Dy shtetasit kolumbianë kanë pranuar se ishin ata që përpunonin lëndën narkotike, dhe se për këtë ata janë paguar nëntë mijë euro, ku fillimisht janë dhënë 4 mijë si paradhënie për punë dhe ushqim dhe më pas 5 mijë euro. Kjo pagesë sipas tyre ka qenë vetëm për 67 ditë punë. Ata i kanë treguar gjykatës se gjatë kohës së qëndrimit në Shqipëri qëndronin në një hotel tek zona e ish-stadiumit “Dinamo”, ndërkohë që në laborator dërgoheshin me makina të ndryshme, me qëllim për të mos rënë në sy të agjentëve të policisë. Pas këtij rrëfimi, avokatët mbrojtës kërkuan që gjykata të caktonte masën e sigurisë të bllokimit të pasaportave dhe jo atë të “arrestit në burg” siç dhe kishte kërkuar prokurori Çelaj, por gjykata vendosi të mbyllë në qeli dy shtetasit kolumbianë.
Rrëfimi i kolumbianëve
Në dëshminë e tyre, dhënë para Gjykatës së Krimeve të Rënda, Cezar Avila dhe Valther Moreno, kanë pohuar se kontaktin e parë për të punuar në laborator kokaine e kanë gjetur në Bogota, kryeqytetin e Kolumbisë. Më tej ata kanë rrëfyer se kanë biseduar me një shtetas të quajtur Karlos, i cili i ishte prezantuar si holandez, por që kishte marrë shtetësinë kolumbiane. “…Ka qënë Karlos njeriu që jemi ulur dhe kemi diskutuar, duke na ofruar këtë punë.
Pasi ramë dakort për çmimin së bashku kemi vendosur të udhëtojmë drejt Greqisë, aty ku Karlos na kishte treguar se ndodhej laboratori, ku ne do të kryenim përpunimin e kokainës. Kemi udhëtuar me avion nga Bogota në drejtim të Lisbonës në Portugali, dhe më pas kemi udhëtuar sërisht duke zbritur në Romë. Më tej udhëtimi ka vijuar në drejtim të Athinës në Greqi dhe se kemi shkuar pastaj në qytetin e Janinës. Pikërisht në këtë vend, njeriu që na shoqëronte Karlos, na ka treguar se laboratori ndodhej në Shqipëri dhe se do t’u duhej të udhëtonin në këtë vend. Këtë gjë ai nuk na e kishte pohuar, pasi sipas tij e kishte bërë për arsye sigurie.
Më tej jemi nisur nga Janina në Kakavijë me autobuz, ku kemi qëndruar në Gjirokastër dhe më pas u nisëm drejt Tiranës, duke u vendosur në një hotel afër një stadiumi. Pasi jemi akomoduar, Kalos na ka dhënë 4 mijë euro për ushqime dhe veshëmbathje e qëndrim në hotel. Një ditë më pas kemi takuar sërisht Karlosin dhe jemi nisur në drejtim të laboratorit, ku kemi udhëtuar me makinë të vogël. Kur kemi shkuar, aty Karlos na ka mësuar se si duhet të punonim me kokainën.
Çdo ditë ndryshonim makinat kur shkonim në vendi i punës. Ditën kur ka ardhur policia, ne ishim duke punuar në laborator dhe kishim nxjerrë 450 gramë kokainë, ndërkohë që bashkë me ne në laborator ka qenë dhe Karlosi. Për 67 ditë punë ne jemi paguar vetëm me 9 mijë euro, pasi kemi pasur dhe një pagesë 5000 euro më vonë….”-treguan dy kolumbianët.
Karlos s’egziston
Sipas burimeve të prokurorisë shtetasi kolumbian me emrin Karlos, që i referohen dy kolumbianët e arrestuar si njeriu që i ka sjellë në Shqipëri, nuk egziston. Prokurorët shprehen se ditën e operacionit zona ka qenë e rrethuar dhe askush nuk ka mundur të largohet. Prokurorët ngrenë dyshimet se Karlos, duhet të jetë njëri nga shqiptarët e arrestuar, i cili i është prezantuar si kolumbian, dy të huajve.
Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 18 janar 2015
Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)