SIDNEJ, 17 nëntor /ATSH-DPA/ - Gama, në fillim të fjalimit të kancelares gjermane, Angela Merkel në Sidnej, ishte shumë e gjerë.
Ajo filloi me dështimet politike që çuan në fillimin e Luftës së Parë Botërore, pastaj vazhdoi me ato të Luftës së Dytë Botërore dhe përfundoi me Luftën e Ftohtë.
Më pas, ajo iu kthye ngjarjeve në Ukrainë.
Duke folur në gjermanisht në institutin për politikat ndërkombëtare "Lowy", Merkel i drejtoi një thirrje të qartë botës për t'i parë më nga afër ngjarjet në Ukrainë duke paralajmëruar se në të kundërt, një zjarr i madh do të përfshinte të gjithë botën.
"Në Evropë ka ende forca që mbështeten te ligji i më të fortit duke shpërfuillur fuqinë e ligjit.
Saktësisht, kjo ka ndodhur si pasojë e aneksimit të Krimesë nga Rusia, si sfidë e ligjit ndërkombëtar", deklaroi Merkel.
Një gjë e tillë ka vënë në pikëpyetje ligjin në Evropën e pasluftës.
"Kush do ta kishte menduar se 25 vjet pas rënies së Murit të Berlinit, mbarimit të Luftës së Ftohtë dhe ndarjes së botës në dy blloqe, një gjë e tillë do të kishte ndodhur në mes të Evropës?", pyet kancelarja.
Merkel i kërkoi botës të mësonte nga leksionet e së kaluarës.
"Ne e dimë... se konfliktet rajonale shumë shpejt mund të zgjerohen", theksoi ajo.
Në të njëjtën kohë, Merkel përjashtoi mundësinë e ndërhyrjeve ushtarake duke theksuar se "kjo do të çonte në konflikt ushtarak me Rusinë që qartësisht nuk do të mbetej e lokalizuar".
"Por, masat, si sanksionet ekonomike duhet të përdoren duke ditur se edhe Gjermania, partnere e rëndësishme tregtare e Rusisë, do të vuante nga një veprim i tillë, ashtu siç edhe Putin e ka paralajmëruar", tha Merkel.
"Por, fuqia ekonomike është një nga armët e kombeve perëndimore", theksoi kancelarja gjermane.
Duke iu referuar edukimit të saj në Gjermaninë Lindore komuniste, Merkel tha se Bashkimi Evropian nuk duhej të ulte kokën ashtu siç Gjermania Lindore kishte bërë ndaj Moskës, veçanërisht ndaj një anëtarësimi të mundshëm në BE të Ukrainës.
"Përndryshe, Bashkimi Evropian duhet të thotë se është shumë i dobët për të pranuar anëtarë të rinj pa kërkuar më parë lejen e Moskës", theksoi Merkel.
"Kështu ka qenë për 40 vjet dhe unë nuk dua t'i kthehem më kësaj çështjeje", shtoi ajo.
"Jo vetëm Ukraina do të prekej nga një gjë e tillë, por edhe Moldavia, Gjeorgjia dhe ndoshta edhe Serbia dhe vendet e Ballkanit që janë në kërkim të anëtarësismit në Bashkimin Evropian", paralajmëroi kancelarja.
"Mbase nuk do të kishte kundërshti nëse Ukraina do të vendoste t'i bashkohej Bashkimit Ekonomik Euroaziatik, ashtu si kanë bërë me njëra-tjetrën Rusia, Bjellorusia, Kazakistan dhe Armenia", tha Merkel.
"Askush në Evropën Perëndimore nuk do të mendonte për një moment që të fillonte të ankohej lidhur me kufirin polako-ukrainas", deklaroi Merkel në një sfidë të qartë ndaj Putinit lidhur me Ukrainën Lindore. (Nga Kristina Dunz) A.JOR.









