Prova e dytë miqësore brenda pak ditësh dhe prova e dytë e kaluar me sukses për Shqipërinë e re të De Biasit. Kuqezinjtë në “Inonu” të Stambollit fitojnë 1-0 ndaj Iranit të Carlos Queiroz duke bindur në lojë e duke shfaqur sinjale pozitive sidomos për disa prej emrave të rinj të futur së fundmi në xhiron e kombëtares, apo për disa prej atyre që po përpiqen të marrin rolin e liderit në këtë përfaqësuese.

Bakaj, Hyka, Zeqiri, Vila e mbi të gjitha portieri i ri Ertrit Berisha ishin disa prej atyre që spikatën në sfidën ndaj aziatikëve, që u vendos nga një gol i jashtëzakonshëm i Emilijano Vilës, që tregoi se mund të marrë pak nga pak një rol protagonisti në këtë kombëtare, e cila gjithashtu duket se ka zgjidhur dhe një problem të madh të sajin në këto vitet e fundit, atë që qendrës së mbrotjes ku Cana dhe Mavraj të paktën në këto dy ndeshje miqësore kanë funksionuar në perfeksion.

Nën përkrahjen e disa qindra tifozëve, kryesisht studentë shqiptarë në Stamboll, kuqezinjtë u shfaqën dicka më superiorë se kundërshtarët e Iranit që në fillim, aq sa dhe skema me një sulmues duket se funksionoi mjaft mirë, ku Bakaj sidomos në krah ishte shpesh furnizues për shtatlartin Çani në zonë, ndërsa Hyka u përpoq të shpërndante mirë lojën.

Rastin e parë e pati Bakaj në minutën e 14-të, kur provoi të realizonte një roveshatë, e cila ishte e mirë në ide por jo aq në finalizim. Po Bakaj provoi dhe nëpërmjet një goditje dënimi në minutën e 24 por topi përfundoi jashtë. Bakaj që ishte më i lëvizshmi në 45 minutat e para u përpoq të shërbente për Çanin në minutën e 33, por sulmuesi nuk e mori ashtu siç duhet topin. Gjithsesi pjesa e parë u mbyll 0-0 me një Shqipëri përgjithësisht të kujdesshme dhe pa rrezikuar shumë.

Fillimi i pjesës së dytë ishte më kërkues për Iranin, por që i shërbeu portierit debutes Berisha për të treguar shumë vlera të tij, por dhe atëherë kur iranianët arritën ta dërgojnë topin në rrjetë gjyqtari kryesor e anuloi golin si pasojë e një marrje të topit me dorë nga kundërshtarët. Gjithsesi hedhja e shumë emrave në pjesën e dytë, si Sadiku, Agolli, Veliaj, Mergim Brahimi dhe Zeqiri i dha mundësinë skuadrës të ruante freskinë. Dhe në minutën e 60, Vila, ndryshoi shifrat me një goditje fantastike duke çuar në avantazh kuqezinjtë. Një rezultat që u mbrojt mirë deri në fund, falë dhe një mbrojtje solide duke vulosur suksesin 1-0 për një tjetër sukses në miqësore, që shërben sidomos për moralin përsa i përket përgatitjeve për Brazil 2014.(rb/shqiptarja.com)