Koleksioni 'Nëntori'/Mustafaj e Zogaj
në 1985: Mësoni nga Enveri

Koleksioni 'Nëntori'/Mustafaj e Zogaj<br />në 1985: Mësoni nga Enveri
Në tetor të 1985, 6 muaj pas vdekjes së Enver Hoxhës në pallatin “Rinia” në Durrës për dy ditë rresht me 21 dhe 22 tetor u mbajt Konferenca Kombëtar e talenteve të reja. Nga diskutimet e mbajtura në të, (të gjitha të botuara në “Nëntorin 12” dhjetor 1985) veçojmë diskutimet e “poetëve të rinj”(siç cilësohen aty) Besnik Mustafaj, gazetar në “Zërin e popullit” dhe Preç Zogaj.  Tema e diskutimit të Besnik Mustafajt është “Mendimi teorik i shokut Enver- Horizont krijues për letrarët dhe artistët e rinj”, ndërsa Preç Zogaj flet për temën “Puna e gazetarit e pasuron me jetë poezinë”. Se ç’lëndë kanë këto diskutime mund t’i kuptosh pa u thelluar në to: porositë dhe direktivat e Partisë dhe Enverit për artin dhe letërsinë. Ajo që bie në sy është gjuha që zgjedhin këta dy poetë të rinj për diskutimet e tyre, mbushur me terma të rëndomtë politikë dhe zelli për të artikuluar porosi me frymën e regjimit  për krijuesit e tjerë të rinj...
 

Besnik Mustafaj (1985)
"MENDIMI TEORIK I SHOKUT ENVER- HORIZONT KRIJUES PËR LETRARËT DHE ARTISTËT E RINJ"

Në cilësimin që i bën shoku Ramiz Alia figurës së shokut Enver si “arkitekt i Shqipërisë së Re, organizator dhe udhëheqës i drejtëpërdrejtë i gjithë atyre transformimeve revolucionare që janë bërë pas çlirimit, frymëzues i gjithë atyre veprave monumentale që ia kanë ndryshuar pamjen vendit tonë” shprehet në mënyrë të sintetizuar kontributi i gjithanshëm i Enver Hoxhës. Një nga këto vepra monumentale është edhe armata e shkrimtarëve dhe artistëve shqiptarë. Njihet nga të gjithë vëmendja me të cilën shoku Enver e ka ndjekur deri në fund veprimtarinë e shkrimtarëve dhe artistëve, ai ka komunikuar me ta si udhëheqës e si shok, si filozof e si koleg, me qëllim që veprat e tyre të bëheshin përherë turbina të fuqishme të një energjie të brendshme shpirtërore për masat e popullit.

Këtu kujdesi i shokut Enver ka qenë vazhdimisht i veçantë, sidomos për shkrimtarët e artistët e rinj, për ne pra që jemi mbledhur në këtë konferencë dhe para nesh, ashtu siç e ndiejmë dhe ne sot, e kanë ndjerë tërë shkrimatrët e artistët e afirmuar të Shqipërisë kur kanë qenë në moshën tonë dhe janë rritur me ngrohtësinë e tij. Si erudit i madh e njohës i thellë i artit e letërsisë, shoku Enver ka ditur të shtrojë para shkrimtarëve dhe artistëve të rinj ato kërkesa që atyre u ishin të domosdoshme për ta kultivuar në rrugë të mbarë talentin. “Kur partia i këshillon njerëzit tanë e në mënyrë të veçantë shkrimtarët e artistët të pajisen me kulturë të gjerë, të mësojnë marksizëm-leninizmin, të venë në popull, të frymëzohen e të krijojnë, kjo është një çështje vendimtare”. Pra, shoku Enver ia jep brezit të ri të talentuar piketat vendimtare nga duhet të ecë për ti zhvilluar dhuntitë e tij. Paisja me një kulturë të gjerë, siç na mëson shoku Enver, është një problem kyç. Dhe me kulturë shoku Enver kupton njohjen e fondit të pasur të veprave të traditës sonë letrare e artistike, që nga më të vjetrat e deri te më të rejat si dhe asimilimin e shëndoshë të thesarit përparimtar botëror.

Kështu, shoku Enver i porosit vazhdimisht shkrimatrët dhe artistët e rinj, ashtu si tërë njerëzit tanë të artit e të kulturës, që të ruhen si nga kozmopolitizmi, edhe nga ksenofobia. Por ky qëndrim i drejtë e vlerësues ndaj kulturës kombëtare e ndërkombëtare, është i përcaktuar nga formimi ideopolitik i atistit. Prandaj shoku Enver porosit që studimi dhe përvetësimi i kulturës letraro-artistike të paraprihet nga njohja e thellë e teorisë së marksizëm-leninizmit dhe zbatimit të saj krijues nga Partia jonë. Dhe pastaj, që ky formim i plotë ideopolitik e profesional të mishërohet në vepra që të bëhen të dashura për popullin, shoku Enver u tregon shkrimtarëve e artistëve edhe burimin e temave, të problematikës e të frymëzimit dhe rrugën nga fitohet ajo: zemra e tyre të rrahë me zemrën e popullit. Të tre këta komponentë përbëjnë një të tërë, përbëjnë figurën e njeriut tonë të letërsisë e të arteve, të krijuar me durim nga Partia, sipas mësimeve të shokut Enver.

Si udhëheqës i Partisë, shoku Envnentori 1985er i shtron me realizëm të thellë problemet e talenteve të reja. Ai e kupton se rritja e tyre e pandërprerë ka nevojë për një përkrahje të gjithanshme. Krijimi i Shtëpisë Botuese dhe gazetave të ndryshme ku shkrimtarët e artistët e rinj ti botojnë veprat e tyre, po edhe t’i kenë këto ente si burime të përhershme prej nga të marrin informacionin që i duhet formimit të tyre, ishte vetëm hapi i parë. Ai interesohej që shkrimtarëve dhe artistëve t’u krijoheshin të gjitha mundësitë të arsimoheshin në shkollat tona e më pas, me porositë e çmuara, bënte të mundur që atje ku ata punonin, organet e Partisë e të pushtetit në qendër e në bazë t’u krijonin një mjedis të ngrohtë e shoqëror, t’u krijoheshin edhe kushte lehtësuese që të kishin kohë t’i kushtoheshin krijimtarisë. “Partia jonë- thotë ai, me punën dhe edukatën e saj prej mëme, t’i mbrojë, t’i edukojë e t’i inkurajojë me të gjitha mjetet këta të rinj”.

Shoku Enver, me mprehtësinë e tij, ka hyrë deri në hallet tona më të imëta, deri në marrëdhëniet krijues-redaktor. Nuk mund të harrohet këshilla dinjitoze që na jep ai për të mos i pranuar kurrsesi ato ndërhyrje të redaktorit që prekin shpesh herë vetë thelbin e krijimit, por t’i themi atij prerë e me kurajë: “atëherë, bëje vetë”. Një qëndrim i tillë, siç na mëson shoku Enver, është gjithmonë vetëm në dobi të cilësisë së veprës, ndaj si ne, edhe redaktorët duhet të kemi vazhdimisht mirë parasysh. Si një lexues i zellshëm i krijimtarisë së shkrimtarëve dhe artistëve të rinj, shoku Enver jetonte shpirtërisht me vlerat e tyre, entuziazmohej e nuk e fshihte gëzimin. Nga kujtimet e shkrimtarëve e artistëve tanë në zë , si edhe nga letrat drejtuar personaliteteve të letërsisë e artit, mësojmë lidhjet e tij të afërta me ta dhe konsideratën e lartë për veprat që u ka lexuar.

Por nuk është vetëm kjo. Në shkrimet e tij gjejmë edhe shpërthime të tilla që ndjehen se i vinin drejt nga zemra: “Një frymëzim i madh po shtyn përpara një brez të ri të mrekullueshëm shkrimtarësh e artistësh që po afirmohen e po bëhen të dashur për popullin”. Ky vlerësim i lartë jo veç se del nga goja e udhëheqësit të Partisë, por edhe duke e parë atë thjesht si lexues, është një inkurajim i jashtëzakonshëm për çdo krijues të ri, pasi dihet çfarë lexuesi ishte Enver Hoxha. Sa herë i kemi dëgjuar shkrimtarët tanë të afirmuar të thonë se mendimi që veprën tënde do ta merrte në dorë shoku Enver, të bënte të mateshe para se ta dërgoje Shtëpinë Botuese. Edhe vetëm kjo gjë, në vetvete, përbën një ndihmë, pasi e shtynte shkrimtarin e artistin e ri të ishte shumë kërkues daj veprës së vet.

Si filozof, si burrë shteti e publicist i shquar, shoku Enver na ka dhënë ne të rinjve një ndihmë të paçmuar jo vetëm me këshillat e porositë e drejtëpërdrejta që na ka dhënë, e të cilët janë historike sepse në to është i sintetizuar vetë qëndrimi i Partisë ndaj talenteve të reja edhe në të ardhmen, por edhe vetë vepra e tij e shkruar përbën një pasuri të rrallë kulturore, politike, ideologjike, filozofike e letrare. Studimi i saj i vazhdueshëm nga ne, na i jep të gjitha ato sa thamë më lart, por na jep edhe një përvojë konkrete për punën me stilin. Qëndrimi ideomocional që mban shoku Enver ndaj përmbajtjes së veprave të veta, puna plot durim e tij me stilin, që vepra të ketë një formë sa më të përsosur, por edhe të qartë, që të jetë e kuptueshme për masat e gjera të popullit të cilave u drejtohet, por të jetë vazhdimisht edhe novatore dhe jashtë skemave, për ne është një shkollë e madhe gjithnjë e hapur.

Si gjeni, vetë jeta e shokut Enver është një ndihmë e veçantë për shkrimtarët dhe artistët e rinj. Njohja e kësaj jete na frymëzon për punë të paepur sepse na mëson neve çfarë vlere fitojnë forcat tona mendore e fizike kur vihen në shërbim të idealeve të shenjta të Partisë, të popullit e të atdheut. Na mëson se sheshi i mejdanit për çdo vepër është vetëm atje, në gjirin e popullit, na mëson se pa një këmbëngulje vetëmohuese nuk mund të arrish kurrë të krijosh vepra me vlerë, se pa shpirt polemike nuk mund t’i shërbesh shtytjes përpara të artit e të letërsisë në tërësi, dhe se ky shpirt polemik duhet të burojë nga fryma shoqërore dhe vëllazërore, komuniste ndaj veprave të kolegëve. Jeta e tij është një shkollë e pazëvendësueshme për të na kalitur vullnetin e pasonin, prandaj është e domosdoshme ta njohim gjithnjë e më shumë. Dhe do ta njohim gjithnjë e më mirë, bashkë me Veprën e tij gjeniale do ta kemi në ballë për të na udhëhequr në çdo hap.

Preç Zogaj, (1985)
 
PUNA E GAZETARIT E PASURON ME JETË POEZINË

Para poezisë, gjithnjë e sidomos sot, qëndron kërkesa e Partisë për afrimin e saj më pranë jetës së popullit, më pranë problemeve të shoqërisë, më pranë faktit jetësor. Kjo kërkesë nuk mohon traditën e poezisë sonë të re, përkundrazi bazohet e arsyetohet në vlerat më të spikatura të kësaj tradite, në eksperiencën e poezisë më të mirë. Prandaj ajo adresohet veçanërisht për brezin e ri të poetëve dhe ka të bëjë me ngritjen e poezisë në nivele të reja dhe rrjedhimisht të ngritjes së poetit në lartësitë e ndihmësit të partisë për edukimin komunist të njerëzve.
Kjo kërkesë që përputhet me aspiratat poetike të çdo krijuesi përkupton pikësëpari shkrirjen e subjektit krijues me jetën e gjallë me dukuritë, me konfliktet, me ndeshjet, realizimet e gëzimet e kohës. Të arrish përjetimin artistik të kohës do të thotë të jetosh intesivisht atë si qytetar e militant shoqëror. Nga ky këndvështrim, puna si gazetar është ndër premisat fatbardha për punën e poetit...

Gazetari dhe poeti- kjo është tema e njohur e dy bashkudhëtarëve interesantë që ka tërhequr vazhdimisht vëmendjen e njerëzve të letrave. Kjo është e kuptueshme, përderisa mjaft prej tyre startin dhe jo vetëm startin e kanë pasur në redaksitë e të përditshmeve dhe periodikëve. Në vijim të kësaj praktike sot militojnë në organet e shtypit disa poetë të rinj si: Besnik Mustafaj, Ilirjan Zhupa, Bujar Xhaferri, Izet Duraku, Teodor Keko, Xhevdet Shehu e ndonjë tjetër. Po ne s’e kemi fjalën thjeshtë për poetin si pjesëtar të brendshëm të një redaksie, me planin e tij të punës e detyrime të tjera të kuptueshme. Fjalën e kemi për jetën prej gazetari. Gazetari dhe poeti në vendin tonë kanë një program: të pasqyrojnë jetën e shoqërisë në zhvillimet e saj të vazhdueshme, me partishmëri e tendenciozitet. 

Përputhet programi, por mjetet e shprehjes janë krejt të ndryshme, lënda gjithashtu ka veçori e nuancash të dallueshme. Asnjëra palë nuk ia ezauron sektorin palës tjetër, madje gazetari ia zgjeron sektorin e lëvizjes poezisë. Mendoj se nuk mund të kuptohet diapazoni i gjerë, thellimi në problemet e shoqërisë dhe fryma tokësore në poezinë e Agollit pa atë endje të gjatë 15-vjeçare, qyteteve, fushave e maleve të Shqipërisë me bllok gazetari e fletore poeti në çantë. 
Dikush mund të më kundërvihet me shembullin e kundërt të tërheqjes së zgjuar e në kohë nga redaksitë të ndonjë poeti tjetër, gjë që ka përcaktuar veçoritë e poezisë së tij. Këtu s’ka asgjë për t’u çuditur. Vlerësimet e ndryshme për raportet e gazetarit me poetin kanë të bëjnë me natyrën e njërit e tjetrit krijues dhe nuk e prekin thelbin e këtij raporti. Është në natyrën e punës së gazetarit që të jetë në lëvizje, në kërkim të përhershëm. Ai është në lidhje të vazhdueshme e dinamike me problemet më të reja të jetës, me direktivën më të re të partisë, me jehonën e saj në popull, me procesin e zbatimit të saj.

Kush është e reja në stadin e tanishëm? Cilat dukuri kanë të ardhme? Cilat dukuri përbëjnë regres e të tjera e të tjera.
Një varg pyetjesh të tilla shoqërojnë gazetarin në punën e tij dhe ia mprehin fort shqisën e vlerësimit poetik të gjërave në përputhje me mësimet e partisë dhe nevojat për përparim.
Kjo praktikë e bën atë më të angazhuar, më social, më militant. Nga kjo praktikë poeti gazetar përfiton shumë. Jeta si gazetar e ballafaqon poetin me realizimet madhështore të prodhuesve e ndërtuesve të fushave të ndryshme që i kujtojnë poetit çdo çast atë që ka krijuar, e nxisin të krahasojë kalibrin e krijimit poetik me krijimin tjetër njerëzor. E nxisin të guxojë më shumë.

Lëvizja e vazhdueshme të cilën e lejon puna si gazetar, shmang prehjen fatale për poetin e ri, mbylljen, ambientimin me kënaqësinë meskine me indiferentizëm, etj, që domosdo reflektohen në poezinë mediokre pa vlera shoqërore. Mediokriteti në poezi ka si shkak kryesor mefshtësinë, indiferentizmin, konformizmin e shpëlarë të krijuesit në jetën e tij si qytetar.

Lëvizja dhe hapësira janë ushqim jetik për poezinë. Në një lëvizje poeti njeh njerëz anë e mbanë atdheut, mosha e profesione të ndryshme, temperamente të ndryshme. Mënyra si ndjejnë, si reagojnë, si flasin, si punojnë e ndërtojnë ata gjallëron motivet e poezisë, i jep asaj hukamën njerëzore dhe shqiptare, i jep konstrukte, etj, etj... Librat që janë bërë objekt diskutimi në këtë konferencë janë përgjithësisht të periudhës paragazetareske të autorëve, kur ata kanë qenë bashkëpunëtorë të gazetave. Megjithatë në librat e tyre reflektohet angazhimi militantizmi, hapësira, lëvizja dhe ç’është më kryesorja fryma shqiptare. Në ciklet që kanë pasur librat e Besnik Mustafajt, të Ilirjan Zhupës, të Teodor Kekos, të Bujar Xhaferrit, të Elsa Ballaurit, etj, vërehet më qartë se si e ka gjallëruar e përtërirë poezinë jeta e gjallë. Ato paralajmërojnë se librat e tyre të ardhshëm do të jenë më cilësorë. Veçse duhet ditur se si ta shfrytëzosh në të mirë të poezisë gazetarinë.

Si shfrytëzohet për mirë? Duke e kaluar në plan të dytë e të tretë gazetarinë? Duke e bërë shkel e shko sa për të qenë ën rregull nga ana formale? Përkundrazi gazetari mbaron kur përfshihet në rutinën e mbledhjes së fakteve nëpër zyra, nëpër mbledhje nga disa nëpunës, kur u kalon në sipërfaqe problemeve. Mbaron gazetari e tok me të poeti. Por shembujt më të mirë kanë treguar se poezisë i shërbehet mirë kur i shërbehet edhe gazetarisë mirë, kur e kërkon njeriun e punës, miqësohesh me të, me punën, me jetën, me shpirtin e tij; kur e kërkon të renë kudo qoftë ajo; kur këmbët e gazetarit nuk sprapsen para maleve, para baltërave të fushës.

E gjithë kjo ushqen frymëzimin e poetit, revolucionarizon programin e tij. Ai mbushet me pengjet e dashurisë njerëzore, që kërkon t’i kthejë përmes krijimit poetik. Poetët e rinj me mësimet e Partisë e të shokut Enver në mendje dhe në zemër, luftojnë që krijimi i tyre të jetë sa më cilësor.
Është rasti këtu të kërkojmë vëmendjen më të madhe të redaksive, qoftë për harmonizimin e interesave mes gazetarit dhe poetit, qoftë në aktivizimin më të madh të poetëve jashtë redaksive.

(Ne foto: Kopertina e "Nentorit 12" dhjetor 1985)

 Shkrimi u publikua sot (2.11.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Modena/ Dy ‘skifterët’ shqiptarë grabitën 400 mijë euro mall në tetë ditë, 19 vjedhje në seri! Njëri i dënuar dhe për plagosje, plaçkitjet me orar

Modena/ Dy ‘skifterët’ shqiptarë grabitën 400 mijë euro mall në tetë ditë, 19 vjedhje në seri! Njëri i dënuar dhe për plagosje, plaçkitjet me orar