Koordinatori i rajonit Vlorë-Gjirokastër, Koco Kokëdhima ka sfiduar përsëri afatet e vendosura nga Partia Socialiste për kryerjen e punëve organizative brenda partisë. Kësaj radhe ai nuk ka respektuar datat e zgjedhjes së delegatëve për Kongresin e marsit. Dy javë më parë, gjatë mbledhjes me Edi Ramën, 6 koordinatorët caktuan datat e zgjedhjes së delegatëve për cdo rajon, dhe për Vlorën e Gjirokastrën u caktua 20 shkurti.

Por me kërkesë të Kokëdhimës, Taulant Balla në një njoftim për shtyp tha se këtë të shtunë do të votojë vetëm rajoni Lezhë-Dibër, dhe të tjerat në 27 shkurt. Por me një njoftim në rrjetin social, Kokëdhima shprehet se nuk do të ketë zgjedhje në këtë datë, por në 5 mars, vetëm 2 javë para Kongresit.

“Mes socialistëve të Vlorës, në takimin hapës të fushatës së zgjedhjeve për kryetarë dhe sekretarë të organizatave socialiste (OS). Zgjedhjet në os-të do të përfundojnë brenda datës 29 shkurt. Zgjedhjet për delegatët e Kongresit do të zhvillohen në datën 5 mars. Në këto zgjedhje, në rajonin Vlorë-Gjirokastër do të respektohet parimi: një emër, një funksion. Takimi u përshkrua nga një entuziazëm i lartë i pjesëmarrësve”shkruan Kokëdhima në facebook.

“Procesi i përzgjedhjes së delegatëve të Kongresit është një proces shumë i rëndësishëm. Ka kaluar përmes shumë konsultimeve, që fillojnë nga baza e Partisë Socialiste që janë organizatat e saj. Ky proces përmbyll fazën e parë të përgatitjes së Kongresit. Pasi të jetë mbyllur ky proces edhe në qarqet e tjera më 27 shkurt, shkojmë në Kongresin e Partisë Socialiste më 19 mars”-tha Balla në 15 shkurt, në një deklaratë për shtyp nga selia e PS-së.

koco

Redaksia Online
(Shqiptarja.com)