Zoti Kollozi sipas vlerësimit të opozitës që e dëgjuam edhe nëpërmjet Eduard Shalsit ligji ka dështuar?
Kuptohet që në këtë proces opozita përgjithësisht në qendrimet e saj ka qenë skeptike dhe ka ndikuar për të rritur skepticizmin gjatë hartimit, miratimit të ligjit dhe më pas gjatë zbatimit dhe implementimit të tij. Së pari dua të them si relator i ligjit si një njeri që e njoh ligjin që gjatë hartimit të tij se koha ka provuar që ky ligj është zgjidhja më e drejtë, më e ndershme dhe më e drejtpërdrejt për këtë process dhe për këtë problem i cili lindi pas viteve 90. Ky ligj i jep një përgjigje të drejtpërdrejt tanimë kësaj problematike. Ne legalizojmë, formalizojmë i kthejmë tregut me mijëra shtëpi të shqiptarëve, mundin dhe djersën e tyre. investimin e tyre. Po me kaq kujdes ne përpiqemi të kompensojmë deri në qindarkën e fundit ish pronarët të cilëve u është zënë kjo pronë e tyre nga ndërtuesit informal. Pra koha ka provuar se ky është propozimi më i drejtë , kjo ishte zgjidhja më e duhur. Propozimi i bërë nga opozita ishte ligji i 2004 i cili thoshte urbanzim dhe pastaj legalizim.
Ku është ndryshimi?
Kuptohet që ligji i tyre është i pazbatueshëm, utopik, kurrë nuk do të gjendeshin fondet, kurrë shteti nuk do të kishte aftësi financiare për të urbanizuar gjithë Shqipërinë dhe më pas të bënte legalizimin, pra ku proces do të kalonte në kalendat greke.Ne themi legalizojmë pronën e ndërtuar dhe me lekët e mbledhur nga ky proces dhe me fonde të tjera të dhëna nga shteti të bëjmë urbanizimin e këtyre zonave informale. 20 % e fondit që merret nga legalizimet shkon për tu riinevstuar në ato zona.
Banka Botërore në një raport të saj lidhur me gjendjen e informalitetit të pronave në Shqipëri jep një vlerësim sipas të cilit rreth një e treta e ndërtesave në Shqipëri janë të paligjshme në një mënyrë ose tjetër.Vërtet kemi një situatë të tillë?
Ky është një informacion që e ka BB dhe unë nuk kam asnjë argument për ta kundërshtuar. Ata në fakt kanë thënë një gjë tjetër që përtej 270 mijë vetëdeklarimeve ka dhe 80 mijë të tjera që jan ndërtuar pas afatit të hyrjes në fuqi të ligjit. Unë jam drejtor i ALUIZNI-t kam një ligj në punën time që më përcakton se kush janë objektivat kush janë kriteret, kur kualifikohen apo jo. Në këtë kuptim të gjitha ato ndërtime që janë zhvilluar apo ndërtuar pas datës së hyrjes në fuqi të ligjit natyrisht nuk janë objekt i ligjit të legalizimeve se ato skualifikohen, nuk janë objekt i këtij ligji, janë objekt ligjit e inspektimit të ndërtimit, ka struktura që merren me zbatimin e këtij ligji është Inspektoriati Kombëtar i Ndërtimit por edhe inspektoriatet rajonale të njësive vendore.
Që do të thotë vendos Inspektoriati çdo të bëhet me ndërtesat?
Këtu do të ketë një vendimarrje politike pasi numri i atyre ndërtimeve është i madh. Një vendimarrje politike që do të merret në kohën e duhur. E vërteta është kjo që ligji i legalizimeve duhej dhe duhet të konsiderohet si vija fundore si ora zero e ndërtimeve informale në Shqipëri. Shqiptarët duhet të kuptojnë se nuk mund të ecin më me iniciativa spontane të marra nga ata vetë duhet të respektojnë ligjin dhe duhet të respektojnë zhvillimin e territorit. Duhet bashkarisht me institucionet e tjera përgjegjëse të punojmë dhe të ndalojmë që të zhvillohen iniciativa të tjera private të pambështetura në ligj që nuk zbatojnë proçedurat që nuk kanë leje ndërtimi që nuk zbatojnë lejet urbanistike. Theksoj që të vetmit të demtuar nga moszbatimi i ligjit do të jenë vetë qytetarët
Sa kërkesa për legalizim janë në total , 270 mijë apo ka të tjera?
Në fakt janë rreth 270 mijë vetëdeklarime dhe databaze është i plotë nuk mund të ketë më vetëdeklarime janë mbyllyr në afatin e tyre ligjor. Prej tyre janë kualifikuar rreth 240 mijë të tjerat janë skualifikuar për shkaqe kohore, kanë ardhur më pas afatit ligjor të deklaruar. Jemi duke punuar mbi 240 mijë dosje. Struktura e organizuar e ALUIZNI-t shpërndahet në të gjithë Shqipërinë. Kuptohet Tirana është kryeqendra e ndërtimeve informale që ka rreth 92 mijë vetëdeklarime. Durrësi me 37 mijë, Fieri me 27 mijë, Vlora me 24 mijë, Elbasani 24 mijë, Korça 11 mijë e kështu me radhë në qytete të tjera, po punohet me intensitet kudo për ti mbyllyr brenda afatit kohor.
Çfarë do të ndodh me këta 30 mijë që kanë bërë deklarimet jashtë afatit janë njoftuar ata?
Ky ka qenë një vendim i marrë në fillim të procesit, të gjithë janë njohur me këtë vendimarrje. Ajo që dua të garantoj unë është se ne do të tregohemi të kujdesshëm sepse dimë se pas çdo dosje të skualifikuar qendron mundi dhe djersa e një shqiptari. Qëllimi është që ky proces të fitoj ritmet e duhura që ne të ecim shpejt dhe të japim produktin për ato dosje të cilat janë aty, që kanë të gjithë dokumentacionin e plotë. Më pas hap pas hapi të shikojmë ato dosje që kanë problematikë që do kërkojnë vendimarrje të specifikuara, sepse duam që ky proces të shkoj deri në fund dhe çdo ndërtim informal që nuk cënon ligjin të përmbyllet.
Sa janë dosjet e përfunduara në momentin që flasim?
Kanë qenë 7 mijë të përfunduara deri në momentin kur kam filluar detyrën dhe brenda këtyre tre muajve ne kemi bërë 11500 të tjera. Të martën tjetër do të publikojmë listën e 2500 -3000 lejeve të reja të legalizimit. Ritmet janë përshpejtuar ndjeshëm, objektivi jonë është është që ne duhet të bëjmë 2500 deri në 3000 leje legalizimi në javë në rand vendi dhe të bëjmë të mundur që të mbyllim të gjithë procesin brenda vitit 2013
Ju premtoni të mbyllni këtë process voluminoz brenda 2013, ku e bazoni këtë premtim?
Ju thashë brenda këtyre 2 muajve e gjysëm kemi bërë 11500 dhe 2500 të tjera që publikohen javës tjetër, shkojnë 14 mijë në më pak se tre muaj. Nuk është ky ritmi që duam. Nëse ne do realizojmë rreth 2500 në javë, në muaj do të shkojmë në rreth 12 mijë në muaj dhe për 18 muaj që kemi në dispozicion shifrat dhe aritmetika na bën të besojmë se ky proces do të përmbyllet. Janë sot 20 mijë leje legalizimi të dhëna dhe deklaroj me bindje të plotë se në 2013 do të mbyllet.
Çfarë ndodh me fondet që mblidhen, raporti i BB-së flet për 30 milionë dollarë të inkasuara ?
Ne jo vetëm legjitimojmë, formalizojmë, legalizojmë pronat por edhe kujdesemi që të kompensojmë ish pronarët. Prandaj ky ligj është i drejtë dhe prandaj në gjykatën kushtetuese gjithë ky proces u konsiderua si një ligj i drejtë. Tashmë po kujdesemi që ky proces të ecë paralel , pra 20 % i kalon njësive vendore që kanë oblifgimin ligjor ti investojnë në zonat ku ato janë vjelë dhe 80 % shkon për kompensimin e ish pronarëve. Tashmë kemi përgatitur rreth 2700 vendime për tia dërguar këshillit të ministrave për kalim pronësie dhe për kompensim.
Më lart folëm për raportin e Bankës Botërore për rreth 80 mijë ndërtime të paligjshme që nuk përfitojnë nga ligji i legalizimeve, mund të na thoni diçka më shumë rreth tyre?
Të paktën në raportin e BB-së flitet për ndërtimet e realizuara pas vitit 2006 pra pas hyrjes në fuqi të ligjit, dhe për këtë arsye sic e thashë edhe më parë ato nuk mund të jenë object i ligjit tonë, pra janë rreth 80 mijë ndërtime të ndërtuara jashtë kritereve ligjore pa respektuar kigjet në fuqi, kanë bërë shumë gabim është një veprim i kundraligjshëm. Ka një ligj që operon në këtë fushë ai që operon dhe inspekton ndërtimet dhe zhvillimin urban kudo, por siç e theksova ka për të patur një vendimarrje politike. Banka Botërore po merret me këtë çështje ka propozimet e saj. Si drejtor i ALUIZNI-t mund ët them se zgjidhja që dhamë ishte një zgjidhje që duhet ti jepte fund ndërtimeve informale. Kuptohet që institucionet e shtetit por dhe të njësive vendore duhet të bënin kontrollin e territorit dhe duhet të ndërprisnin ndërtimet pa leje ti shkurajonin ato. Shqiptarët duhet të respektojnë ligjin sepse është ai që prevalon dhe të dëmtuarit do të jenë vetëm ata.
(aq/shqiptarja.com)
