ruhen materialet, për të kuptuar se si kanë rrjedhur te persona të paautorizuar.

Dyshimet paraprake janë për hakerim të sistemit, pasi kamera të tilla kanë sistem jo shumë të sigurt. Mënyra e hakerimit mund të jetë bërë ose nga distanca, ose përmes hyrjes në rrjetin e internetit ëireless të zyrës. Krimi Kibernetik pritet të kontaktojë edhe me faqen pornografike ku janë hedhur materialet, për të gjurmuar përdoruesin që i ka ngarkuar. Po ashtu, po verifikohen faqe të shumta me të njëjtën përmbajtje për të rritur, mbi dyshimet që mund të jenë ngarkuar sërish.