Një ndeshje tepër emocionuese është zhvilluar në Elbasan Arena me protagonist ekipin kombëtar shqiptar të U-21 që ka mposhtur me rezultatin 3-1 Andorën. Kuqezinjtë vinin nga një fitore mahnitëse 1-5 ndaj Austrisë dhe një hap fals do të ishte mjaft demoralizues.
Fatkeqësisht kjo rrezikoi të ndodhte, pasi në minutën e 2 Aleaz kaloi miqtë në avntazh me penallti. U desh shumë kohë për të kthyer optizmin për fitore te skuadra U-21, por me rëndësi është që ia dolën.
Pas disa tentativave të njëpasnjëshme ishte Adolf Selmani që barazoi me kokë në minutën e 62, ndërsa pak çaste para përfundimit të kohës së rregullt sulmuesi Vrioni përmbysi rezultatin. Më tej pati kohë edhe për një gol të Bullarit që vendosi rezultatin final të takimit.
Me këtë fitore Shqipëria mban përkohësisht të sigurtë vendin e tretë në grupin 3 të eliminatoreve të Europianit, pasi ka grumbulluar 11 pikë, 2 më pak se Austria e vendit të dytë dhe 5 më pak se Anglia e vendit të parë.