Koka shprehet se kjo është një zgjedhjet e tij, duke bërë që pagesa e kuotat të anëtarësisë në LSI të paguhet direkt nga Thesari i Shtetit, duke iu mbajtur nga paga.
“vullnetarisht, nga paga ime mujore, transferoj 5.000 Lekë pranë llogarisë bankare të LSI në formën e kuotës së anëtarësisë në parti... edhe pensionisti (Berisha), që nuk pushon as të dielave pasdreke, deri në vitet ’90 e paguante rregullisht kuotën mujore rreth 20 lekë”, shprehet Koka.
Ministri i Mjedisit thotë se nuk ka asgjë të jashtëligjshme në këtë mes pasi thjeshtë ka zgjedhur që transaksioni i pagesës të kryhet direkt nga Dega e Thesarit, duke reduktuar pjesën e pagës që po kjo Degë Thesari më transferon në llogarinë time personale, në një bankë të nivelit të dytë.
Reagimi i Lefter Kokës:
Të dashur miq,
Pa dashur të humb kohën tuaj të cmuar në këtë fillim jave, se të gjithë jemi të zënë me punë, por më shumë për të sqaruar pensionistët politikë që i kanë lënë të papunë në këtë sezon, sqaroj se:
Anëtarët e Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim, Kryesia e saj, Deputetët dhe Ministrat e respektojnë detyrimin statutor, por edhe moral për kontributin vullnetar pranë partisë në të cilën aderojmë.
Unë, vullnetarisht, nga paga ime mujore, transferoj 5.000 Lekë pranë llogarisë bankare të LSI në formën e kuotës së anëtarësisë në parti. Më normale dhe korrekte se kjo nuk ka ku të shkojë, për një anëtar partie.
Në mënyrë që t’i jap mundësinë edhe z. Berisha dhe kujtdo tjetër ta shohë që unë i paguaj kuotat e anëtarësisë në parti, kam zgjedhur që transaksioni i pagesës të kryhet direkt nga Dega e Thesarit, duke më reduktuar pjesën e pagës që po kjo Degë Thesari më transferon në llogarinë time personale, në një bankë të nivelit të dytë.
Edhe pensionisti në fjalë, që nuk pushon as të dielave pasdreke, deri në vitet ’90 e paguante rregullisht kuotën mujore rreth 20 Lekë apo aty afër më duket, pranë partisë në të cilën militonte me devotshmëri, si gjithmonë vullnetarisht, me korrektesë të plotë dhe pa shkelur afatet e pagesës. Dhe mirë e bënte, se të paguash kuotën është detyrimi minimal i një anëtari partie.
Tashmë nuk di se ç’bën, paguan apo nuk paguan kuotë partie, është apo nuk është në parti, por kjo mbetet një çështje personale e tij dhe aspak e imja! Ju uroj një javë të mbarë dhe të frytshme!
Redaksia Online
(f.s/shqiptarja.com)