Kombëtarja e futbollit, tre lojtarë
braktisin Shqipërinë për Kosovën

Kombëtarja e futbollit, tre lojtarë<br />braktisin Shqipërinë për Kosovën
Milot Rashica e Alban Meha kanë komunikuar dje largimin e tyre nga kombëtarja e Shqipërisë për të luajtur me Kosovën. Po dje trajneri i kombëtares Gianni De Biasi ka konfirmuar edhe një largim tjetër atë të Herolind Shalës, i cili sipas teknikut do të kalojë gjithashtu tek Kosova. Kështu që ajo që i frikësohehsin të gjithë pas pranimit të Kosovës në FIFA e UEFA tashmë po ndodh. Lojtarët shqiptarë me origjinë nga Kosova po braktisin kombëtaren e Shqipërisë.

Rashica: Ja pse zgjodha Kosovën
Milot Rashica do jetë goditja e parë Big e përfaqësueses së Kosovës në eliminatoret e Botërorit të ardhshëm. Mesfushori i Viteshes ka bërë përfundimisht zgjedhjen e tij dhe këtë ja ka konfirmuar me një sms presidentit të federatës Duka dhe trajnerit De Biazi. “Ju falënderoj për mbështetjen disa vjeçare që më keni dhënë. Jam i lumtur që kam bashkëpunuar me ju por do luaj për Kosovën”.

Rashica ka luajtur zyrtarisht me skuadrat e moshave të Shqipërisë ndërkohë që me Kombëtaren ka luajtur disa minuta në miqësoren e Katarit. Ndërkohë që De Biazi nuk e grumbulloi në Francë 2016 trajneri i Kosovës Bunjaku punoi shumë ta bindte psikologjikisht lojtarin të zgjidhte Kosovën. Më pas ai ka hedhur një status në facebook ku sqaron se pse u largua nga kuqezinjtë.

Nuk e kisha të lehtë për të vendosur. Pas një kohe të gjatë, që kam luajtur me grup-moshat e Shqipërisë, si edhe me kombëtaren, e cila ka përfaqësuar të gjithë shqiptarët, brenda dhe jashtë trojeve, dua të them se ky vendim nuk është kundër Shqipërisë. Më tepër është një zgjedhje për Kosovën, mbasi unë aty kam lind dhe jam rrit. Dua që në hapat e parë të përfaqësueses së Kosovës të jap kontributin tim. Ky vendim me siguri nuk do t’iu pëlqejë të gjithëve. Shpresoj që të ketë një mirëkuptim nga ana e tifozëve dhe drejtuesit e FSHF-së. Dëshira personale do të ishte që një ditë të kishim një kombetare të përbashkët dhe unë të isha pjesë e saj. Për arritjen e kësaj ëndrre duhet të punojmë të gjithë shqiptarët së bashku. Ju falënderoj të gjithë tifozëve shqiptarë për mbështetjen! Jam krenar që pata mundësinë për të luajtur me ngjyrat kuq e zi.”
Alban Meha

Ndryshe ka vepruar Alban Meha, i cili në faqen e tij zyrtare në FB nuk ka shkruar asnjë fjalë, por ka publikuar një foto të tij me fanelën e përfaqësueses Kosovare. Dihet që marrëdhënia mes De Biasit dhe mesfushorit nuk ishte më e mira e mundshme, madje në deklaratat e fundit për shtyp para evropianit, tekniku italian pohoi se Meha nuk bën më pjesë në planet e tij. Nëse Bunjaku do t’i grumbullojë këta dy lojtarë, atëherë debutimi i tyre me përfaqësuesen e Kosovës do të jetë në Helsinki, në ndeshjen e parë ndaj Finlandës.  

Milot Rashica e Herolind Shala
(Milot Rashica e Herolind Shala)

De Biasi: Ikën edhe Shala, janë të pakënaqur nga Euro
Trajneri i kombëtares Gianni De Biasi ka reaguar pas vendimit të sulmuesit Milot Rashica për të braktisur fanellën kuqezi për atë verdheblu të Kosovës. Trajneri italian ka shprehur keqardhje për këtë largim, ndërsa thekson se vendimi i Rashicës ka ardhur si pasojë e mosgrumbullimit të tij me Kombëtaren në Euro 2016.

De Biasi ka konfirmuar për "Supersport" edhe largimin e një tjetër lojtari, atë të Herolind Shalës drejt Përfaqësueses së Kosovës.

"E dija prej disa ditësh që Rashica ka zgjedhur Kosovën. Ndjej një keqardhje shumë të madhe. Mendoja që ky do të ishte një ndër lojtarët më të rëndësishëm të Shqipërisë në dhjetë vitet e fundit. Nuk duhet të fshihemi, mendoj që zgjedhja e tij ka qenë e kondicionuar nga fakti që ai nuk u zgjodh për Europian. Ndoshta dikush tjetër e ka shtyrë të marrë një vendim të tillë. Më vjen keq më shumë për tifozët kuqezi pasi ata e duan Kombëtaren Shqiptare dhe duan që secili prej lojtarëve që kanë origjinë Shqiptare të përfaqësojnë Shqipërinë. Megjithatë çdo kush është i lirë të bëjë zgjedhjet e tij, mjafton që kjo të jetë zgjedhje zemre. Unë gjithnjë e kam thënë, një që zgjedh Shqipërinë, duhet ta ndjejë një gjë të tillë pa kushte. Unë nuk ndihem përgjegjës që ai zgjodhi Kosovë. Zgjodha 23 lojtarë që kishin kontribuar edhe më parë dhe i shpjegova Rashicës gjatë stërvitjes që do të ishte emri më i rëndësishëm i eliminatoreve të rradhës. Kam folur me pothuajse me të gjithë lojtarët, dhe shumica ma kanë konfirmuar zyrtarisht që nuk do të largohen. Mund të konfirmoj që do të largohet Herolind Shala që do të luajë për Kosovën. Edhe për të vlen e njëjta gjë, fakti që nuk u grumbullua në Europian ka ndikuar në zgjedhjen e tij”, deklaron De Biazi.
 
De Biasi për Rashicën
E dija prej disa ditësh që Rashica ka zgjedhur Kosovën. Ndjej një keqardhje shumë të madhe. Mendoja që ky do të ishte një ndër lojtarët më të rëndësishëm të Shqipërisë në dhjetë vitet e fundit
 
Rashica për largimin
Dua të them se ky vendim nuk është kundër Shqipërisë. Më tepër është një zgjedhje për Kosovën, mbasi unë aty kam lind dhe jam rrit. Dua që në hapat e parë të përfaqësueses së Kosovës të jap kontributin tim

Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si ju duk protesta e opozitës?



×

Lajmi i fundit

'Mosbindja civile' e PD-së, më pak protestues se u paralajmëruan, kur mbërritën në PD firuan fare! Shikoni pamjet me dron

'Mosbindja civile' e PD-së, më pak protestues se u paralajmëruan, kur mbërritën në PD firuan fare! Shikoni pamjet me dron