Koleksioni Vjeshtë/Dimër i këtij sezoni nga shtëpia e modës Valentino, risolli në jetë me dizenjot e saj stilin fisnik të Olimpit të lashtë. Në pasarelën e Parisit gjatë Javës së Modës që po zhvillohet këtë muaj, dyshja e stilistëve Maria Grazia Chiuri dhe Pierpaolo Picciolo u inspiruan nga arti i Para-Rafaelianëve me përdorimin intensiv të së bardhës, të zezës dhe të argjendtës të theksuar në shumë detaje të veshjeve.

Modelet u shfaqën me fustanet e tyre me tyle të hedhura në stilin e perëndeshave të Olimpit dhe sandalet karakteristike të gladiatorëve. Stili Grek i veshjeve vihej re në format gjeometrike të fustaneve, xhaketave dhe palltove. Modelet sfiluan në pasarela me veshjet transparente të qendisura me forma gjethesh, me kurrizin jashtë dhe mbulesat prej pelerine të gjata deri në dysheme si dhe me flokët e gjata të lëshuara që transmetonin një sensualitet pagan.

Kritikët cilësuan se kjo ishte një risjellje e ëmbël e Nënës Natyrë me motivet e luleve, prekjen e jeshiles së pyjeve dhe të kuqes së errët të tokës, bashkë me qëndisjen e puplave të strucave dhe gjelave. Veshja më e veçantë ishte këmisha prej kashmiri e qepur me një copë oigjinale të shekullit të gjashtëmbëdhjetë të thurur me fije ari. Përdorimi i ngjyrës së zezë të alternuar i dha veshjeve dhe modeleve një pamje më të fuqishme, të pastër dhe sensuale.

Në rreshtin e parë të pasarelës ishin të ftuara të famshme si ylli i serialeve amerikane Kim Kardashian dhe aktorja britanike Emma Watson.
Shfaqja e Valentinos u prezantua në ditën e parafundit të Javës së Modës në Paris, realizimi më i rëndësishëm i vitit për botën e modës.