“Kolapsimi i sistemit” përballë dëbimit të shtetasve turq

“Kolapsimi i sistemit” përballë dëbimit të shtetasve turq

Haradinaj, Thaçi dhe Veseli

Arrestimi nga Policia e Kosovës i 6 shtetasve turq, të cilët kishin dokumente te rregullta dhe leje qëndrimi në Kosovë, si dhe dëbimi i tyre për në Turqi, paraqesin shkelje të ligjeve të Kosovës dhe frymës së Kushtetutës së vendit, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve politike në Kosovë.

Krerët kryesorë të institucioneve të Kosovës, presidenti Hashim Thaçi, kryeministri Ramush Haradinaj dhe kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, kanë theksuar se nuk kanë pasur informacione për aksionin e institucioneve të sigurisë për arrestimin dhe dëbimin e qytetarëve turq.

Haradinaj, të premten, ka shkarkuar ministrin e Punëve të Brendshme, Flamur Sefaj, dhe drejtorin e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), Driton Gashi.

Politologu Ramush Tahiri, duke folur për Radion Evropa e Lirë, e ka cilësuar si “skandal” dëbimin e qytetarëve turq për në Turqi, sidomos kur, sipas tij, ka mungesë të një marrëveshjeje për ekstradim, ku parashihen kushtet e ekstradimit.

Sipas Tahirit, në rast se për aksionin e arrestimit dhe dëbimit të shtetasve turq nuk kanë qenë në dijeni krerët e lartë institucionalë, ashtu siç ata deklarohen, kjo situatë “e shpërfaq Kosovën si shtet, i cili e ka funksionimin institucional dhe koordinimin e hierarkisë institucionale në stadin më të ulët të mundshëm”.

“Por, nëse ka ndodhur ndonjë gabim politik, sepse kanë qenë në dijeni dhe kjo është më shumë për t’u besuar, atëherë viktimizimi (i Sefajt dhe Gashit) nuk është se i ndihmon çështjes, sepse përgjegjësia mbetet te përzierja e institucioneve politike në punët e organeve përgjegjëse dhe të specializuara, në këtë rast Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë”, ka thënë Tahiri.

​Mendim të ngjashëm ka edhe analisti Krenar Gashi, studiues i shkencave politike. Sipas tij, kjo situatë është pasqyrë e sistemit politik të Kosovës, sepse “ka qenë jashtë çdo pritjeje që krerët institucionalë të jenë lënë anash në një operacion ndërkombëtar”, përmes të cilit janë bërë “shkelje të ashpra të të drejtave themelore” të gjashtë rezidentëve të Kosovës, si dhe shkelje të disa konventave ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.

“Është absurde të mendohet se një ndërveprim i tillë, kaq masiv dhe kaq mirë i planifikuar dhe i ekzekutuar me urgjencë, mund t’i ketë përjashtuar nga i gjithë operacioni të gjithë krerët institucionalë. Megjithatë, tre të parët e vendit po deklarojnë se kanë qenë të lënë jashtë dhe vetë lënia jashtë e tyre, në asnjë formë dhe në asnjë mënyrë, nuk i përjashton ata nga përgjegjësia politike. Sot është marrë një vendim për shkarkimin e ministrit të Brendshëm dhe shefit të AKI-së. Mirëpo, unë si qytetar i Kosovës nuk e kam zgjedhur as ministrin e Brendshëm e as shefin e AKI-së”, ka thënë Gashi.

Ndryshe, sipas politologut Tahiri, ka pasur pohime se në gjithë aksionin për arrestimin dhe dëbimin e shtetasve turq kanë qenë të përfshira edhe shërbimet e inteligjencës turke.

Sipas tij, kjo e rëndon edhe më tej situatën dhe i vë para përgjegjësisë dhe në pozicion mjaft të rëndë përfaqësuesit e lartë institucionalë të Kosovës.

“Ky është një veprim shumë i rëndë që i shkel ligjet e Kosovës dhe ligjet e Kosovës janë praktike. Shkelja e Kushtetutës së Kosovës është shumë evidente dhe nuk ka reperkusione në marrëdhëniet ndërkombëtare. Reperkusionet janë të brendshme, sepse është shkelur parimi themelor i sovranitetit dhe integritetit të institucioneve të Republikës së Kosovës”, është shprehur Tahiri.

Deportimi që cenoi demokracinë dhe kushtetutshmërinë në Kosovë

Sipas analistit Gashi, me arrestimin dhe dëbimin e shtetasve turq është shkelur Konventa evropiane e të drejtave të njeriut, ligji dhe Kushtetuta e Kosovës.

Ky veprim, sipas tij, e pasqyron kolapsimin e sistemit dhe krijon pasiguri jo vetëm te qytetarët e huaj që janë rezidentë në Kosovë, por edhe te vetë shtetasit e Kosovës.

“Arsyeja se pse duhet menduar se ky është një problem shumë i thellë dhe shumë serioz, është pikërisht për shkak se kemi treguar se në sistemin tonë nuk ka kurrfarë mekanizmash të mbajtjes së përgjegjësisë dhe llogaridhënies.

Kësisoj, dje kanë qenë 6 shtetas turq. Nesër mund të jenë 6 disidentë politikë, mund të jenë 6 gazetarë, mund të jenë 6 pjesëtarë të shoqërisë civile.

Ne jetojmë në një shoqëri, ku shërbimi i inteligjencës mund t’i japë urdhra policisë të eliminojë njerëz”, ka deklaruar Gashi. Nga qytetarët e dëbuar turq, 5 ishin punonjës të shkollave “Mehmet Akif” në Kosovë dhe një mjek.

Besohet se këto shkolla janë të frymëzuara nga Lëvizja Hizmet e Fethullah Gulenit, klerikut fetar turk, të cilin presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, e fajëson për orkestrimin e përpjekjes për grushtshtet në Turqi, në vitin 2016.

Zyrtarë të Ministrisë së Arsimit në Kosovë kanë deklaruar më herët për Radion Evropa e Lirë se këto shkolla veprojnë në përputhje me ligjet e Kosovës

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • 1111111: 31/03/2018 19:13

    PERGJIGJUNI TURKUT E FASHIST

    Përgjigju
  • draiver: 31/03/2018 19:08

    TURP

    Përgjigju
  • lexues: 31/03/2018 11:37

    Kolapsim!!!!! ku e gjeni te drejten per te degjeneruar gjuhen shqipe

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    17 Dhjetor, 08:53

    Hapet një tjetër grupkapitull me BE, a po ecet shpejt drejt integrimit?



×

Lajmi i fundit

Alban Daci: Vota e shqiptarëve që jetojnë jashtë dhe politika si fenomen mosbesimi ndaj proceseve zgjedhore

Alban Daci: Vota e shqiptarëve që jetojnë jashtë dhe politika si fenomen mosbesimi ndaj proceseve zgjedhore