TIRANË, 11 Dhjetor /ATSH-Gjergji Mima/ - Rastet e fundit me doping të peshëngritësve, Romalea Bega, Daniel Godelli dhe Hysen Pulaku kanë qenë në qendër të mbledhjes së sotme të Komitetit Ekzekutiv të Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar
Në një deklaratë për shtyp KOKSH mban një qëndrim shumë të prerë ndaj situatës se krijuar javën e fundit, me 3 raste të dopingut në sportin e peshëngritjes, sidomos kur bëhet fjalë për 3 peshëngritës, fitues të medaljeve Botërore dhe Europiane.
"Për këtë arsye, Komiteti Ekzekutiv i KOKSH i kërkon me urgjencë një informacion sa më të detajuar Federatës Shqiptare të Peshëngritjes në lidhje me çështjen në fjalë, për përdorim substancash të ndaluara nga sportistët e dyshuar", thuhet në deklaratën e KOKSH.
"Duke patur parasysh gjendjen e krijuar në peshëngritjen shqiptare për shkak të dopingut, pasi ky fenomen prej vitesh po shfaqet në këtë sport, mendojmë se duhet të mblidhet urgjentisht si Ministria e Arsimit dhe Sportit, Ministria e Brendshme ashtu dhe Ministria e Shëndetësisë për ta futur përdorimin e dopingut nga sportistët në sport në kodin penal, si një vepër të dënueshme ligjërisht nga shteti", thekson KOKSH.
Këtë propozim, KOKSH shprehet se e bën nisur dhe nga praktikat dhe eksperiencat e shteteve të tjera për çështjet e dopingut.
"Mendojmë se Komisioni Antidoping të funksionojë pranë Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, pasi ky organizëm është i pavarur dhe si i tille funksionon në shumë vende të botës të atashuara pranë Komitetit Olimpik", thotë KOKSH.
KOKSH i bën thirrje të gjithë sportistëve që të bëjnë një sport të pastër dhe të shëndetshëm. "Nxisim Federatat sportive të zhvillojnë programe edukative dhe fushata sensibilizimi në luftën kundër dopingut dhe promovimit të sportit të shëndetshëm dhe të pastër", thekson KOKSH.
Sipas KOKSH, "institucionet sportive duhet të bashkëpunojnë më shumë në krijimin e një sistemi kontrollidhe të pavarur në mënyrë që fenomeni i dopingut në sportin shqiptar të mos jetë kulturë e përfaqësimit të sportit dhe për vendin tonë imazhi i keq dhe i njollosës i dopingut. Sot të gjithë duhet të dinë që Dopingu është në luftë të hapur me etikën, vlerat dhe moralin e sportit"./a.g/









