FT/ Andorra 0-1 Shqipëri (Kristjan Asllani 67')
Kupa e Botës 2026, Grupi K kualifikues - Ndeshja e parafundit
ANDORRA - Festë dhe lot kuqezi në Andorra dhe kudo ku ka shqiptarë. Mbrëmja e 13 nëntorit 2025 do futet në analet e historisë së futbollit në Shqipëri, pasi për herë të parë ekipi ynë ia doli të merrte të drejtën për të qenë në play-off e Kupës së Botës 2026.
Shqipëria e mbyll Grupin K kualifikues në vendin e dytë, kjo pas fitores 0-1 në Andorra me golin e Kristjan Asllanit në minutën e 67-të. Ky rezultat, kombinuar me humbjen 2-0 të Serbisë në Angli, i dha të drejtë Shqipërisë për në play-off.
Tanimë më 20 nëntor gjithë sytë do jenë te shorti që do mbahet në Nyon, me rivalët që ende nuk janë mësuar, pasi pritet të luhen edhe ndeshjet e mbetura në secilin grup. Ndeshjet play-off do luhen në marsin e vitit 2026 dhe tanët janë në garë për të marrë një biletë për në finalet e Botërorit 2026 që verën e ardhshme zhvillohet në Amerikën e Veriut.
Renditja - Me 14 pikë, Shqipëria mban zyrtarisht vendin e dytë në Grupin K, shtatë pikë më pak se kryesuesit e Anglisë (e kualifikuar) dhe katër pikë më shumë se Serbia e vendit të tretë.
Ndeshja e fundit - Kuqezinjtë e mbyllin këtë fushatë kualifikuese të dielën në orën 18:00. Në "Air Albania" vjen Anglia e cila është e kualifikuar dhe me llogaritë e Grupit K që janë të mbyllura, dueli në Tiranë do jetë më shumë një përballje festive.
Momentet më të rëndësishme të ndeshjes:
90+3' Mbyllet 0-1 ndeshja. Fiton Shqipëria në Andorra.
90' Tre minuta shtesë.
85' Minuta ankthi për tifozët, presin fundin e ndeshjes.
77' Tuci merr vendin e Rey Manajt të dëmtuar.
73' Manaj devijon goditjen e Bajramit, sfera kalon shumë pranë portës.
67' GOOL! 'Shpërthen' festa kuqezi në stadium. Kristjan Asllani zhbllokon takimin, pas një goditje nga kufijtë e zonës. Asist nga Uzuni.
59' Bajrami dhe Uzuni futen në fushë, jashtë Broja dhe Laçi.
54' Arlind Ajeti ndëshkohet me karton të verdhë.
52' Broja futet bukur në zonë nga krahu i djathtë dhe pason për Asllanin. Goditja e këtij të fundit ndalet nga portieri.
47' Arbër Hoxha bën më të vështirën nga brenda zonës, sfera devijohet në këndore.
46' Nis pjesa e dytë pa zëvendësime.
45+1' Mbyllet 0-0 pjesa e parë.
45+1' Berat Gjimshiti godet traun e portës në zhvillimet e një këndoreje.
36' Krosim i Asllanit në zonë. Manaj provon me kokë, por shkon shumë larg portës.
27' Rodrigo për Andorrën provon nga 25 metra, topi përfundon jashtë. Rrezikojnë vendasit.
23' Krosim i rrezikshëm nga Hoxha në zonë. Topi kalon gjithë pasqyrën e portës, por nuk shfrytëzohet.
21' Krosim i Hysajt në zonë. Rrëzohet Manaj, por gjyqtari lejon vazhdimin e lojës.
17' Goditje dënimi për tanët, Asllani provon direkt nga afro 30 metra, por sfera shkon pak mbi traun e portës.
15' Asllani provon me një vertikalizim për Manajn, por topi shkon drejt e në duart e portierit.
12' Manaj merr topin dhe krijon hapësirën, por ndalet në goditje.
4' 'Shpërthim' i Arbër Hoxhës nga e majta. Del portieri.. Mungojnë ende rastet e rrezikshme.
1' Nis ndeshja me topin e parë shkelmuar nga vendasit.
Formacionet zyrtare:
Andorra (5-4-1): Alex Ruiz, Borra, Llovera, Olivera, San Nicolas, Rodrigo, Babot, De las Heras, Cervos, Rosas, Lopez Trajner: Koldo Alvarez
Shqipëria (4-3-3): Strakosha; Hysaj, Gjimshiti, Ajeti, Mitaj; Shehu, Asllani, Laçi; Hoxha, Broja, Manaj Trajner: Sylvio Mendes Campos Junior
Ndeshjet e Grupit K - Sot, 20:45
Andorra 0-1 Shqipëri
Angli 2-0 Serbi
Renditja në kohë reale:

Shqipëria zyrtarisht do jetë pjesë e play-off të Kupës së Botës 2026, nga ku do kërkojë një biletë për në finalet që zhvillohen verën që vjen në Amerikën e Veriut. Por deri këtu janë edhe dy rivalë të fortë.
Data 20 nëntor është shumë e rëndësishme për kuqezinjtë, pasi në Nyon do hidhet shorti për të mësuar rivalët. Nga rezultatet deri në këtë fazë, katër ekipet që ndodhen të dytat në grupet e tyre (janë edhe disa ndeshje për t'u zhvilluar), janë Çekia, Sllovakia, Skocia dhe Hungaria. Këto ekipe deri në këtë moment janë rivalët e mundshëm të tanëve.
Si funksionon play-off
12 skuadrat e renditura në vendet e dyta nga grupet kualifikuese dhe 4 skuadrat më të mira të Ligës së Kombeve do ndahen në katër vazo (1,2,3,4), sipas renditjes së këtij muaji në FIFA.
Kombëtarja jonë ndodhet në vazon e tretë (3) dhe nuk ka shanse për më shumë, teksa do ndeshet me ekipet në vazon dy (2) gjatë gjysmëfinales play-off. Në vazon dy janë skuadrat e Çekisë, Sllovakisë, Skocisë dhe Hungarisë, që kanë koeficient më të lartë.
Ndërkohë që ekipet e vazos 1 do ndeshen me ato të vazos 4, që vijnë nga Liga e Kombeve.
Ekipi ynë ndeshjen e parë play-off do e zhvillojë në udhëtim, kjo pasi UEFA favorizon ekipet që kanë koeficient më të lartë. Nëse kuqezinjtë kalojnë me sukses ndeshjen e parë e cila është me një takim (me shtesë dhe penallti nëse s'ka fitues në kohën e rregullt), atëherë në bazë të shortit do ndeshet me një ekip më të fortë (në letër) që ka kaluar në raundin e ardhshëm nga çiftet e shortit.
Këtu do ketë një short për të parë se cili është ekipi pritës dhe udhëtues. Ndeshjet play-off luhen më 26 dhe 31 mars 2026.

Trajneri i Kombëtares, Sylvinho, foli pas fitores 0-1 të Shqipërisë në Andorra dhe sigurimit të play-off për në Botërorin 2026.
“Broja? Kam bërë tani një mbledhje të vogël, me stafin, ishte ditë e vështirë. Më kujtohej Moldavia, kemi thënë që kjo është një skuadër e vështirë. Anglia i ka mundur 1-0, Letonia barazoi, Serbia në 45 minuta ishte 1-1. Ne duhet t’i respektojmë, ne po rritemi, po bëjmë mirë.
Por nuk jemi Gjermania që shkon e fiton 6-0. E kemi thënë, edhe ju e lojtarëve, se ndokush thotë shko se u bën 6. Ishte e vështirë, mbaroi dhe po festojmë apo jo, pyeta si janë të tjerat, e pashë që ishte i mërzitur, nuk e kam kuptuar pse. Unë akoma nuk e kam kuptuar që për herën e parë po shkojmë në play-off dhe është një natë e mrekullueshme.
Pasi fituam, u ndalëm për një moment për të kuptuar edhe rezultatin e sfidës tjetër (fitorja e Anglisë 2-0 ndaj Serbisë) dhe më pas festuam. Është natë e madhe.
A mund ta luajmë “play-off” siç duhet? Të gjithë duhet të festojnë për këtë sukses. Është një moment i bukur dhe historik. Do të telefonoj edhe Hamdi Salihun, pasi e dua fort dhe për këtë do të festojmë.
Broja dhe energjia e tij? Jam i lumtur për 9 milionë shqiptarët. Nuk e di se çfarë do të ndodhë në ndeshjen tjetër dhe me ruajtjet e energjisë.
Skoci, Çeki, Sllovaki dhe Hungari? Jam krenar për të gjithë futbollistët. Nuk mendoj për kundërshtarët pasi kemi dhe një ndeshje para. Më vjen keq për Pajazitin dhe Caken që ishin në tribunë. Tuci ishte një ndërrim taktik. Është një futbollist që na duhet dhe që krijon hapësirë. Jam i kënaqur me të gjithë futbollistët dhe ato të stolit”, tha Sylvinho për Supersport.
Nedim Bajrami foli për Tv Klan, pas fitores historike që Shqipëria arriti ndaj Andorrës. Mesfushori u shpreh se lojtarët që u futën nga stoli në pjesën e dytë, bënë diferencën.
“Sot kemi bërë një ndeshje shumë të mirë. Lojtarët që u futën në pjesën e dytë bënë diferencën. Edhe nëse je nga stoli, futbolli kështu është, mund të bësh diferencën edhe nga stoli. Çdo lojtar dëshiron të luajë, sepse e duam futbollin. Futbolli është moment.
10-20 minuta mund të bësh diferencën. Vazhdojmë rrugën drejt Botërorit. Ne e nisëm 4-3-3, por pastaj kaluam në 4-2-3-1 dhe në fund doli mirë. Unë jam te Rangers dhe jam i fokusuar aty. Shpresoj që pas kombëtares të vazhdoj të luaj. Jam në formë dhe kam vetëbesimin”, u shpreh Bajrami.
Me tre gola në këtë fushatë kualifikuese, Kristjan Asllani la shenjën e tij për Kombëtaren duke qenë një lider absolut në mesin e fushës. Në fitoren 0-1 kundër Andorrës vendosi goli i tij në minutën e 67-të, ndërsa pas ndeshjes ai tha se punojnë shumë me Uzunin për këto gola. Festë dhe më pas mendjen te Anglia, këtë këshillon Asllani.
"E punojmë shumë sidomos kur kam topin unë dhe Myrto shkon pas shpine. Jemi të lumtur se e dinim çfarë do të thotë kjo fitore për ne. Do festojmë sot e mendojmë për Anglinë. Të them të drejtën nuk ishte një pjesë e parë e mirë. E dinim që luante 5-4-1, sot provoi 4-4-2. Kishim vështirësi, në pjesën e dytë sulmuesit patën më shumë hapësirë dhe e merituam fitoren.
Nuk janë ekipe të vogla, mbyllen shumë. Unë e Shehu kishim vështirësi, na vinin dy mbrojtës, na mbyllnin mua dhe atë. Por tani të mos mendojmë për ndeshjen, shkojmë në Tiranë të festojmë e pastaj mendojmë për Anglinë", tha Asllani.
Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF), Armand Duka foli pas fitores 0-1 të Shqipërisë në Andorra.
"Asnjë nuk mund të mendonte që ka kundërshtar të lehtë. Të gjithë ekipet e kanë pasur të vështirë. Anglia ka fituar 0-1 këtu. Nuk na riskuan asnjëherë. Mund të shënonim më shumë, por ngarkesa ekziston. Kjo është e rëndësishme për të vazhduar rrugën në Botëror. Mënyra se si u zgjidh tregon profesionalizëm nga skuadra. M'u duk sikur ata kishin më pak emocion se mua. Kemi qenë me shumë tension dhe emocione, ndërsa futbollistët ishin më të qetë. Kemi festuar në dhomë dhe thamë tani duhet të mendojmë play-off-in. Akoma më e vështirë do të jetë më mars, në play-off, pavarësisht kundërshtarit.
Duhet t’i gëzojmë rezultatit dhe play-off-it. Kam parë vetëm ndeshjen tonë, gjatë gjithë kohës isha i përqëndruar në ndeshjen tonë. Kisha bindje që Anglia do të fitonte. Kam pasur presion, emocion, stres, deri në shënimin e golit, më pas isha i relaksuar. Skuadra e menaxhoi mirë. Nuk mund të diskutojmë për individë, Broja është futbollist me kualitet, mbase nuk është i kënaqur me veten e vetë, unë jam i kënaqur me të dhe gjithë skuadrën", tha mes të tjerash Duka për Supersport.
59 minuta luajti Armando Broja në fitoren 0-1 të Shqipërisë në Andorra. Fundi i ndeshjes e pa sulmuesin të dëshpëruar, duke mos marrë pjesë në festën e ekipit. Ishte Hysaj që u afrua në stol dhe mori Brojën që po qëndronte në heshtje dhe i mërzitur. Më pas djaloshi 23-vjeçar u bashkua me festën e ekipit, por Broja është duke vuajtur një formë jo të mirë.

Presidenti Bajram Begaj përshëndeti mbrëmjen e sotme fitoren e Kombëtares kuqezi ndaj Andorrës me rezultatin 0-1, në kuadër të Grupit K të kualifikuesve për Kupën e Botës 2026.
Begaj postoi pamje nga goli i Asllanit dhe iu uroi kuqezinjve suksese.
Kjo ishte ndeshja e parafundit në Grupin K, përpara përballjes përmbyllëse që Shqipëria do të zhvillojë më 16 nëntor në “Air Albania” kundër Anglisë. Për këtë arsye, dueli i sotëm në Andorra merr vlera të mëdha për ecurinë e Kombëtares në këtë fushatë kualifikuese.
Fitorja, e kombinuar me humbjen 2-0 të Serbisë në fushën e Anglisë, i ka dhënë Shqipërisë kualifikimin historik në fazën “play-off” të Botërorit – për herë të parë në historinë e saj.
Ndihmëstrajneri i Kombëtares, Pablo Zabaleta shpjegoi vendimin e Sylvinhos për të lënë në stol Uzunin dhe futur në fushë Arbër Hoxhën si titullar kundër Andorrës.
'Sot luajmë kundër një skuadre që mbrohet shumë mirë dhe mbyll hapësirat. Hoxha është një anësor i mirëfilltë, qëndron në linjë, gjithmonë duke pritur për topin, të shkojë 1 kundër 1. Është në formë të mirë, edhe në klubin e tij. Kemi shumë besim tek ai, për këtë e kemi zgjedhur sot për ndeshjen.
Medon Berisha? Ne duhet të respektojmë Andorrën dhe veten. Asllani dhe Shehu kanë luajtur për shumicën e ndeshjeve, kanë bërë shumë mirë të dy. Jemi shumë të lumtur si Medon Berisha po luan me Leçen së fundmi. Po shkëlqen. Jemi shumë të lumtur që e kemi, sot kemi lojtarë në pankinë që mund të kenë impakt në lojë nëse na duhen për pjesën e dytë", tha mes të tjerash argjentinasi për Supersport.
Elseid Hysaj është titullar kundër Andorrës dhe kjo do të thotë se mbrojtësi shkodran e ka veshur për 95 herë fanellën e Kombëtares, më shumë se askush në histori. Mbrojtësi i Lazios lë pas Lorik Canën, i cili e mbylli karrierën me 94 ndeshje si kuqezi. Padyshim një datë historike për Hysaj, që kërkon edhe tri pikë në Andorra si dhe 'nderin' e Anglisë kundër Serbisë, për të kompletuar një ditë 'të çmendur'.
Dhoma e zhveshjes së Kombëtares në Andorra
Trajnerët Koldo Alvarez dhe Sylvinho kanë zbardhur titullarët e Andorra - Shqipëri. Sot në 20:45 kuqezinjtë do zbresin në fushë me skemën 4-3-3, duke kërkuar golin. Nga ndeshja e fituar 0-1 në Serbi, vetëm Uzuni është në stol dhe vendin e tij e ka marrë Hoxha. Sylvinho nuk heq dorë nga ekipi fitues, por me një modifikim në kërkim të krosimeve të Hoxhës.
Formacionet zyrtare:
Andorra (5-4-1): Alex Ruiz, Borra, Llovera, Olivera, San Nicolas, Rodrigo, Babot, De las Heras, Cervos, Rosas, Lopez Trajner: Koldo Alvarez
Shqipëria (4-3-3): Strakosha; Hysaj, Gjimshiti, Ajeti, Mitaj; Shehu, Asllani, Laçi; Hoxha, Broja, Manaj Trajner: Sylvio Mendes Campos Junior
Në Report TV, me gazetarët Ernest Koçi dhe Ermal Qori, trajneri Nevil Dede komentoi sfidën mes Andorrës dhe Shqipërisë.
"Nuk e besoj se mund të gabojmë, kemi kaluar sfida shumë të vështira. Andorra është një ekip modest. Sot nuk është momenti për eksperimente, trajneri do u besojë futbollistëve që kanë më shumë përvojë dhe garanci.
Sylvinho mund të hedhë sot në fushë Bajramin, ka cilësi dhe zgjidh situatat. Gjykoj që është diçka e duhur, pasi Bajrami sot na duhet. Kam besim se do jetë një vendim i mirë.
Është bërë një punë e mirë nga Federata, asgjë nuk është rastësi. Unë kam optimizëm edhe për play-off, por le të kalojmë njëherë Andorrën. Ky ekip (Andorra) do mundohet të na nervozojë, të fitojnë sekonda dhe të na vendosin në presion mental. Kemi një qëllim shumë herë më të madh sot, realisht po shkruhet historia.
Nëse nuk fitojmë? Nuk ka skenar tjetër, të jem i sinqertë s'e kam menduar. Kur Anglia fiton 0-5 në Serbi, nuk duhet të kemi dyshime për kompromis, po flasim për nivele të larta dhe ka 15 vite që gjëra të tilla të shëmtuara nuk ndodhin. Në 'Wembley' nuk besoj do ketë tolerime, duan ta mbyllin me nder para tifozëve të tyre. Nuk pres rotacion kundër Serbisë, pres që ndaj nesh të dielën të ketë rotacion te Anglia.
E ardhmja e trajnerit? Rroftë mbreti, poshtë mbreti. Rezultati i jep të drejtë trajnerit. Merita është e Sylvinhos, grupit, institucionit. Pastaj kjo pjesa e rinovimit është personale, ka shumë elementë në lojë. Shqipëria po e bën Sylvinhon me një CV shumë të pasur dhe trajneri po bën historinë këtu.
Rezultati? Minimumi do shënojmë dy gola", tha Dede.

Koldo Alvarez është emri i trajnerit të Andorrës. 55-vjeçari është një legjendë e futbollit në këtë vend, pasi e drejton ekipin kombëtar që prej 2 shkurtit 2010. Gjatë kësaj kohe ai e ka drejtuar ekipin në 135 ndeshje, nga të cilat ka siguruar 11 fitore, 21 barazime dhe 103 humbje. Gjatë këtyre viteve Andorra e tij ka shënuar 47 gola, kundrejt 279 të pësuarve. Mesatarja e tij e pikëve është 0.4, teksa për momentin Andorra e gjen veten në pozitën e 172-të në renditjen e FIFA-s. Skema e preferuar, 5-4-1.

Ndeshja e sotme mes Andorrës dhe Shqipërisë do jetë e nënta ndërmjet dy skuadrave. Shqipëria mban vendin e 61-të në renditjen e FIFA-s, duke u ngjitur me pesë pozicione pas fitores së një muaji më parë në Serbi. Nga ana tjetër Andorra është në vendin e 172-të në këtë renditje.
Në përballjet kundër Andorrës në gjithë historinë, Shqipëria e futbollit ka gjashtë fitore, një barazim dhe një humbje. Dueli i parë mes dy skuadrave është luajtur më 6 shkurt të vitit 2000 në Maltë për turneun "Rothmans" dhe tanët fitonin 3-0 me golat e Edmond Dalipit, Rudi Vatës dhe Johan Drizës.
Ndeshja e dytë më 17 prill 2002, një miqësore zhvilluar në Andorra, përfundonte me fitoren 2-0 të vendasve. Më pas tanët kanë dy fitore radhazi, para se në 14 nëntor 2019 skuadrat të barazonin 2-2 në "Elbasan Arena" për kualifikueset e Euro 2020.
Më pas Shqipëria numëron edhe tre fitore kundër Andorrës, më 2021 në dy takime, si edhe më 24 marsin e këtij vitit për kualifikueset e Kupës së Botës 2026. Në total, Shqipëria i ka shënuar 14 gola Andorrës në tetë takime, kundrejt katër të pësuarve.

Në stadiumin 'Encamp', Andorra pret Shqipërinë sot në orën 20:45. Impianti modest në Andorra ka një kapacitet prej 5100 ulësesh, ndërsa pritet që 60 përqind e stadiumit të jetë i 'veshur' kuqezi.
Tifozët e Kombëtares ia kanë dalë të sigurojnë bileta në shumë sektorë të stadiumit, paçka se zyrtarisht në stadium do duhet të ishin diçka më shumë se 200 të tillë.
Me një popullsi prej 80 mijë banorësh, sot në Andorra do shtohen të paktën 3 mijë shqiptarë për ndeshjen që mund të jetë historike. Kuqezinjtë kanë nisur festën me flamuj dhe plisa.
Andorra - Albania, World Cup Group K, Albania Ultras on Andorra. Credit: Fatlum Kurtaj pic.twitter.com/1PMWzt2m11
— News video (@Newsvideo13) November 13, 2025

Këtë të enjte në orën 20:45 Shqipëria e futbollit mund të shkruajë historinë, pasi për herë të parë kuqezinjtë me Sylvinhon në krye kanë shansin të sigurojnë një vend në play-off e Botërorit 2026.
Një fitore e Shqipërisë në Andorra, kombinuar me humbjen e Serbisë në Angli, do bënte që Kombëtarja kuqezi zyrtarisht të ishte në play-off e Kupës së Botës 2026 si e dyta e grupit, për të kërkuar një biletë në finalet që zhvillohen verën që vjen në Amerikën e Veriut.
Për duelin e sotëm, Sylvinho ka vendosur mos ketë të gatshëm mbrojtësin Klisman Cake dhe mesfushorin Adrion Pajaziti. Trajneri ka grumbulluar 25 futbollistë për këtë duel, por duke qenë se UEFA lejon vetëm 23 lojtarë të gatshëm, Sylvinho ka sakrifikuar Caken dhe Pajazitin.
Sot të gjithë sytë e shqiptarëve do jenë në Andorra, me ndeshjen që fillon në orën 20:45.
Komente









Zhdukeni ate Brojen se edhe Serb te ishte s,do e bente ate xhest
PërgjigjuKristian Asllani lojtari me I madh te gjitha kohrave
PërgjigjuMezi fituat me andoren te shkretet ju, imagjinoni me ndonje kundershtar tjeter.
Përgjigju@per ty Ja ja ja,ka me te fort se te fitosh ne Serbi ?