Kombëtarja shqiptare e futbollit ka nisur nga puna për përgatitjen e ndeshjes kundër Polonisë, e vlefshme për play-off-in e Kupës së Botës 2026. Më 26 mars në Varshavë kuqezinjtë e Sylvinhos luajnë takimin tek, me shpresën e një fitoreje dhe kalimin më pas në fazën finale të play-off-it ku i pret fituesi i çiftit Ukrainë - Suedi.

Rruga për në SHBA, Meksikë dhe Kanada nuk është e lehtë, por tanët e kanë treguar se në ndeshjet e mëdha kanë bërë mirë paçka problemeve të ndryshme. Probleme këto që nuk po i ndahen legjionarëve.

Kur jemi pak më shumë se dy muaj larg nga ndeshja kundër Polonisë, Sylvinho sheh më shumë se gjysmën e formacionit titullar me probleme. Por le t'i marrim me radhë.

Kristjan Asllani larg Torinos dhe i pasigurt për të ardhmen

Mesfushori më i mirë që Shqipëria ka në dispozicion po vuan mungesën e përshtatjes me një ekip. Kalimi në huazim nga Interi te Torino nuk rezultoi i duhuri dhe Asllani nuk bën më pjesë në projektin sportiv të ekipit 'Granata' duke kërkuar një ekip të ri.

Mario Mitaj jashtë ekipi

Sergio Conceiçao nuk e ka grumbulluar mbrojtësin e majtë për katër ndeshje radhazi te Al Ittihad në Arabinë Saudite, me vorbullën e merkatos që e dërgon Mitajn në disa klube big në Evropë. Fakt është se për afro një muaj ai nuk ka minuta në këmbë në momentin më të papërshtatshëm.

Manaj kërkon Kinën ose rikthimin te Sivasspor

Edhe Rey Manaj nuk i ka mirë punët me Sharjah FC, klubin nga Emiratet e Bashkuara Arabe. Sulmuesi nuk duket në formë dhe po kërkon largimin që këtë janar, ndërsa mundësi mbetet rikthimi në Turqi me Sivasspor ose një ofertë tunduese prej 4 milionë eurosh në sezon nga Kina.

Hysaj dhe Bajrami jashtë planeve

Elseid Hysaj i Lazios dhe Nedim Bajrami i Rangers janë jashtë planeve sportive në dy klubet respektivë. Hysaj u la jashtë ekipit për javët e fundit të vitit të shkuar, ndërsa edhe Bajrami nuk ka minuta në këmbë.

Ismajli dhe Gjimshiti lënë pas lëndimet

Ardian Ismajli ka lënë pas lëndimin dhe po luan rregullisht me Torinon, ndërsa me Atalantën është bashkuar Berat Gjimshiti i cili qëndroi jashtë për të paktën 12 ditë për shkak të një lëndimi.

Strakosha, Ramadani, Shehu dhe Broja janë në rregull

Katër futbollistët më sipër duket se janë ata më në formë. Strakosha është portieri me performancën më të mirë në ligën greke, Ramadani 'maratonomak' me Leçen, ndërsa Julian Shehu vijon të bëjë mirë në Poloni. Armando Broja ka filluar të jetë titullar me Burnleyn në Premier League, gjë që po i jep besim sulmuesit. Ndërkohë që i dëmtuar vijon të jetë Medon Berisha.

Me gjysmën e formacionit me probleme, trajneri Sylvinho po mban gishtat e 'kryqëzuara' për t'i pasur futbollistët në një formë sa më të mirë në prag të paraqitjeve deçizive për 'ëndrrën amerikane' dhe historinë.