Nëse lexon ndryshimet e propozuara në Kodin e Ri të Procedurës Penale, nuk ka shumë vend për kritikë. Ajo që ka ndodhur në Shqipëri me pushtetin gjithnjë në rritje të drejtësisë kundrejt ekzekutivit, aq sa tanimë gjenden në sfidë thuajse të hapur me njëra-tjetrën, ka qenë prej kohësh mjaftueshëm shqetësuese që të kërkojë një reformim, ndonëse ngre njëkohësisht pyetjen se përse njerëzit iu desh të jetonin kaq gjatë me të.

Megjithatë, kjo nuk i bën ndryshimet e propozuara më pak të nevojshme, ashtu sikurse mosbesimi ndaj qeverisë dhe Kryeministrit Rama nuk duhet ta shndërrojë automatikisht këdo në përkrahës të kapacitetit të sistemit të drejtësisë për t’i keqtrajtuar njerëzit. Por, ajo që meriton më tepër vëmendje dhe që u la disi në harresë nga debati publik, është nëse garancitë e propozuara në këto ndryshime, do të mund të ndryshojnë përvojën me drejtësinë edhe të atyre që ndoshta nuk shpenzojnë dot para për një mbrojtje dinjitoze në sallën e gjyqit. Mund ta përsëritim pafundësisht mantrën e mësuar përmendësh të barazisë para ligjit, por ka edhe një çështje tjetër, shumë më pak solemne dhe ceremoniale se sa ato që u ngritën në sallën ku u prezantuan ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale. Pyetja në këtë rast është, sa kushton kjo barazi?

Në prezantimin e bërë më herët gjatë kësaj jave, u fol se sa e rëndësishme është që avokatët mbrojtës të kenë mjetet dhe mundësitë për të bërë hetimet e tyre, të mbledhin dëshmi dhe të mund të angazhojnë ekspertë sipas nevojës në çështjet e tyre. Janë të gjitha fuqi mjaft kuptimplote që i jepen palës mbrojtëse, por e gjithë dobia e tyre varet, të paktën pjesërisht, nga “negociatat” e të akuzuarit me avokatin e tij.  Dikush që i ka mjetet e nevojshme financiare mund ta pyesë avokatin se çfarë tjetër i nevojitet, duke nënkuptuar këtu garancinë për mbulimin e kostove,  por dikujt tjetër i duhet të bëjë të tjera llogari. Teorikisht, ndryshimet e propozuara iu garantojnë të dyve të njëjtat të drejta, por secili do të hyjë në sallën e gjyqit me cilësi të ndryshme mbrojtjeje, duke rrezikuar që një reformë e cila synon ta vendosë qytetarin në pozita më të barabarta përballë shtetit, të mos ndryshojë pikërisht thelbin e pabarazisë: pamundësinë për të paguar për një mbrojtje të mirë ligjore.

Prokuroria i ka në disposicion, sado të kufizuara qofshin ato, për të mbështetur akuzën, por të pandehurit i duhet të llogarisë nëse për të paguar mbrojtjen do t’i duhet të shesë diçka apo të marrë borxh. T’i japësh mbrojtjes më tepër mënyra për të sfiduar akuzën është sigurisht e nevojshme, por kjo nuk e zgjidh problemin se kush do të ketë mundësi t’i shfrytëzojë ato.

Ndaj, nevojitet që qeveria t’iu përgjigjet disa pyetjeve konkrete. A do ta mbulojë ndihma juridike ekspertizën që mund të nevojitet për të kundërshtuar provat e prokurorit në gjyq? A do t’iu jepen avokatëve të caktuar nga shteti burimet dhe koha e nevojshme për të kryer hetimet e tyre? A do të jenë vetë gjykatat ato që do të mundësojnë zbatimin e këtyre masave mbrojtëse, apo do të pandehurit do të duhet të kërkojnë përfaqësim të vazhdueshëm dhe të kushtueshëm, vetëm e vetëm që të marrin atë që ligji jua premton?

Përgjigjet e këtyre, por edhe një sërë pyetjesh të tjera, do të na tregonin shumë më tepër rreth efektit të kësaj paquete ndryshimesh se sa gjithë garancitë se ato përputhen me standardet europiane. E kemi kapërcyer tashmë epokën dhe mendësinë kur besonim se të drejtat “shenjtëroheshin” nga momenti që shkruheshin në letër; sot e dimë që ato varen mbi të gjitha nga fakti nëse kemi mjaftueshëm para për ta detyruar shtetin të zbatojë atë që na ka garantuar vetë.

Këto masa mbrojtëse janë të rëndësishme pikërisht sepse shteti posedon fuqi që individi i zakonshëm nuk i ka dhe as nuk i përfytyron dot. Megjithatë, vlera dhe dobia e tyre maten më qartësisht në ato çështje gjyqësore për të cilat nuk interesohet askush. Nëse paketa e ndryshimeve arrin të përmirësojë sado pak siutatën e familjeve që nuk paguajnë dot për ushtri ekspertësh dhe të pandehurve që dalin në gjyq me avokat të caktuar nga shtetit, atëherë ajo do të jetë realisht substanciale dhe e mirëpritur. Përndryshe, qeveria s’ka bërë tjetër veçse iu ka dhënë të gjithëve disa të drejta të reja, duke ua lënë sërish mundësinë për t’i ushtruar atyre që e kanë luksin të paguajnë./TemA