Komisioneri Hahn: Qeveria e
re të përqendrohet te Vettingu

Përpara Samitit të Ballkanit Perëndimor në Trieste, Nikola Ristić, nga portali ‘European Western Balkans’ bisedoi me Johannes Hahn, Komisionerin e BE për Politikat Evropiane të Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit, në një intervistë të publikuar ditën e djeshme.

Ai foli për situatën në secilin nga vendet e Ballkanit Perëndimor, si dhe për pritjet e tij për Samitin e Ballkanit Perëndimor të këtij viti.
 
Politika shqiptare

Pyetjes për Shqipërinë lidhur me qeverinë e re dhe opozitën, Hahn iu përgjigj se “Tani presim që qeveria të jetë e vendosur për ta çuar vendin përpara në rrugën e integrimit në BE nëpërmjet përpjekjeve të vazhdueshme reformuese.

Qeveria e re duhet veçanërisht të përqëndrohet në zbatimin e reformës së drejtësisë dhe procesit të vettingut, i cili është vendimtar në adresimin e luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Në këtë drejtim, qeveria e re duhet gjithashtu të përqendrohet në mënyrë më efektive në luftën kundër trafikut të drogës dhe kultivimin e drogës. Është e qartë se vetëm me një shtet ligjor funksional, vendi mund të përparojë në përgjithësi si një shoqëri demokratike dhe një ekonomi e qëndrueshme dhe të bëhet anëtare e BE.

Një opozitë e maturuar, e gatshme për të marrë pjesë në një dialog konstruktiv është gjithashtu çelësi për procesin demokratik të vendit”.
 
Pritshmëritë e samitit

Hahn u përgjigj edhe lidhur me samitin e Triestes dhe pritshmëritë që duhet të kenë vendet e Ballkanit Perëndimor ndaj të ashtuquajturit procesi i Berlinit.

“Një nga rezultatet kyçe do të jetë shpallja e “paketës vjetore të ndërlidhjes”  të projekteve të transportit dhe infrastrukturës energjetike. Ne gjithashtu shpresojmë që udhëheqësit do të nënshkruajnë Traktatin e Komunitetit të Transportit dhe do të miratojnë një plan veprimi për të krijuar një Zonë Ekonomike Rajonale. Që nga fillimi i tij tre vjet më parë, procesi i Berlinit ka sjellë një dinamikë të re në zhvillimin dhe bashkëpunimin rajonal të Ballkanit Perëndimor me rezultate konkrete.

Prandaj, i mirëpres idetë e reja konstruktive, siç janë ato të nisura kohët e fundit nga Ministri i Jashtëm gjerman, se si ta bëjnë procesin edhe më dinamik dhe si të fitojnë edhe më shumë fonde për t’iu përgjigjur nevojave të investimit që ka rajoni”.
 
Tregu i përbashkët

I pyetur për skepticizmin e Malit të Zi për projektin e një tregu të përbashkët, Hahn tha: “Jam i bindur se integrimi më i madh ekonomik do ta bëjë rajonin më tërheqës dhe më konkurrues.

Një zonë ekonomike rajonale është një rrugë premtuese për të krijuar mundësi më të forta dhe më të qëndrueshme ekonomike për rajonin dhe popullatën dhe ky është një objektiv që e mbështesin të gjithë. Në këtë drejtim, Mali i Zi ka luajtur një rol konstruktiv dhe aktiv dhe është angazhuar për të punuar së bashku me partnerët rajonalë në zhvillimin e hartës rrugore.

Kryeministri Markoviç ka sinjalizuar mbështetjen e tij të plotë ndaj nismës që ngrihet mbi ambiciet e pranuara gjatë kryesimit malazez të CEFTA-s në vitin 2016. Më lejoni gjithashtu të theksoj se thellimi progresiv i integrimit ekonomik në rajon duhet të bazohet në rregullat dhe parimet e BE-së. Në këtë mënyrë, kjo iniciativë do të jetë një piketë e rëndësishme në rrugën e pranimit në BE dhe jo – siç e keqinterpretojnë – një alternativë ndaj saj”.

Redaksia Online
J.Sh Shqiptarja.com

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Shenjat që kanë më shumë gjasa të fillojnë një zënkë në tryezën e festave

Shenjat që kanë më shumë gjasa të fillojnë një zënkë në tryezën e festave