Komandantët në Hagë, Albin Kurti me ‘patriotët’ e pas-çlirimit ‘luftë’ me Shqipërinë

Komandantët në Hagë, Albin Kurti me ‘patriotët’ e pas-çlirimit ‘luftë’ me Shqipërinë

Kryeministri i Kosovës, Kurti, Edi Rama dhe Hashim Thaçi

Nëse ka një vend që po e ndërton historinë e marrëdhënieve me shtetin amë sëprapthi ky vend është Kosova. Dhe kjo jo për faj të qytetarëve të saj, por thjeshtë e vetëm për egon dhe paftësinë e udhëheqësisë së re politike të Prishtinës.

Klasa politike aktuale në krye të qeverisjes së Kosovës, në mënyrë të pashembullt, si ata fëmijët që rrinë me fytyrë nga muri, të nxitur nga tekat dhe ëndrrat e çuditshme që mund të kenë parë natën, nuk duan të shohin as vëllezër, as nënë dhe asgjë por vetëm të çojnë në fund tekën e tyre.

Madje nuk duan të shohin as ata që i sollën në këtë ditë, që pa shkrepur asnjë pushkë kundër okupacionit serb para 23 viteve janë tashmë në kolltukë kryeministrorë dhe ministrorë.

Qyl fare, thjeshtë dhe vetëm se dikujt iu tek që duke shfrytëzuar hapur fare arkivat serbe të kohës së Milosheviçit, të mbushura me denoncime ndaj UÇK dhe nga delenxhinj nga Kosova por dhe nga Shqipëria për një dorë lekësh, çoi të gjithë ish komandantët e UÇK në Tribunalin e Hagës, nën akuzën e krimeve të luftës. Qeverisja aktuale në Kosovë heshti. Paçka se Thaçi kohë më parë kërkoi pafund nga ndërkombëtarët lirimin e Albin Kurtit nga burgjet serbe ku gjendej nën akuzën: “cenimi i integritetit territorial dhe sovranitetit të Jugosllavisë”.

Dhe nëse mund të bëjmë një krahasim me situatën e sotme në Ukrainë, është ngjashëm sikur pas fitores së luftës nga Ukraina e cila po përballet me agresionin e tmerrshëm rus, të dërgohen në Hagë presidenti Zelenksy dhe bashkë me të ministri i mbrojtjes, shefi i inteligjencës si dhe komandantë të tjerë që po organizojnë mbrojtjen e vendit, nën akuzën e krimeve kundër njerëzimit, duke u mbështetur në të gjitha rastet në dokumentat e arkivës së Moskës dhe të vetë Vladimir Putin.

Një absurd i vërtetë ky, por që klasës së re politiketë Kosovës i ka volitur shumë. Madje e kanë mbështetur fort një skenar të tillë, në mënyrë që ish komandantët e luftës të mos e shohin qiellin, vetëm me orar.

Sepse zona “rreptësisë” e liderëve të rinj të Kosovës u hap tërësisht për të shënuar “golin” politik ditën e Shën Valentinit të zgjedhjeve të kaluara dhe për të marrë votën e qytetarëve shqiptarë të kësaj treve dhe kapjen së kreut të qeverisjes. Madje dhe të Presidencës, anipse mbeten fund e krye mosmirënjohës, të padenjë dhe arrogantë po ta shohësh nga të gjitha aspektet. Duke qënë nën nivelin e shoqërisë shqiptare në të dyja anët e kufirit.

E themi këtë sepse, Albin Kurti dhe e emëruara e tij në krye të Presidencës, Vjosa Osmani, sa herë që u jepet mundësia, tregojnë me të gjitha mënyrat ‘armiqësinë’ që kanë me Shqipërinë dhe lidershipin e saj qeverisës. Mbetet i pashpjegueshëm fakti se përse e bëjnë një gjë të tillë, duan t’i hyjnë në qef dikujt në Ballkan apo më gjërë apo thjeshtë se e kanë mani, pasi s’ka si shpjegohet ndryshe fakti që të paktën në tubimet ndërkombëtare nuk e përmbajnë aspak veten dhe nuk përpiqen aspak të reflektojnë në pamjen e jashtme luajalitet me liderët e shtetit amë.

Nuk janë ata që do të dëshironte Albini në krye të shtetit shqiptar, madje luftoi fort mediatikisht, por dhe përmes votës vetë dhe dega e partisë që krijoi në Tiranë për ta penguar që të marrë mandatin e tretë qeverisës Ramën, pa mundur ta arrijë. Eshtë çështje këllqesh kjo punë e Albini nuk i ka këto.

Sëpaku këtë ka treguar në të gjitha rastet, qoftë kur i është shmangur sikurse i është shmangur negociatave me liderët serbë, që vetëm ikën e ikën, sepse i mungojnë ato të shkreta këllqe. Dhe atëherë kur takohet, “Sindromi i Stokholmit” nuk e lë të ngrejë krye. Bëhet rob i tij.

Dhe ‘mot a mot’ si ata kalamajtë që nuk arrijnë të bëjnë atë që kanë në mendje me shokët apo me ambientin që i rrethon, kthehet në “shtëpi” dhe bën namin me robt e shtëpisë, duke ua plasur shpirtin dhe shprazur gjithë mllefin e krijuar nga pamundësia për të qënë i barabartë mes të barbartëve me ata që ka përballë. Me njerëzit e “shtëpisë” sillesh si të duash, se ata të lirojnë rrugën, nuk bëjnë sherre dhe ketë Albini e di. Dhe kur e di Albini e di dhe Vjosa, e cila më shumë se sa për të bërë ndonjë punë kujdeset për look-un. Dhe mirë bën, se dhe ajo ka rëndësi, por deri sa të hapë gojën. Pastaj prish gjithçka.

Ka bërë bujë takimi i në Greqi, ku Vjosa Osmani, Presidente e Kosovës, qëndroi stoike me fytyrë nga muri sa herë që kalonte kreu i qeverisë së shtetit amë, Edi Rama. Madje nuk ia hodhi as sytë, qëndroi larg dhe në një tavolinë të përbashkët ku po konsumonin një drekë pune. A thua kishte përballë një armik shumëshekullor, që kishte vrarë e prerë ndër shqiptarë. U kujdes Vjosa ta bënte sa më të dukshëm këtë distancim, që ta shihnin të gjithë. Kishte hallin e Albinit, që të bindej se nuk kishte shkëmbyer asnjë shikim me Edi Ramën, jo më ndonjë fjalë apo shtrënguar duart larg qoftë. Dhe për ta bindur akoma më fort Albinin se kishte qënë ndarazi me liderin e Shqipërisë, i këput Vjosa dhe një prerje fotoje përgjysmë të Edi Ramës. Ashtu sikurse ndoshta bashkë me Albinin do të dëshironte ta “çante” më dysh kryeministrin e Shqipërisë. Parapaolitikë do të thotë dikush. Edhe ndodh!

Quajeni si të doni, por besoj se të gjithë shqiptarëve në tërë rajonin e më gjërë më shumë se sa takimi i Selanikut dhe Ohrit i “Open Balkan” sëbashku, u ka bërë përshtypje dhe ngrohur zemrën një foto ku kishin dalë sëbashku lideri i shqiptarëve në Shqipëri Edi Rama, lideri i shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut Ali Ahmeti e lideri i shqiptarëve në Malin e Zi njëherësh dhe kryeministri shqiptar në këtë vend, Dritan Abazoviç.

Ka qënë një foto vëllezërish, që pavarësisht se ndajnë qëndrime të ndryshme për çështje të ndryshme në Ballkan, por bashkohen në një pikë: prosperitetin e shqiptarëve në tërë rajonin në përshtatje me rrjedha e kohës, foto e cila ka bërë xhiron e rrjetit duke ngrohur zemrat e të gjithë shqiptarëve dhe mbushur me shpresë se gjenden në pozicionin më të mirë që prej qindra e qindra vjetësh në këtë rajon të trazuar të Ballkanit. Ndërsa foto e Vjosës është për t’u harruar, është për të mos u përmendur.

Mund të mos e duash Edi Ramën, mund të mos duash askënd nga klasa politike në Shqipëri, por jashtë kufijve të dy shteteve shqiptare përfaqësohen pjesa më e madhe shqiptarëve. E “spektakle” të tilla “patriotike” mes vetes janë të shëmtuara, në mos të dëmshme.

E themi këtë sepse nëse nuk e do “Open Balkan”, kurrë të mos marrë pjesë në këtë nismë sa të jetë Albini në pushtet pasi veç Kosovës nuk i prish askujt punë, kjo nuk justifikon ngritjen e “llogoreve” të luftës me Shqipërinë, shtetin amë. E cila i është gjendur, dhe do t’i gjendet, gjithnjë pranë Kosovës dhe anasjelltas sa herë të kenë nevojë. Sikurse e ka bërë që në kohën e luftës së lavdishme të UÇK, në kohën e njohjeve pas luftës apo deri diplomacinë e përbashkët për të fituar dhe paqen pas fitimit të luftës dhe çlirimit të Kosovës, me ndihmën e SHBA dhe NATO-s kuptohet. Do ta bëjë Shqipëria, anipse ish komandantët e luftës janë në Hagë, s’dalin as në arrest shtëpie sepse “patriotët” e pas-luftës u plotësuan “letrat” duke thënë se Hashim Thaçi nuk jep siguri në Kosovë pasi ka në dorë sipas tyre policinë, shërbimin sekret dhe drejtësinë e elementët kriminalë dhe mund të arratiset. Dhe nën zë bënë me dije se as pala e tretë, Shqipëria nuk mund të shërbejë për arrestin e tij shtëpiak, pasi janë miq për kokë me kryeministrin Edi Rama.

Ndërsa kreu i qeverisë së Shqipërisë shkoi dhe e takoi Thaçin në burgun e Hagës, kreu një detyrim ndaj heroit të luftës. Si “paradhënie” ndoshta për 23 vjetorin e çlirimit të Kosovës, pasi me sa duket ishte i bindur se qeveria aktuale e Kosovës nuk do të mblidhte asnjë udhëheqës shqiptar në rajon për këtë përvjetor. Do ta festonte vetëm, me “patriotët” e pas-luftës, çlirimin Kosovës. Sepse UÇK është “dhimbja” e Albinit!

E ka problem luftën e UÇK Albini, e kemi thënë dhe herë tjetër, nuk ka shkrepur asnjë pushkë për çlirim, madje s’ka qënë fare për shtetin e Kosovës, ishte për bashkimin e saj me Shqipërinë. Tani që është bërë kryeministër, betohet në flamurin e Kosovës që nuk e njohu kurrë, ka harruar bashkimin. Me sa duket, mendon se duhet të bashkohet Shqipëria me Kosovën, dhe ai të jetë lideri i gjithë shqiptarëve. Por e thamë, këtu hyjnë në punë këllqet.

Thjesht ka shpallur “armik” Edi Ramën dhe po e lufton me të gjithë mënyrat, deri banale, duke përdorur si kauzë kundërshtimin e “Open Balkan”, të cilën e kanë mbështetur SHBA e BE, ishin prezentë dhe e rikonfirmuan sërish në samitin e Ohrit, e ku me sa duket dhe Mali i Zi e Bosnje-Herzegovina, në takimin e radhës do të jenë pjesë e tij, jo si vëzhgues. Vetëm Albini nuk tundet. Dhe nuk ka pse. Të gjitha pikat që ka “Open Balkan”, Kosova nën qeverisjen e Albin Kurtit i ka realizuar me Serbinë. Ka një shkëmbim të madh mallrash dhe gjithçkaje mes dy vendeve, dhe teza e kreut të qeverisë së Kosovës se Serbia mund të imponohet me ekonominë më të madhe në hapjen mes vendeve, nëse është e vërtetë teza e Albinit, atëherë në Kosovëështë realizuar me kohë dhe me vakt. Në Kosovë ka me shumicë mallra serbe, ka gjithçka serbe dhe Albini, Vjosa jo e jo, nuk bëjnë zë. Thjeshtë akuzojnë Shqipërinë dhe Edi Ramën. Dhe sikurse shkruante një opinioniste nga Kosova se “Albini e do Serbinë krejt për vete, pa e ndarë me askënd”, kjo mund të jetë e vërtetë.

Me sa duket sa të jetë Albin Kurti kështu do shkojë në Kosovë, por që për fat të mirë qytetarët e Kosovës janë shqiptarë të mirë që e duan Shqipërinë më shumë se partinë e Albinit. Për më tepër që Vetëvendosja është bjerrur mjaft, në zgjedhjet e fundit u katandis parti e katërt me vetëm 4 komuna të fituara. Partitë janë të përkohshme, ndërsa shqiptarët janë të vjetër dhe autoktonë sa vetë bota në këtë rajon. Ata vendosin të duan njëri tjetrin. Por dhe Komandantët dikur do dalin nga Haga. Deri atëherë jemi të dënuar të dëgjojmë “patriotët” e pas-luftës dhe të shohim se pak e nga pak, përkundër fitimit të luftës kundër okupatorit serb, po humbin paqen. Izolimi këtë “bereqet” të sjell, mungesa e përballjes sy për sy me ata që ushtruan genocid, këtë sjell, aq sa sot nuk po merret vesh se kush ka ushtruar genocid në Kosovë, pasi Haga është mbushur me shqiptarë, duke kthyer një realitet të përmbysur, a thua se ka qënë Serbia e pushtuar dhe jo Kosova dhe mbi të është ushtruar genocid. Ndaj themi se në Kosovë ka nisur ndërtimi i gjithçkaje sëprapthi. E cila nuk vazhdon pafund, pasi ka ende shpresë. Deri atëherë të shohim. Albini e bën perfekt opozitën dhe kur të kthehet në pushtet, gjasat janë vonë, sërish aty do ta ketë Ramën si kryeministër, për ta pasur “armik” në dizpozicion për interes politik sa herë të dojë.

G.MO/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Arbërori: 14/06/2022 12:18

    O të verbuar në Hagë janë komandantët e krimit dhe vrasës të shtetit dhe popullit shqiptarë , komandant të vertet të UÇK—s janë heronjët që janë vrarë nga serbi dhe nga këta krimelët sot që përkrahen nga Edvin shkjau shqipfolës dhe nga Serbia e Vucicit

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    17 Dhjetor, 08:53

    Hapet një tjetër grupkapitull me BE, a po ecet shpejt drejt integrimit?



×

Lajmi i fundit

Atentati në Vlorë, 30 plumba drejt makinës së Kevin Hajrullës

Atentati në Vlorë, 30 plumba drejt makinës së Kevin Hajrullës