Bëhet fjalë për ndryshime në Kodin Rrugor të Republikës së Shqipërisë, për të cilat Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës është duke punuar në formën e një drafti paraprak projektligji. Përpilimi final i këtij projektligji do të kryhet pasi të jenë bërë konsultime përkatëse edhe me dikastere të tjera.
Në vija të përgjithshme, para mbushjes së moshës 21, dhe njëkohësisht për 3 vitet e para të marrjes së lejedrejtimit për mjetet e kategorisë A (motomjet me fuqi më shumë se 15 kW) dhe A2 (motomjet me fuqi jo më shumë se 35 kW), nuk do të lejohet drejtimi i motoçikletave me fuqi më të madhe se 25 kW. Gjithashtu, për drejtuesit e mjeteve të kategorisë B (mjete motorike me kapacitet maksimal deri në 8+1), do t’u duhet të qarkullojnë me një shpejtësi më të ulët se norma e lejuar, për 3 vitet e para që janë pajisur me lejedrejtimin për këtë kategori. Përcaktimi i shpejtësisë së drejtimin të mjetit parashtrohet Neni 117/1 “Kufizime për drejtuesit e motomjeteve” i Kodit Rrugor.
Motoçikletat
Neni 117/1 parashikohet të ndryshohet në varësi të moshës dhe përvojës së personit të pajisur me lejedrejtimin përkatës, sipas Nenin 25, të draftit të projektligjit, i cili përmban 5 pika. Duke iu referuar pikës së parë të Nenit 25, pёr 3 vitet e para, duke filluar nga data e marrjes sё lejes sё drejtimit të kategorisë A (A2, A) e njëkohësisht para mbushjes se moshës 21 vjet, nuk lejohet drejtimi i motoçikletave (me ose pa kosh) me fuqi mё tё madhe se 25 kW dhe/ose me raportin fuqi peshë mё tё madhe se 0.16 kW/kg, referuar masës pa ngarkesë.
Automjetet
Sipas pikës 2, të Nenit 25, të draftit të projektligjit, pёr 3 vitet e para, duke filluar nga data e marrjes sё lejes sё drejtimit tё kategorisё B, nuk lejohet tejkalimi i shpejtësisë mbi 100 km/h, nё autostrada mbi 80 km/h, nё rrugёt interurbane kryesore. Pra ulet me 10 km/h respektivisht
Sanksionet
Moszbatimi i normave të lartpërmendura do të rezultonte në një gjobë prej 1 mijë lekë deri në 3 mijë lekë, si dhe me pezullimin e lejedrejtimit nga 2 deri në 8 muaj. Kjo sipas pikës 5, të nenit 25, të draftit të projektligjit.
Qarkullimi
Aktualisht shpejtësia maksimale nuk mund të kalojë 110 km/orë për autostradat, 90 km/orë për rrugët interurbane kryesore, 80 km/orë për rrugët interurbane dytësore e rrugët lokale interurbane dhe 40 km/orë për rrugët në qendrat e banuara. Kjo sipas pikës 1 të nenit 140 të këtij Kodi Rrugor.
Shkrimi u publikua sot (23.03.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)
Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)