Kol Bib Mirakaj, Ne të arratisunit…
si e ngritëm Komitetin Kombëtar në Vjenë

Kol Bib Mirakaj, Ne të arratisunit…<br />si e ngritëm Komitetin Kombëtar në Vjenë
TIRANE- Grupi i Kapidanit arrijti në Vjenë me 10 Shkurt 1945. Pa e shtye gjatë, filluen përpjekjet private për të mundë me formue një komitet kombtar, që të kujdesej kryesisht për fatin e t’ ikunëve. Askush nuk donte të merrte nisiativën për të ftue mbledhjen e nevojshme. Sëfundi, i autorizuem verbalisht nga Ministri Neubacher, i bana ftesat dhe u ba mbledhja në salonin e madh të hotelit “Belvue”, nën kryesinë e shkëlqesës Shefqet Vërlaci.

Unë mbajta fjalen e rastit tue paraqitë edhe skemën-propozim të programit eventual. Iu kërkue fjala shkëlqesës Mustafa Kruja. Kruja me pak fjalë pohoi nevojën e një komiteti që kryesisht të merrej me fatin e refugjatëve dhe përfundoi tue thanë se fjalimit tim dhe programit që kishe parashtrue për studim, nuk gjente as edhe një presje me i shtue apo me i hjekë. Propozoi që nëse mbledhja ishte dakord mesa kishe thanë unë, të ngarkohej një komisjon prej pak vetësh për të zgjedhë komitetin.

U zgjodh komiteti prej tetë vetësh. Nën kryesinë e Shefqet Verlacit dhe me antarë: Mustafa Kruja, Gjon Markagjoni, Xhafer Deva, Kol Mirakaj e tre të tjerë. Të nesërmën në hotelin ku banonte Xhafer Deva, komisjoni vendosi të formohej komiteti prej pesë vetësh, e meqë besohej se Xhafer Deva mund t’ishte përsoni ma i përshtatshëm i kohës e rrethanave, u lut të marrë kryesinë tue i lanë edhe lirinë të zgjedhë vetë bashkpuntorët.

Detyrë e parë e Komitetit u caktue kujdesi i rregullimit të refugjatëve me banim e ushqim e dokumenta udhtimi për të lanë Gjermaninë sa ma parë t’ ishte e mundun. Synimi i shumicës ishte Italia. Fronti i Hungarisë u zbërthye papritmas nga ushtritë ruse, që po i afroheshin Vjenës, (u tha, se dy divizjone hungareze që luftonin përkrah gjermanëve, u bashkuen me ushtritë ruse, tue ua hapë shtegun për Vjenë).

Kjo gjendje e papritun aq shpejtë, shtërngoi komitetin të lejë Vjenën me ngut, me 3 ose 4 prill. Asgja nuk ishte ba endè për të furnizue refugjatët me dokumente, përposë dy përsonaliteteve të nalta. Komiteti më kishte rrezervue edhe mue një vend n’automjetin e vet, ku më ftoi (Xhaferi) të largohëm me ta, me që ishe në gjendje fort të keqe me kambën e plagosun prej kohe, e ishte shumë vështirë me gjetë mjete udhtimi n’atë turbullinë. Edhe vizën për udhtim e kishe.

N’atë kohë kur Papalilo më pruni lajmin e Xhafer Devës, me u nisë menjëherë, m’ishte mbushë shtëpija me bashkatdhetarë që ishin alarmue tue pasë ndigjue se komiteti po nisej, e ata mbeteshin në fatin e tyne pa dokumenta, e askush që të kujdesej ma për ata. Ishin ma se njëqindetetdhjetë Shqiptarë që kishin mbetë në këte gjendje. Vendosa ta ndajë fatin me ta. Disa ndër ju, o lexues të dashtun, që në virtyt të vendimit tim shpëtuet pa ra në dorë t’ hordhive bolshevike, e dini këte gja në hollsina, e prandej, nuk asht nevoja të zgjatëm.

Fakti asht se tue vue veten në rrezik shpëtova të gjithë Shqiptarët që kishin mbetë në Vjenë, po, edhe vetën me ta! NGATRRESA N’ INSBRUCK Mbasi u rregullova lejet ndër grupe prej dhjetë vetësh, dhe n’ato leje ishte edhe urdhën i haptë i Governatorit të Vjenës, për t’u dhanë asistencë ushqimi e me i marrë ndër trena e automjete ushtarake e civile të gjithë këta vëllazën, i nisa për Insbruck, me 5 mars 1945.

Vetë me Isuf Luzaj e të vllanë, u nisëm n’atë mbramje mbasi i pata përcjellë të gjithë. Lejet kishin vleftë për të arrijtë vetëm deri në Insbruck, se për të kalue kufinin ishte kompetente vetëm komanda ushtarake e Insbruck-ut.

Si mujtëm me i ba lejet n’ aq pak kohë krejt anormale? Kur Pandeli Papalilo dhe dy vetë të dërguem prej Xhafer Devës, erdhën për të më marrë mue, më lajmëruen vendimin e Komitetit që po largohej nga Vjena me aq ngutësi (mbrënda një ore), i porosita të shkojnë e ti thonë zotit Deva, se detyra e Komitetit ishte të mos largohej derisa të përcillte të gjithë Shqiptarët për Insbruck. “I thoni edhe se unë, nuk iki kalli i vetëm me Komitetin për të shpëtue lëkurën time.

Kol Biba nuk i ka lanë kurrë shokët mbrapa dhe nuk i lën as këte herë, megjithse, asht sakat me një kambë por shpëton, ose mbaron sëbashkut me ta!” Bombardimet e ditës së maparshme, kishin shkatrrue vijat e tramvajeve. Kamba e plagosun m’ ishte ajë për ibret. Dërgova menjëherë prefektin Mahmud Çela tek Ministri Neubacher, me një kartvizitë timën për ti shpjegue gjendjen e me kërkue ndihmën. Z. Çela e kishte gjetë tue dalë prej zyres për të lanë Vjenën, simbas urdhnit që kishte.

Megjithatë ngutësi, Neubacher-i, kishte marrë Mahmud Çelën n’ automobil të vet e kishte shkue menjëherë tek Governatori i Vjenës, tue e porositë të bante çka t’ ishte e mundun me na nisë. Edhe Governatori kishte urdhën me e lanë Vjenën të nesërmën mbasdreke. Ishte tregue i gatshëm me çka t’ishte e mundun. Kur Mahmud Çela u kthye tek banesa ime dhe më referoi, ishin shumë Shqiptarë pranë (ndër ta disa të terrorizuem) tue pritë lajmet që do të na binte Çela.

Bana me ta llogarinë se do të ishin rreth dyqindë vetë që kishin mbetë në Vjenë pa dokumenta. Ishte e kjartë se të nesërmën për aq pak kohë e me punën e jashtzakonshme që kishin zyrët e governatorit, nuk mund të baheshin dokumentët e udhtimit për të gjithë ata njerzë. Porosita të pranishmit të shpërndahën e menjëherë të lajmojnë të gjithë Shqiptarët të gjindën të nesërmën në ora shtatë të mëngjesit para pallatit të governatoriatit. Kishin akoma frikë se po i lë. U dhashë besën se nuk nisëm pa ta, atëherë, u qetsuen. U vuna në makinë të shkrimit. Rradhova 25 leje - kalimi (PASIERSCHEIN) grupesh, tue lanë çelë vendin për emnin e kryetarit të grupit; grupet ishin njëmbëdhjetë vetësh.

Të nesërmën, n’orën e caktueme ishin të gjithë para pallatit të governatorit. I ndava në grupe, ua shkrova emnat e kryetarëve të grupeve simbas dëshirës së tyne. N’ora 9 u paraqita tek Governatori, që më priti porsa mori kartvizitën time.

Më deklaroi se dëshronte me ba çka t’ishte e mundun për né, por koha nuk lejonte me ba dokumenta udhtimi për dyqindë vetë. I tregova se e kishe parapa ketë e se si rrjedhim, i kishe përgatitë lejet po kje se i pranon ashtu me grupe. Shikoi një, dhe tha: “Ganz Gut!” Thirri në telefon shefin e gabinetit e i tha: “Vjen tani tek ti ministri Shqiptar, shkëlqesa Mirakaj. Ka përgatitë lejekalimet për Shqiptarët që kanë mbetë në Vjenë, për t’arrijtë n’Insbruck.

Të protokolohën pa asnjë korrigjim, të vulosën e m’ i sillni për nënshkrim!” Në ma pak se njëgjysë ore u krye krejt puna. Të gjithë mërrijtën shëndosh’ e mirë n’Insbruck, shumë prej tyne pa pague asgja për udhtim ndër ferrovi e automjete... Gjermania n’ agoni, edhe njëherë i ndihmonte Shqiptarët!


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 5 Prill 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Listat e deputetëve të hapura në 2/3 dhe jo plotësisht, jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

Furrat e bukës, OSHEE apel subjekteve të deklarojnë kontratat dhe të aplikojnë për ndryshimin e tarifës 14 lek/kWh

Furrat e bukës, OSHEE apel subjekteve të deklarojnë kontratat dhe të aplikojnë për ndryshimin e tarifës 14 lek/kWh