Kolë Idromeno, artisti që i fali talentin kohës së tij

Kolë Idromeno, artisti që i fali talentin kohës së tij

Mark Zadeja është nga ajo tipologji autorësh të qytetit tim, që punon në “heshtje”, një “heshtje” që pas shumë vite pune kthehet në vlerë të çmueshme. Libri i tij “Kolë Idromeno” (jeta dhe vepra), i sapo dalë në qarkullim, e vërteton më së miri pohimin tim. Nga mënyra sesi është ideuar, konceptuar dhe ndërtuar libri, në çdo faqe të tij lëvizin drita dhe ngjyrat e një jete, shpërfaqet bota e njeriut Kolë Idromeno dhe bota e artistit Kolë Idromeno. Ndërthurja e tyre, nga ana e autorit Zadeja bëhet harmonishëm, të fal emocion e përkatësi notash poetike e filozofike.

Duke i bërë një këqyrje të hollësishme librit-album të Markut, është e pamundur të mos përftosh mbresa, të cilat shpesh kthehen në shenja. Këto shenja, në substancën e tyre, më kujtojnë urtësinë e një filozofi, që thoshte: “E dua të shkuarën për ca shpirtra që jetuan”.

Po të analizojmë metodën artistike që përdori autori i librit, do të kuptojmë se Marku gjatë gjithë narrativës së tij tekstore i beson ligjërimit të tij. Është një ligjërim i kujdesshëm, i saktë, i cili reflekton kulturë, e cila është e shfaqshme në disa plane. Ndaj, ngaqë është e tillë, Mark Zadeja ka mundur të realizojë artistikisht e me sukses figurën poliedrike të Kolë Idromenos. Në vetëdijen e autorit dhe në vetëdijen e librit Koha Idromeno shfaqet e plotë, protagonist Idromeno fiton vlera sa unikale aq dhe universale. Kjo, falë punës gjurmëlënëse të Markut, ku në tekste dhe në fotografi të librit gjejmë, shpesh, edhe prurje të reja, të cilat shënojnë edhe plotësime të mëtejshme të figurës së Kolë Idromenos.

Marku është pasionant i dijes dhe i pikturës. Në ndriçimin e figurës së Kolë Idromenos, Marku fokusohet dhe gjurmon Kohën Idromeno për ta nxjerrë në dritë atë, edhe pse ka vite ku mbizotëron heshtja, fshehtësia dhe retushimi. Megjithatë teksti i autorit Zadeja ia arrin të evidentojë: Çfarë i tha Koha Idromenos e çfarë i dha Idromenoja Kohës. Duke vënë theksin te nocioni KOHË, autori Zadeja thotë: Krijimtaria e Idromenos lidhet ngushtë me ngjarjet e kohës.” KOHA herëpashere merr fushëpamje në optikën e autorit Zadeja, i cili atë e ka shtrirë edhe në disa rrafshe, si: marrëdhënia e Idromenos me vetveten, me rrethanat e viteve, me spektrin  e gjerë të realiteteve, me tablotë e tij që në të shumtën e herës përçojnë mesazhet e kohës jo vetëm si krijimtari kur ato u krijuan, por edhe përtej kohës, në ardhmërinë e saj. Këtë e gjejmë në shumë faqe libri jo vetëm si qasje interesante e kuptimplote, por edhe si besueshmëri në komunikim me lexuesin. Kjo është arsyeja që figura e Idromenos në këtë libër nuk mbart asnjë artificë, ekzagjerim a bufonizëm; është e besueshme, lëviz jetueshëm në mënyrë dinamike me një botë dëshirash e ëndrrash për qytetin e tij të lindjes e për Shqipërinë. Një model me emrin Idromeno, Zadeja e ka gdhendur me shumë dashuri, finesë dhe kulturë. Se Artisti Idromeno është pjesë e një historie, ku vuri emrin e tij në një traditë të shkëlqyer. Tanimë kjo traditë, me kalimin e viteve dalëngadalë po harrohet e po hyn në kujtimet e kujtesës. Kjo traditë, në të shumtën e rasteve e shfytyruar, e prekur keqas, e mosvlerësuar, ku Idromenoja vuri artin e tij, do të kthehet në mall, ndonëse edhe për mallin në ritualin e jetës kemi aq shumë nevojë...

Po citoj disa fragmente nga libri për të përligjur mendimin tim të mësipërm.

Citoj (1): “Të punosh, të veprosh, të përpiqesh e t’arrish me kohën, me një qendrueshmëri e vullnet të paparë, me një angazhim të përsosur, duke kaluar çdo kufi njerëzor, për mendimin tim, nuk kemi të bëjmë me një talent, por me një gjeni. Kolë Idromeno ishte GJENI.”[1]

Citoj (2): “Kryeveprat nuk vdesin kurrë. Ato janë dëshmi e njerëzve të mëdhenj. Arti mbetet art. Ai nuk e bën njeriun, përkundrazi, njeriu bën krijimin e tij për ta shijuar dhe vlerësuar atë. Kështu ndodhi edhe me djaloshin 23-vjeçar që krijoi përgjithnjë të pavdekshëm portretin e motrës së vet, “Motra Tone”.[2]

Citoj (3): “Vetëportreti” (Teksa Marku analizon tablonë në fjalë, bën dy pikëzime që mbeten në themel të tekstit: a) “Koha mbetet e re, në qoftë se ti mendon për të”.[3], b) Në këtë autoportret Idromeno besoi në veten e vet përvojën me ndjenjën më të thellë të shpirtit të vet; frymëzimi kaloi në penel duke e bërë të pavdekshëm portretin e tij. Ishte një kënaqësi e veçantë  kur realizoi vetveten, thonë shumë prej atyre që i bënë vizitë kur piktori u tregoi veten e vet të pikturuar. Ishte një jetë kërkimesh, mundi, përvoje për të shprehur e për të përcaktuar qartë e me ndjenjë, për të hedhur me virtuozitet penelin për realizimin e këtij autoportreti.”[4]

2.

Autori i këtij libri-album është kujdesur jo vetëm për tekstin e shkruar, por edhe për ta pajisur çdo kapitull me një numër fotografish të çmuara, ku paraqiten dëshmi, histori, personazhe, objekte, lagje, rrugë, etj., ku disa prej tyre publikohen për herë të parë. Kjo metodikë e autorit flet qartë  për ndjekjen hap pas hapi, dhe vit pas vite të jetës së pasur, jo pa vështirësi, të artistit Kolë Idromeno, ku e gjithë jeta e tij prej patrioti ishte vënë në shërbim të qytetit të tij të lindjes, për t’i lënë atij sa më shumë gjurmë të vlerta, gjurmë talenti e gjurmë ndershmërie. Se dashuria për qytetin e tij, Shkodrën, është  ideale për Kolë Idromenon. Drejt këtyre marrëdhënieve shumëplanëshe e vlerave të patjetërsueshme kujtesore flet dhe ka prirjen ky libër, për të cilin mendoj që autori Mark Zadeja ia ka arritur qëllimit, duke sjellë njohësi të thelluara e aspekte të reja, të cilat kanë bërë që figura e Idromenos të ndriçojë në plotërinë e saj.

Marku, në librin e tij, ndjek në mënyrë lineare jetën dhe rritjen si artist, si fenomen të artistit Kolë Idromeno. E ndjek artistin në kohë, përmes viteve, rrethanave, konfliktet historike e shoqërore, etj. Në të gjitha këto dallgëzime jete dhe kohe, shpirti dhe cilësitë morale e shpirtërore të Kolës fitojnë hapësira e shpalosen bukur estetikisht. Sepse shpaloset bukur e plot ngjyra ecuria njerëzore dhe artistike e Idromenos, ku Shkodra për të mbetet idhull, të cilën e mësojmë nga teksti e fotografia, dhe ku ama e dashnisë nis nga fisi, vazhdon me lindjen e Kolës, rininë e tij pasionante, pleqërinë, vdekjen e pasvdekjen e tij. Jo më kot autori Zadeja, si element përforcues e kuptimplotë, veçanërisht dy kapituj i ka përsëritur jo vetëm në emërtimet e tyre por edhe si strukturë, jo për t’i pasur thjesht si ngjashmëri, por për të ndërtuar një kod e për të pohuar lidhjen e shumanëshme, solide të Idromenos me Shkodrëns. Zadeja, në krye të dy kapitujve, bën këto formulime: “Qytet i lindjes – Shkodra” dhe “Qyteti ku u lind, fëmijëria dhe rinia”. Me të drejtë këtë binom Kolë Idromeno dhe Shkodra, që e ndiejmë gjatë gjithë faqeve të librit, Marku e përçon edhe më tej duke i dhënë frazës, strukturës së saj hapësira gjithëpërfshirëse, si: Atdheu i vërtetë është vendi ku ke lindur dhe Vendlindja jote është atje ku ndodhet gjuha e Nënës.

Të gjithë kapitujt e librit mbartin përceptime, këndvështrime, etj. nga ana e autorit, por ruajnë me konsekuencë mëvetësinë origjinale të të gjykuarit e të të studiuarit vetjak. Kështu, te blloku: Kolë Idromeno dhe krijimtaria në fushën e pikturës, gjejmë analiza të thukëta e profesionale të Markut, për tablotë:  “Motra Tone”, “Harapi i Beledijes”, “Fytyrë malësori”, “Vetëportreti”, “Mbesa”, “Plaku i Postribës”, “Portreti i Cinës”, “Gjakmarrja”, “Vdekja e mirë, fundi i hidhur”, “Darsma shkodrane”, “Dy rrugët”, etj.

Marku duke e njohur në imtësi figurën e Idromenos gjatë gjurmimit në vite, në librin e tij i ka kushtuar vëmendje edhe kontributit të artistit në fusha të tjera, si në atë të fotografisë artistike, si një mjeshtër i vërtetë. Siç thotë autori “-Idromenoja punoi për 50 vite me radhë. –Veprimtaria e tij në këtë lloj arti ka karakter fetar, realist e kombëtar. –Idromenoja është pasqyrues i botës shpirtërore të njerëzve.” E në këtë vazhdë të ndriçmit të figurës së tij, Marku shtjellon kontributet e Idromenos si arkitekt e si urbanist, si skulptor, skenograf, butaforist, muzikant, etj.

Do të përmendim emrin dhe kontributet e Idromenos me nderim dhe respekt, sa herë që shëtisim në piacën “Kolë Idromeno” apo në rrugën “Gjuhadol”; sa herë që do të kujtojmë Kafen e Madhe, ish-kinemanë-“Rozafat”, Kafe-Parkun, Bankën e shtetit, Shtëpinë e Kakarriqëve, etj. Pa do të kujtojmë edhe maskat e Karnavaleve, skenografitë e dramave të Kolë Mirditës (Helenau) e të Zef M. Harapit. Pa do të kujtojmë edhe violinistin e kompozitorin Kolë Idromeno. Tingujt e violinës së tij do të na shoqërojnë përjetësisht ashtu siç na shoqërojnë nëpër vite, nëpër dekada e vazhdimisht jaret shkodrane. Tingujt e violinës së Artisti të Madh do të tingëllojnë parreshtur… E këto tinguj të magjishëm do na ndjekin pas, ashtu si peneli i tij plot ngjyra.

Librin-album “Kolë Idromeno (jeta dhe vepra), Botimet Fishta, 2019; autori Mark Zadeja e rrëfeu bukur, në dinamikë, e me një poetikë e filozofi të veçantë. Një përkushtim dritëdhënës ndaj figurës madhore të artistit shkodran Kolë Idromeno, një përkushtim për t’u pasur zili! E shpalosi figurën e Idromenos në shumë plane e thellësi, duke na kujtuar se Kolë Idromeno la një trashëgimi të paarritshme si jetë, si identitet, si krijimtari, si botë me vlera artisti. Këtë botë ia la shqiptarisht, me një shpirt të madh e njerëzor Shkodrës e më gjerë, gjeneratave të kohës dhe gjeneratave të ardhshme. E dashunoi Shkodrën shkodranisht! Nderim!

Shkodër, mars, 2019

Zadeja, Mark: Kolë Idromeno (jeta dhe vepra), Botimet Fishta, 2019; Hyrje, f. 5.

Zadeja, Mark: Kolë Idromeno (jeta dhe vepra), Botimet Fishta, 2019; “Motra Tone”, f. 19.

Zadeja, Mark: Kolë Idromeno (jeta dhe vepra), Botimet Fishta, 2019; “Autoportreti” (“Vetëportreti”), f. 29. 

4 Po aty, f. 29.                                                                                                                                                                                                

G.M./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Shenjat që kanë më shumë gjasa të fillojnë një zënkë në tryezën e festave

Shenjat që kanë më shumë gjasa të fillojnë një zënkë në tryezën e festave