“Në këtë Ditë Europiane të Parqeve edhe Shqipëria i konsideron parqet si një aset të çmuar jo vetëm të natyrës e të mjedisit , por edhe të ekonomisë së vendit. Shqipëria ka rreth 15 parqe kombëtare të shpallura në më shumë se 50 vite si Parku Kombëtar i Dajtit që është shpallur i tillë në vitin 1966. Parqet janë mushkëritë jo vetëm të qyteteve të mëdha urbane, por edhe të vetë zonave ku ndodhen siç është Parku Kombëtar i Dajtit, të cilin do ta konsideroja edhe si një zonë ekonomike shumë të rëndësishme për qytetin e Tiranës“, tha Koka.
Ministri Koka u shpreh se në thuajse katër vite është treguar një vëmendje në rritje për ruajtjen dhe shtimin e zonave të mbrojtura.
“Tashmë kemi mbërritur nivelin e 17% të sipërfaqeve të zonave të mbrojtura në territorin shqiptar të klasifikuara në nivele të ndryshme “, tha ministri Koka duke shtuar se “krijimi i Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, dhe autonomia financiare që ky institucion do të marrë nga ligji i ri i zonave të mbrojtura të miratuar më 4 maj 2017 në parlamentin shqiptar, është një zhvillim i rëndësishëm.”
Dita Europiane e Parqeve shërben për të promovuar zonat e mbrojtura dhe për të theksuar rëndësinë e mbrojtjes, menaxhimit por edhe frekuentimit të tyre.
Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com