Shqipëria është “e dashuruar” me BE dhe kërkon të bëhet pjesë e familjes, u shpreh kryeministri Edi Rama në Konferencën Ndërparlamentare. Për këtë arsye, kryeministri u kërkoi përfaqësuesve evropianë që mos ta lënë në baltë rajonin e Ballkanit Perëndimor pasi ky do të ishte dështimi më i madh për BE.

Ai foli edhe për protestat përpara kryeministrisë duke përmendur sërish se shqiptarët kanë kuptuar se gjërat mund të jenë më mirë dhe kanë pritshmëri më të larta.

“Dua thjesht të ndaj me ju disa mendime. Kur flasim për këtë moment në Shqipëri, jam i sigurt që ju jeni argëtuar mjaft kohët e fundit me flamingot, edhe pse jam i mundur që nuk do të gjeni më aq shumë apo të duken aq bukur sa në fotot që shpërndajnë kolegët tuaj, por po u referohem atyre sepse janë shembulli më i mirë. Besoj që Shqipëria ka bërë mjaft përparim në dekadën e fundit dhe ka kaluar nga një epokë kur njerëzit mendonin që gjërat mund të bëheshin më keq te një epokë kur gjërat mund të jenë më mirë. Ky është revolucion i rritjes së pritshmërive. Njerëzit e kanë kuptuar që vendi e ka aftësinë për të kërcyer edhe më lart, të bëhet komplet ndryshe, që shumë gjëra po lëvizin dhe që ka zhvillim të dukshëm oër këdo. Në të njëjtën kohë kanë pyetje dhe me të drejtë, është e natyrshme të kombinohen edhe me ankthin që të jep koha e sotme, në njëfarë mënyrë duket sikur je në Europë, në aspektin e ankthit, pasigurive, njëfarë shkalle vetmie që bëhet gjithnjë e më shumë e pranishme në jetët tona dhe hapësirën e demokracisë kur ky hutim i madh mes lirisë së fjalës ka çuar në njëfarë trysnie që vjen nga shumë lajme të pasakta dhe teori konspirative që kanë shtuar barrën e rëndë sociale. Nga ana tjetër, krahasuar me të dhënat e BE, kemi një përparësi të madhe: ende e dashurojmë BE. Nuk ndodh fiks kështu me vendet tuaja ku më shumë merret si e mirëqenë BE, si të ishte martesë, kurse ne jemi plotësisht të angazhuar, debatojmë shumë gjëra, çdo ditë kemi kapacitetin për të gjetur arsye për të mos qenë dakord me njëri-tjetrin, ama për një gjë kemi rënë të gjithë dakord: për faktin që duam të jemi pjesë e Evropës dhe e dashurojmë Evropën. Unë shpresoj shumë që mos të na lini përsëri në baltë sepse shkon përtej, është të lësh në baltë edhe vetveten. Nëse Evropa do të lërë në baltë BE, do të jetë dështimi më madhor”, tha Rama.

Lajm në përditësim...

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 11:30
Ambasadorja e BE në Tiranë: Sa më pranë anëtarësimit ecni, aq më impenjativ bëhet! Vijoni punën me kapitujt, arritjet janë treguesi

1790586936_sofiamoreiradesousa.JPG

Procesi i anëtarësimit bëhet gjithnjë e më kërkues sa më pranë tij të jetë Shqipëria, tha ambasadorja e BE në Tiranë, Sofia Moreira de Sousa. Ajo theksoi vazhdimisht gjatë fjalës së saj në Konferencën Ndërparlamentare se efekti i reformave duhet të jetë i prekshëm nga qytetarët dhe të ketë fokus qasjen dhe gjithëpërfshirjen.

“E ardhmja europiane e Shqipërisë po bëhet gjithnjë e më e prekshme. Anëtarësimi jo vetëm që përgatit Shqipërinë për anëtarësimin e ardhshëm në BE, por ndihmon qytetarët shqiptarë që të ndiejnë efektin shndërrues që ai sjell. Sa më pranë ecni me anëtarësimin, aq më impenjativ bëhet procesi sepse miratimi i legjislacionit është vetëm pjesë, sepse zbatimi është i pazvëendësueshëm. Faza ku gjendet Shqipëria do të kërkojë që institucionet të kërkojnë në mënyrë të përhershme të pavarur. Çfarëdo lloj vlerësimi për gjendjen ku ekziston një demokraci nuk bëhet vetëm me zgjedhjet, por edhe si e luan rolin e vet Kuvendi, transparenca, vendimmarrja dhe debati politik. Zëri i qytetarëve ofron gjithashtu hapësirën ku mund të shprehen dhe debatohen vendimet politike. Kalendari ambicioz nuk mund të vijë në dëm të cilësisë, mbikëqyrjes parlamentare dhe ndaj është kaq e rëndësishme qasja dhe gjithëpërfshirja. Anëtarësimi merr kuptim vetëm kur qytetarët kuptojnë çfarë do të thotë vërtet BE për jetën e tyre të përditshme”, tha Moreira de Sousa.

Mesazhi është i qartë, tha ambasadorja, Shqipëria të vijojë me negociatat dhe BE e mbështet, por gjithçka varet nga arritjet konkrete. Destinacioni është Europa e bashkuar dhe kontributi i Shqipërisë në BE.

“Ambicia për të mbyllur negociatat deri në 2027 është impenjative, kërkon angazhim të vazhdueshëm. BE mbetet mbështetës kryesor, por besueshmëria e kësaj ambicieje varet tek arritjet. Mesazhi është i qartë: vazhdoni me këtë që po bëni. Rrugëtimi europian e ka ndryshuar Shqipërinë në shumë aspekte. Detyra që mbetet është që shndërrimi të vazhdojë, përfitimet e reformave të ndihen nga qytetarët. Destinacioni është më shumë se anëtarësim, por një Europë më e bashkuar dhe rezistente ndaj kërcënimeve të së ardhmes, si dhe një Shqipëri që është e gatshme të kontribuojë në BE”, përfundoi ambasadorja.

Ora 11:12
Integrimi në BE, raportuesi Schieder: Shqipëria është pararendësja e procesit të zgjerimit! E meriton të jetë anëtare e re brenda dekadës

Shqipëria është pararendëse e procesit të zgjerimit, tha raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Andreas Schieder. Në Konferencën Ndërparlamentare, ai shprehu dëshirën për të dhënë kontributin e tij në zgjerimin e Bashkimin Europian.

“Zgjerimi i BE-së nuk është vetëm projekt i së ardhmes, është diçka që e meriton gjithë kontinenti dhe ajo që ëndërronim në 1989 dhe dua të jap edhe unë kontributin tim për të finalizuar këtë moment historik. Mbase ka shkuar pak gjatë, por ka një mundësi më të mirë. Shqipëria është pararendësja e procesit të zgjerimit dhe për mua është funksion i PE që t’i shohë të gjitha hollësitë nga një pikëpamje e politikave parlamentare të BE-së”, tha Schieder.

Ndërsa përmblodhi arritjet e Shqipërisë gjatë negociatave, Schieder tha se reformat duhet të reflektojnë ndryshimin në shoqëri. Besimplotë tha se vendi mund të mbyllë ende disa kapituj dhe të realizojë ambicien e anëtarësimit brenda 2030.

“Pas gjithë këtyre negociatave, kanë dalë shumë hollësi, por tani ndodhemi në fazën e fundit të garës. Ka ende disa kapituj që duhen mbyllur, Shqipëria ka qenë mjaft veprore. S’është vetëm hapja e kapitujve, duhet edhe mbyllja. Pastaj vjen ndikimi që ka zbatimi i këtyre kapitujve dhe këto reforma të ndihen në shoqëri. Shqipëria mundet të mbyllë edhe disa kapituj, e meriton të jetë anëtare e re brenda kësaj dekade”, tha raportuesi.

Ora 11:02
Zgjerimi i BE-së/ Rama: Mos i lini vendet kandidate të luajnë me 'gangsterin rus' dhe 'lodrat kineze', Europa të mos na kujtojë vetëm kur ka kriza (VIDEO)

Kryeministri Edi Rama kërkoi që vendimet politike për zgjerimin e Bashkimit Europian të mos lihen për në momentin e fundit, ndërsa procesi për secilin vend të vijojë më pas mbi bazën e meritës. Rama tha se Europa duhet t'i mbajë vendet kandidate rreth “tavolinës” dhe larg ndikimit të Rusisë dhe Kinës.

“Çfarë duhet të ndryshojë dhe çfarë mund t’i lehtësojë ata persona që ngurrojnë, është që vendimet politike të mos lihen për momentin e fundit, por të merren tani dhe pastaj, në fund, të lihen proceset në bazë të meritës që çdo vend ka. Ka një koincidencë, shtatë fëmijë ka Ursula dhe BE-ja ka shtatë kandidatë. Fëmijët e Ursulës nuk u rritën në lagje, ata u rritën rreth tavolinës. Ajo nuk i tha vajzës: ‘Shko dhe kalo ca kohë me gangsterin rus te cepi, se mami është pak e zënë’. Nuk i tha djalit: ‘Shko e luaj me ca lodra kineze, sepse tavolinën tani e përdorin të rriturit’. Nuk duhet të kujtojmë se jemi në Europë sa herë ka një sulm apo kur ka ndonjë pandemi dhe gjendemi rreth kësaj tavoline. Apo kur vjen ndonjë valë emigracioni të paligjshëm në Europë; në ato momente nevojitemi edhe ne, sepse rruga e emigracionit kalon nga këtu. Shumë e thjeshtë është: hajdeni, bëjeni”, tha Rama.