Koka: Moratorium 10 -vjeçar për eksportin e lëndës drusore


TIRANË,19 Dhjetor /ATSH / - U zhvillua sot në Tiranë Konferenca për Ekonominë Pyjore organizuar nga Ministria e Mjedisit, Fakulteti i Shkencave Pyjore dhe Instituti i Studimeve dhe Projektimeve Pyjore.
Kjo konferencë kishte si qëllim ndërtimin e një dialogu konstruktiv midis shkencës dhe politikës, një bashkëpunim shumë i domosdoshëm për të gjithë sektorët e vendit, por në veçanti për sektorin e pyjeve.
Duke folur për gjendjen e trashëguar të pyjeve, Ministri i Mjedisi Lefter Koka, theksoi se :"Në vitin 2008 pyjet iu transferuan Njësive Vendore , nëpërmjet një procesi të kryer me procedura të përshpejtuara. Aktualisht kemi  mungesë të hartave pyjore e topografike,  ka shumë mbivendosje siperfaqesh në terren, mungesë të një akti ligjor për ndarjen e kufijve ndërmjet njësive të qeverisjes vendore. Mungojnë  gjithashtu strukturat e menaxhimit të pyjeve dhe kullotave komunale në njësitë vendore. Nga 323 njësi vendore, vetëm 92 prej tyre kanë emëruar deri tani në administratën e tyre specialistë pyjesh ndërsa duhet të kishin punësuar minimalisht 500 vetë. Në 231 njësi vendore mungojnë totalisht strukturat për menaxhimin e pyjeve komunalë".
Ai tha se ishte pikërisht kjo situatë që solli dëme të mëdha në tjetërsimin e fondit pyjor me lejen e drejtuesve vendorë, dëmtime të pyjeve komunale nga prerjet pa kriter, diegie, gërmime të paligjshme, ndërtime. Të paktën 70 % e
sipërfaqeve pyjore janë të djegura dhe 40% e dëmeve dhe prerjeve ilegale janë në fond pyjor në përdorim dhe pronësi të komunave.
Nisur nga kjo gjendje Ministria e Mjedisit nëpërmjet ligjit të ri të pyjeve do të kërkojë moratorium 10 -vjeçar për eksportin e lëndës drusore, kalimin e fondit pyjor në varësi të njësive vendore duke i lënë Ministrisë së Mjedisit,  menaxhimin, kontrollin, politikëbërjen dhe kontrollin për ngritjen e njësive të specializuara për mbrojtjen e pyjeve me mbi 1 mijë specialistë.
Gjatë fjalës së tij, Ministri Koka  vuri në dukje se: "Për herë të parë në 23 vitet e fundit po mbillen me miliona fidanë, për herë të parë një qeveri po i kushton një vëmendje të tillë Mjedisit. "
Në fund të fjalës së tij, Koka përsëriti se Ministria e Mjedisit do të jetë gjithmonë e hapur për mendimin akademik dhe ky bashkëpunim do të jetë edhe më i ngushtë në të ardhmen./a.g/

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Këshilltari i Trump për sigurinë kombëtare: Ai është i shqetësuar nga përshkallëzimi i konfliktit mes Rusisë dhe Ukrainës