Sa i përket fondeve të tjera në dispozicion të qeverisë, gjatë vitit 2016, nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, me vlerë 1.6 miliardë lekë, që menaxhohet prej Ekzekutivit, janë dhënë dy herë më shumë fonde për shpenzime operative, se sa për shtesa investimesh.

Këtu rekordin e ka mbajtur vetë selia e Këshillit të Ministrave, gjithnjë në kuadër të shpenzimeve operative, duke përdorur më shumë se një të katërtën e rezervave totale për këtë qëllim. Ndërsa, sipas raportit të Buxhetit Faktik 2016, del se për të shpërblyer kombëtaren e futbollit janë dhënë po aq fonde sa edhe shtesat për emergjencat nga përmbytja. 

Në atë vit, nga fondi rezervë 18.8 milionë lekë janë përdorur për shpenzime personeli, 1 miliard lekë për shpenzime të tjera korente (shpenzime operative dhe transferta të brendshme) dhe 531.6 milionë lekë për investime.

Sipas raportit të Buxhetit Faktik 2016, rreth 2.3 milionë lekë i është dhënë Presidencës nëpërmjet një vendimi për investime, ndërkohë që 400 milionë lekë, ose rreth 25.1 për qind e fondit rezervë i është dhënë Kryeministrisë si shtesë fondi në planin e buxhetit të vitit 2015 për shpenzime operative. Rreth 141.8 milionë lekë ose 8.9 për qind e fondit rezervë i është dhënë Ministrisë së Bujqësisë Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujrave, si shtesë fondi për investime. Ndërkohë, 140 milionë lekë ose 8.8 për qind e fondit rezervë i është dhënë Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, si shtesë fondi për shpenzime operative për shpërblimin e ekipit kombëtar të futbollit.

Rreth 14.4 milionë lekë ose 0.9 për qind e fondit rezervë i është dhënë Ministrisë së Punëve të Jashtme me dy VKM, përkatësisht 14 milion lekëë për dhënie ndihme financiare nga qeveria shqiptare për qeverinë e Republikës së Maqedonisë, për lehtësimin e pasojave të dëmeve të shkaktuara nga përmbytjet në gusht 2016, si edhe për shpenzime korrente.

Rreth 35 milionë lekë ose 2.2 për qind e fondit rezervë i është dhënë Ministrisë së Punëve të Brëndshme nëpërmjet dy vendimeve, përkatësisht për dhënie ndihme financiare familjes së inspektorit Ardian Halil Kodra, ish-punonjës policie vrarë në krye të detyrës, si dhe për marrjen e masave përballë rrëshqitjes së tokës në Farkë, Bashkia Tiranë.

Edhe operacioni i pastrimit të bregdetit me anë të ushtrisë është përballuar financiarisht nga fondi rezervë i buxhetit. Ministrisë së Mbrojtjes i është dhënë fondi prej 5 milionë lekësh ose rreth 3 për qind e fondit rezervë për mbulimin e shpenzimeve të strukturave të angazhuara për pastrimin e zonave bregdetare dhe akseve rrugore.

Rreth 93 milionë lekë ose 5.8 për qind i është akorduar Ministrisë së Mirëqënies Sociale dhe Rinisë, nëpërmjet dy vendimeve, përkatësisht per shpërblimin e disa kategorive për festat e fundvitit 2016, si edhe për Kishën Katolike me rastin e lumturimit të martirëve shqiptarë.

11 për qind e fondit rezervë ka ikur në favor të mbulimit të faturave të avokatëve të kontraktuar për përfaqësimin dhe mbrojtjen në çështjen e arbitrazhit ndërkombëtar HYDRO SRL kundër Republikës së Shqipërisë.

Kurse ministrisë së Zhvillimit Urban i është dhënë fondi prej 15.1 milionë lekë me 2 VKM, për shtesë fondi në buxhetin e vitit 2016 për shpenzime operative, përkatësisht 12.1 milion lekë për trajtimin me pagesë të qirasë për disa familje që preken nga zbatimi i projektit "Unaza e Madhe e Tiranës", segmenti "Komuna e Parisit - Rruga e Kavajës", etj.