Samir Ujkani vazhdon të mbetet objektiv i disa skuadrave si brenda Italisë ashtu edhe jashtë saj.

Sipas “The News” skuadra belge Genk është e interesuar ta transferoj portierin  e Palermos, Samir Ujkani. Skuadra belge është e interesuar për gardianin, por Palermo kërkon afro rreth 2 milionë euro, që të lërë të lirë Ujkanin.

Shuma duket e lartë për ekipin belg, por negociatat mund të fillojnë nëse futbollisti ka dëshirë që të transferohet. Ujkani sezonin e fundit ishte i huazuar te Chievo, gjatë kësaj vere është kërkuar edhe nga Udinese, Genoa e Lille, por drejtuesit e Palermos kanë konfirmuar se do të mbetet në Sicili.

Ndërsa përsa i përket cështjes së Berishës, gjërat janë ndërlikuar dhe futbollisti mund të gjobitet  për firmosjen e kontratës me Kiveon, të cilën më pas e deklaroi të pavlefshme. Lëvizja drejt ekipit të Lacios ka mbetur e bllokuar për momentin dhe mund të bëhet në Janar.

Palët janë në gjyq dhe kosovari, Etrit Berisha rrezikon edhe një gjobë të majme, e cila shkon 20 mijë euro, por mbetet në pikëpyetje nëse do të zgjidhet brenda gushtit apo jo.

Shkrimi u botua sot në gazetën “Shqiptarja.com” (print) 08.08.2013
 
Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)