TIRANE - Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armando Duka sipas burimeve brenda institucionit më të lartë të futbollit shqiptar pritet që t’i ofrojë rinovimin edhe për dy edicione të tjera trajnerit Italian që drejton kombëtaren, Gianni De Biasi. Kontrata e trajnerit Italian skadon në përfundim të eleminatoreve të kampionatit botëror ‘Brazil 2014’.

Rezultatet mjaft të mira që ka arritur Shqipëria deri më tani me 6 ndeshjet që ka zhvilluar duke arritur që të grumbullojë, jo pak, por 10 pikë dhe të renditet në vendin dytë në grupin ‘E’ dhe e 38-ta në renditjen e FIFA-s e kanë bindur Dukën.

De Biasi në fillim të edicionit mori në drejtim një ekip që kishte shumë futbollistë në fund të karrierës dhe rinovimi i kombëtares shikohej si shumë i vështirë, por De Biasi arriti që këtë periudhë tranzicioni ta kalojë me shumë sukses.

Mungesat e Lalës, Skelës, por edhe shumë futbollistëve të tjerë, sot janë shumë pak të ndjeshme me futbollistët që italiani arriti të bindte të bëheshin pjesë e kombëtares si Meha, Kukeli, Basha, Gjasula, Mavrajn, Kace, por edhe shumë të tjerë që janë afruar së fundmi në grup, pa harruar këtu portierin Berisha në krye.

Por De Biasi është edhe shumë pranë thyerjes së një tjetër rekordi për Shqipërinë që mund të realizohet që në muajin shtator. Nëse Shqipëria do të marrë edhe dy pikë, atëherë do të thyente edhe rekordin e Brigel me 12 pikë.

Rekordi është shumë i mundur, pasi kuqezinjtë shikojnë përtej kësaj kuote, pasi mendojnë që të arrijnë zonën e ‘play off’-it. Të mbledhura të gjitha së bashku rezultatet dhe rekordet e arritura nga De Biasi kanë bërë që Presidenti Duka t’i japë edhe një shans të dytë italianit.

Dëshira e palës tjetër nuk mungon, pasi tekniku ka shprehur dëshirën për të vazhduar me Shqipërinë, pasi sapo ka ndërtuar një ekip që me shumë siguri në pak vite do të marrë frytet e punës. Një ndikim në këtë vendim të Dukës kanë edhe senatorët si Cana, Salihi dhe Bogdani, të cilët përmes medias i kanë bërë thirrje presidentit t’i ofrojë një tjetër kontratë teknikut.