Koha për një socializëm të ri ekonomik 2, fondi publik i investimeve

Koha për një socializëm të ri ekonomik 2, fondi publik i investimeve

Foto ilustruese

Sot, një qytetar në Shqipëri i ka të kufizuara mundësitë e investimit sa i përket kursimeve personale. Ai mund të zgjedhë ose depozitën bankare, ose obligacionet qeveritare. Nga njëra anë, depozitat bankare kanë një risk minimal, por nga ana tjetër edhe interesi i përfituar prej tyre është minimal. Ndërkaq, obligacionet qeveritare janë jo vetëm të kufizuara në sasi, por edhe në qëllim. Rjedhimisht, marrëdhënia midis ekzekutivit dhe publikut është ajo e kredidhënësit me kredimarrësin dhe jo një marrëdhënie bashkëpronësie.

Ajo që propozoj në këtë shkrim është ndërtimi i një modeli të ri partneriteti midis ekzekutivit dhe qytetarëve nëpërmjet krijimit të Fondit Publik të Investimeve. Ky propozim vjen kur kemi një debat të hapur për përfaqësimin e drejtpërdrejtë të qytetarëve në politikëbërje dhe vendimmarrje, si dhe kur kemi eksploruar disa modele të Partneritetit Publik Privat.

Modeli i ri i Fondit Publik të Investimeve mundëson jo vetëm një zë më të drejtpërdrejtë të qytetarëve në vendimmarrje, por edhe pronësi direkte qytetare mbi pasuri kombëtare dhe sektorë strategjikë me qëllim eksportin.

Në 30 vite, menaxhimi jo i duhur fiskal, me evazion të lartë në kahun e të ardhurave dhe, në rastin më të mirë, mungesa e efiçencës në shpenzime, krijuan bindjen se menaxhimi i aseteve i duhej besuar tërësisht sektorit privat dhe se duhej minimizuar në maksimum barra fiskale. U llogarit se efikasiteti për çdo 1 Lek të shpenzuar nga sektori privat ishte shumë më i lartë se ai i shpenzuar nga sektori publik.

Pas 30 viteve, inferioriteti apriorì i publikes ndaj privates në raport me efiçencën nuk mund të jetë më argument. Paaftësia, bashkë me abuzimin si alibi, nuk mund të pengojnë më maksimizimin e të mirës publike. Për të eliminuar çdo parakusht bllokues administrativ që minimizon efiçencën u ndërmor dhe u mbështet pa kushte një reformë e thellë e sistemit të drejtësisë.

Kjo do të ndihmojë të punojmë për qëndrueshmëri dhe gjithëpërfshirje të rritjes ekonomike, së bashku me eleminimin e pabarazisë sistemike. Por, këto objektiva kanë nevojë për një partneritet më të drejtpërdrejtë ekonomik midis ekzekutivit dhe qytetarëve.

Sistemi ynë financiar nuk është i zhvilluar në raport me atë të vendeve perëndimore. Ky sistem ka krijuar jo vetëm kosto të shtuar financimi, por është kthyer në një pengesë për ritmin e zhvillimit dhe gjithëpërfshirjen që synojmë.

Fondi Publik i Investimeve ofron mundësinë për një akt të pastër bashkëqeverisjeje ku qytetarët, jo bizneset, kanë mundësinë të investojnë drejtpërsëdrejti në projektet zhvillimore të vendit me qëllim eksportin, duke përfituar direkt dhe indirekt.

Për ilustrim, po sjell si shembull më praktik, modelin e klubit të futbollit Barcelona, edhe pse jo i ngjashëm në qëllim dhe funksion me Fondin Publik të Investimeve. Ky është një nga klubet më të titulluar në botë, ku anëtarët (socios) rreth 140,000 qytetarë katalanas janë edhe pronarët e klubit, falë kontributeve vjetore që japin. Nga kjo marrin përfitime të shumta, edhe pse jo divident. Gjithashtu, ata vetë janë pjesë e vendimarrjes sa i takon zgjedhjes së strukturave drejtuese për menaxhimin e klubit.

Rasti i Fondit Publik të Investimeve është më i ndërlikuar dhe, padiskutim, kërkon konsensus politik, por ja pse dhe si mendoj do të ishte i dobishëm:

Në kushtet kur, pas një niveli rekord të arritur, borxhi duhet tashmë të njohë vetëm trajektore rënëse, depozitat e qytetarëve rriten pa pasur shumë zgjedhje për instrumenta financiarë alternativë investimi.  Krizat që lidhen me shëndetin dhe ndryshimet klimatike mund të shtohen, ndërkohë që mundësitë buxhetore do të jenë të kufizuara. Në këto kushte do të nevojitet në të dy kahet bashkëpunim më i drejtpërdrejtë i ekzekutivit dhe qytetarëve për zhvillimin e sektorëve strategjikë.

Fondi Publik i Investimeve do të ishte kështu i ngjashëm me një shoqëri aksionere me një kapital fillestar prej të paktën 1 miliardë Euro (një vlerë indikative) duke u rritur më pas gradualisht, ku shumica e aksioneve do të zotërohej nga qytetarët dhe minoranca e aksioneve nga Qeveria Shqiptare. Çdo qytetar, jo biznes, jo investitor institucional, do të ketë mundësi të investojë kursimet e tij që flenë në depozita bankare, duke blerë aksione ku nuk duhet të ketë asnjë qytetar me më shumë se 100 mijë Euro investim (indikative)

Kapitali i ngritur do të investohet në sektorë strategjikë për zhvillimin ekonomik afatmesëm dhe afatgjatë, me qëllim eksportin, si në energji, burimet natyrore (naftë, gaz, minerale etj), në plotësimin dhe maksimizimin e zinxhirit të vlerës në bujqësi dhe manifakturë, si dhe në teknologji.

Qytetarët bashkëpronarë do të maksimizojnë të ardhurat e tyrë nëpërmjet dividentit, ndërkohë të ardhurat e pjesës së pronësisë që i përket ekzekutivit do të shërbejnë për financimin e politikave sociale të domosdoshme por të nën-financuara.

Do të jetë pikërisht bordi i aksionerëve me shumicë të pronësisë qytetare që do të zgjedhë strukturat drejtuese të këtij fondi, duke monitoruar në vazhdimësi përformancën e tij financiare.

Në shkrimin e parë “Koha për një Socializëm të ri Ekonomik” artikulova nevojën e implementimit të një takse të re mbi pasurinë neto të akumuluar për individë me pasuri neto mbi 1 milionë euro (mbetet vlerë indikative). Këto janë të ardhura të domosdoshme për të financuar jo vetëm politika më të drejtpërdrejta sociale. Ato mund të ndikojnë dhe në financimin e kapitalit fillestar të angazhuar nga ekzekutivi në Fondin Publik të Investimeve.

Në kushtet kur instrumentet financiarë në vend janë të pamjaftueshëm dhe të kushtueshëm në mënyrë jo proporcionale për të mbështetur investimet private dhe kur investimet e huaja diktohen nga faktorë jo vetëm financiarë, nevoja për krijimin e instrumenteve të rinj financiarë, ku qytetarët bëhen bashkëpronarë të zhvillimit të vendit, duke ndikuar direkt dhe indirekt në maksimizimin e të ardhurave të tyre, është e menjëhershme.

Siç e përmenda dhe në fillim të këtij shkrimi, nevoja për të eliminuar pabarazinë sistemike dhe për të krijuar premisat e një rritjeje ekonomike të qëndrueshme dhe sidomos gjithëpërfshirëse, në kushtet kur krizat botërore janë gjithmonë e më të shpeshta dhe me të paparashikueshme ndërkohë që mundësitë e financimit më të kufizuara, nevojitet një rimodelim i qasjes se ekzekutivit ndaj politikave zhvillimore sektoriale, ku rol të padiskutueshëm ka ministria përgjegjëse për ekonominë.

Mbi të gjitha, duhet një rimodelim i marrëdhënies midis ekzekutivit dhe qytetarëve, duke zhvilluar konceptin e bashkëpronësisë në sektorë strategjikë.

K.T./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • redi: 28/11/2021 15:55

    Modeli qe propozon zoti Bllako per socualizem 2 eshte me te vertete interesat per keto 30 vite qe sollen grabitjen e pa skrupullt te prines publike ,ku shumica e shqiptareve mbeten me gisht ne goje.Kush fitoi ?Parjeter politikanet e korruptuar dhe klabet e tyre.Privatizimi eshte procesi me i erret dhe me i korruptuar ne ekonomine sgqiptare kur shume mire po te ushin aksioner punetoret dhe intwlektualet tranzicioni do ishte me i bute dhe perfitim ekonomik gjithe perfshires .Pse ndodhi e keqa?Nga ne qe votuam hajdutet dhe te pa aftet .PPP e soteshme per mua nga ana e perfitimit jane zero ,pervec klienteve qe i kane marre me koncension.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Presidenti ukrainas Zelensky: Kemi çdo shans për t'i dhënë fund luftës në 2025-ën

Presidenti ukrainas Zelensky: Kemi çdo shans për t'i dhënë fund luftës në 2025-ën